Beteja për Kievin

Shpërthime dhe të shtëna armësh mund të dëgjoheshin të shtunën në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ndërsa forcat ruse dhe ukrainase, luftonin për kontrollin e qytetit, raporton VOA. Zyrtarët ukrainas po u bëjnë thirrje qytetarëve të vendit të ndihmojnë mbrojtjen e Kievit kundër forcave ruse. Një bazë ushtarake në kryeqytet u sulmua, por ushtria e Ukrainës tha se sulmi u zmbraps.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, kishte parashikuar se sulmet në Kiev do të bëheshin më intensive të shtunën.

“Kievi kërkon vëmendje të veçantë,” tha ai të shtunën. “Ne nuk mund ta humbim kryeqytetin.”

Forcat ruse që po përparojnë në Kiev dhe qytete të tjera si pjesë e një plani për t’i “prerë kokën” qeverisë së Ukrainës, duket se kanë humbur njëfarë vrulli, thanë të premten zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë.

Shpërthimet dhe të shtënat me armë vazhduan të premten në zonat afër Kharkivit në veri dhe Khersonit në jug, ndërsa forcat ruse vazhduan një marshim të ngadaltë më tej në Ukrainë.

Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes, duke folur me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se forcat ruse kishin lëshuar një breshëri prej më shumë se 200 raketash që nga fillimi i sulmit, shumica e të cilave synonin ushtrinë ukrainase.

Por, zyrtari tha se shërbimet e zbulimit thanë se operacioni nuk po shkon ashtu siç mund të kishin shpresuar komandantët rusë.

“Rusët kanë humbur pak nga momenti i tyre,” tha zyrtari. “Ata nuk po përparojnë aq larg ose aq shpejt sa ne besojmë se ata prisnin që të bënin”.

Përparimi rus në Kiev, në veçanti, duket se ka ngecur.

“Ata po përballen me më shumë rezistencë sesa prisnin”, tha zyrtari amerikan, duke shtuar se forcat ruse nuk kishin arritur ende epërsi ajrore, pavarësisht një përparësie numerike dhe përpjekjeve për të eliminuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Komanda dhe kontrolli i Ukrainës “është i paprekur”, shtoi zyrtari.

Në Kiev, presidenti Zelenskyy u përpoq të qetësojë kombin, duke hedhur poshtë zërat se ai ishte larguar nga qyteti dhe duke këmbëngulur se ai dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë “janë të gjithë këtu, duke mbrojtur pavarësinë tonë, shtetin tonë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button