BDI në qershor mban Kongresin partiak

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka vendosur organizimin e Kongresit partiak dhe zgjedhjen e kryesisë së re partiake. Sipas gazetës Koha, kongresi sipas gjitha gjasave do të mbahet më 5 qershor dhe se vetëm lideri i BDI-së, Ali Ahmeti është i sigurt në lidershipin dhe kryesinë e re, ndërsa të gjithë të tjerët pritet të përfshihen në procesin e ndryshimit dhe reformave brenda partiake.

Burime brenda kësaj partie thanë për gazetën Koha se BDI bëhet gati për zgjedhje të reja në të gjitha nivelet partiake, që momentalisht nënkupton edhe kryesi të re dhe drejtues të ri në organet më të larta drejtuese.

“Edhe në rast të emërimit të figurave tanimë të njohura për opinionin, në postet më të larta drejtuese, nuk është e sigurt që në to do të qëndrojnë personat e njëjtë nga përbërja aktuale. Nga BDI thonë se pretendohet që rruga t’ju hapet fytyrave të reja, por nuk përjashtohet mundësia që edhe të ketë rokada dhe zhvendosje të funksionarëve nga një pozicion në tjetrin. Faktorë që do të ndikojnë në gjasat për të marrë një post në majat e partisë, përveç përgatitjes profesionale dhe mbështetjes brenda strukturave, do të jenë edhe rezultati në punën e tyre në funksionet shtetërorë, në ato partiake dhe rezultati në zgjedhjet e fundit. Jozyrtarisht thuhet se në garë për të zënë ulëset më afër liderit të partisë, me gjasa të barabarta hyjnë thuajse të gjithë funksionarët aktual dhe ato nga përbërjet e kaluara si e Parlamentit, ashtu dhe të pushtetit ekzekutiv, drejtuesit aktual të partisë dhe ato që në Kongresin e kaluar humbën pozicionet e tyre, si dhe figurat e reja të cilët në hierarkinë e partisë kanë filluar të ngjiten gjatë periudhës së fundit. Të pasigurt mbeten edhe katër nënkryetarët e partisë, të cilët bashkë me anëtarët e tjerë do të garojnë për ato poste me gjasa të barabarta”, shkruan gazeta.

Sipas BDI, në gati 90 për qind zgjedhjet nëpër degë kanë përfunduar dhe pritet mbyllja e këtij procesi edhe në disa degë tjera, siç është ajo e Tetovës, Kumanovës, etj. 

Lajme të ngjashme

Back to top button