Reshjet e borës bllokuan rrugët në lagjen e vikend shtëpizave në “Kodër të Diellit” (FOTO)

Reshjet e borës përsëri kapën të papërgatitur Komunën e Tetovës, si rezultat i këtyre reshjeve rruga në lagjen e shtëpizave të fundjavës në Kodrën e Diellit ngeli e bllokuar nga bora dhe vështirë e kalueshme për qytetarët, transmeton Portalb.mk.

Ndonëse bora ishte e paralajmëruar paraprakisht, institucionet nuk kanë reaguar në kohë për të mënjanuar bllokimin dhe vështirësimin e kalimit të rrugëve nga ana e qytetarëve, siç ndodhi sot në lagjen e Kodrës së Diellit ku reshjet e borës arritën në rreth 30cm, ku për këta rrugë kompetente është Komuna e Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës thonë se ekipet e punës janë në terren dhe po punojnë.

“Ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale janë në terren dhe të shpërndarë edhe nëpër fshatrat e Malësisë së Tetovës. Po punohet që të gjitha rrugët të jenë të lira dhe të kalueshme. Po ashtu, edhe për tek vikend shtëpizat ekipet e NPK-së janë nisur për të intervenuar”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, në Tetovë mirëmbajtjen dimërore të rrugëve e bën NPK “Tetova” me vendim të kryetarit të Komunës së Tetovës, Billall Kasamit. Mirëmbajtja dimërore e rrugëve në Komunën e Tetovës nuk arriti t’i transferohet NPK-së “Tetova” nga Këshilli Komunal në seancën e tretë, pasi dy këshilltarët e listës “Më mirë për Tetovën” nuk e votuan këtë pikë sepse kërkuan informata të cilat në atë seancë NPK-ja dhe Komuna nuk i kishin. Kryetari i Komunës tha se në seancën e radhës të këshillit do të dalin me informata të detajuara për këtë pikë që të kalojë në këshill, deri tani janë mbajtur katër seanca të tjera dhe kjo nuk ka ndodhur.

Në prag të fillimit të sezonit dimëror, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami ndërpreu  procedurën për prokurim publik të shërbimeve për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Kjo sipas tij u bë me arsyetimin që komuna të mos marrë ende më shumë borxh, ndërsa për mirëmbajtjen do ta kujdeset Ndërmarrja Publike “Tetova”, me ndihmën e një kompanie private e cila do ndihmojë pa pagesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button