Hulumtim: Një e treta e studentëve janë përballur me diskriminim në fakultet, pak veta raportojnë

Tridhjetë përqind e studentëve në vend në një moment janë përballur me diskriminim në fakultetet dhe universitetet publike, por vetëm 6,6 përqind kanë raportuar se kanë qenë viktima të diskriminimit, transmeton Meta.mk.

Këtë e tregon hulumtimi i Forumit Rinor Arsimor (FRA) për perceptimin e studentëve për diskriminimin në katër universitetet shtetërore – “Shën Kirili dhe Metodi “- Shkup (UKIM), “Goce Dellçev” – Shtip (UGD),” Shën Klimenti i Ohrit”- Manastir (UKLO) dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT).

Shumica e studentëve, të cilët kanë përjetuar diskriminim në lëkurën e tyre janë studentë në UKIM (16,9 përqind), pastaj në UGD dhe USHT (5,3 përqind) dhe UKLO (1,3 përqind).

Sa i përket sigurisë së fakulteteve dhe universiteteve, hulumtimet kanë treguar se studentët në përgjithësi ndihen shumë të sigurt. Megjithatë, një grup i caktuar studentësh, si ata me aftësi të kufizuara dhe ata që nuk e kanë theksuar gjininë dhe orientimin e tyre seksual, janë ndjerë më të pasigurt.

“Studentët të cilët nuk deklarojnë se cilës gjini i përkasin, mendojnë të largohen edhe nga vendi edhe nga universiteti, sepse mendojnë që nuk mund ta realizojnë sa duhet potencialin e tyre”, ka vënë në pah Sofija Arnaudova-Georgievska, autore e studimit.

Në të njëjtën kohë, romët ndiheshin më pak të vlerësuar, sikurse nuk i përkisnin universitetit dhe kanë thanë se drejtësia, barazia dhe përfshirja në fakultete nuk vlejnë për ta.

Notat e larta – arsye për diskriminim nga kolegët

Studentët, si shkakun më të shpeshtë për diskriminim, i përmendën njohuritë dhe notat mbi mesataren, dhe studentët me pengesa. Studentët u përgjigjën se ishin etiketuar dhe refuzuar nga bashkëmoshatarët e tyre sepse kishin njohuri mbi mesataren.

Për sa i përket gjinisë, të dhënat tregojnë se studentët femra janë më të kënaqura me klimën e fakulteteve dhe universiteteve. Studentët e çrregullt ishin më të kënaqur se studentët e rregullt e kjo, sipas autorit të hulumtimit, mund të jetë për faktin se profesorët i kanë mirëpritur ata më mirë, duke e vlerësuar kohën e tyre sepse ishin të punësuar dhe nuk kishin mundësi të vinin në fakultet rregullisht.

Më të kënaqurit me klimën e fakulteteve ishin studentët e ciklit të dytë, ndërsa më së paku studentët e ciklit të tretë. Sa i përket studentëve të ciklit të parë, veçanërisht interesante janë të dhënat për kënaqësinë me klimën në universitete sipas vitit të studimit, sipas të cilave, studentët e vitin e parë janë më të kënaqurit, ndërsa studentët e vitit të pestë janë më së paku të kënaqur.

Studentë që e kanë vlerësuar veten se vijnë nga familje me status të lartë socio-ekonomik thanë se ishin më të kënaqur me klimën universitare.

 

Distanca sociale – studentët i shmangin personat me aftësi të kufizuara, homoseksualët dhe lezbiket

Hulumtimi përfshiu edhe distancën sociale, për të cilën autori tha se ka të bëjë me atë se sa rehat ndihen njerëzit dhe sa shumë duan të krijojnë kontakt me dikë tjetër.

“Ajo që është alarmante është se problemi më i madh në kontaktet me të tjerët është kur studentët vijnë në kontakt me persona me pengesa dhe persona me orientime të ndryshme seksuale. Mbase duhet të pyesim veten se çfarë është dhe përse është problem për studentët të kontaktojnë këta njerëz,” tha Arnaudova-Georgievska.

Distanca sociale, më e vogla ka qenë në UKIM dhe UKLO, ndërsa më e madhja në USHT.

Është alarmant edhe fakti që vetëm 7,6 për qind e të gjithë studentëve e dinë se ka procedurë për raportimin e diskriminimit nëpër fakultete, megjithatë nuk besojnë se është e vlefshme.

Ndryshe, studentët e kanë raportuar diskriminimin më së shumti tek dekanët, sepse dekanin e kanë parë si “figurë të fuqishme që mund të kontribuojë në uljen e diskriminimit”.

Shumica e rekomandimeve në hulumtim kanë të bëjnë me ndryshimet e Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili kërkon akte të brendshme për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi brenda universiteteve, por edhe kontrollimin e të gjitha programeve të studimit për të parë se sa realisht ka diskriminim në ligjërata dhe literaturë.

Studentët dhe stafi i fakultetit duhet të informohen publikisht dhe rregullisht për të gjitha format dhe mekanizmat e diskriminimit dhe mënyrat se si mund të sanksionohet, por edhe me pyetësorë anonimë vjetorë për të parë se çfarë i shqetëson realisht studentët.

Një profesor nuk ka dashtë të jep notë kaluese për student me sindromën Down

Në promovimin e hulumtimit folën edhe përfaqësues të studentëve nga universitetet shtetërore.

Avokati i studentëve në UKIM, Tea Micevska, theksoi se ndonëse nuk ka pranuar shumë raporte për diskriminim gjatë mandatit të saj, ajo është përballur me dëshmi të studentëve të cilët nuk kanë guxuar të raportojnë se janë diskriminuar sepse “nuk kanë dashur të dihet se kush ishin ata dhe nuk kanë besuar se diçka do të ndryshonte dhe se fakulteti do të ndërmerrte masa.”

“Një nga arsyet kryesore do të ishte mungesa e informimit të studentëve. Në këtë drejtim, besoj se ne si individë që vijmë nga një vend që ka pozicionim diskriminues dhe ku institucionet nuk kanë mirëkuptim për nevojat e qytetarëve, jemi mësuar në të gjitha fushat tjera të mos kemi besim në të gjitha institucionet dhe organet përkatëse. “Mendoj se kjo reflektohet edhe në universitet”, theksoi Micevska.

Micevska tha se diskriminimi në universitete mund të vijë nga çdo anëtar i komunitetit akademik dhe ndau një rast të diskriminimit që i ishte raportuar dhe i referohej një personi me aftësi të kufizuara.

“Ishte një student me sindromën Down i regjistruar në fakultet dhe profesori shprehimisht kishte thënë që në asnjë rast nuk do t’i lejojë vetes, me titullin e tij ‘doktor’, të shkruajë notë dhe të kalojë një student i cili ka një paaftësi të tillë”, tha Micevska.

Micevska shtoi se UKIM duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për ta afruar universitetin me studentët.

“Sipas ligjit ekziston Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili duhet të përbëhet nga disa profesorë, por për atë komision nuk jemi të informuar nëse është formuar fare si i tillë dhe nëse është formuar në çfarë mënyre funksionon. Gjithashtu, Universiteti cakton një person që është përgjegjës për mbrojtjen në rast të korrupsionit, por përsëri nuk jemi të informuar se kush është ai person dhe a vepron në ndonjë mënyrë”, tha Micevska.

Igor Jadrovski, anëtar i Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, tha se gjatë punës njëvjeçare të Komisionit është pranuar vetëm një ankesë nga një student për diskriminim, që është rreth 0.5 për qind nga të gjitha rastet e dorëzuara në Komision vitin e kaluar.

“Bëhet fjalë për diskriminim sistematik, bëhet fjalë për diskriminim indirekt ndaj studentëve, gjegjësisht studentët që janë regjistruar për herë të parë në një vit akademik në vitin akademik 2021/2022 dhe kanë aplikuar për bursa, marrin bursa më të larta se ata që tashmë i shfrytëzojnë bursat. Përkatësisht nuk kemi harmonizim të programit për standardin studentor ku ka studentë që aplikojnë për bursë me të njëjtat kushte të përcaktuara, ndërsa marrin shuma të ndryshme bursash, varësisht se kur kanë aplikuar për herë të parë. Këtu kemi rekomandim për MASH për të harmonizuar programin dhe shumën e bursave dhe rekomandim për Qeverinë që të miratojë një program të tillë nga MASH-i”, tha Jadrovski.

 

Simona Naumovska, kryetare e Parlamentit Studentor Universitar të UKLO, tha se hulumtimi sipas të cilit klima e këtij universiteti është më e favorshme për studentët, tregon se universiteti drejtohet nga njerëz të vërtetë dhe punon për të ruajtur vlerat më të larta.

“Megjithatë, hulumtimi ka treguar se diskriminimi është më i butë dhe besoj se respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, pavarësisht nga raca, gjinia dhe gjuha, duhet të promovohet. Për të ndryshuar situata të tilla mendoj se ndryshimet duhet të nisin nga ne dhe ne si Parlament Studentor Universitar bashkë me Avokatin e Studentëve do t’i ndryshojmë situatat e tilla me shembull personal dhe aktivizëm. Si kryetare i inkurajoj të gjithë studentët që të besojnë në organet studentore tashmë të formuara dhe besoj se vetëm të bashkuar në qëllime të mira do të ofrojmë një jetë më të mirë studentore në çdo kuptim të fjalës”, tha Naumovska.

Kryetarja e Parlamentit Studentor Universitar të UKIM, Eva Cvetkovska, tha se ka mungesë serioze të informatave reale dhe konkrete për diskriminimin në arsimin e lartë. Ajo e theksoi si alarmant faktin se romët ndihen më pak të vlerësuar në universitete dhe tha se në fakultete nevojitet mjedis më i pranueshëm për studentët që kanë orientim jo heteroseksual.

“Ka shumë dokumente që sillen dhe që janë thjesht një proklamime formale dhe diçka që universitetet mund të mburren se e miratojnë, si strategji, kode etike etj., por ajo që shohim në realitet është se nuk ka fare realizim faktik dhe diçka që dokumente formale do të bënin studentët t’iu afrohen universiteteve dhe do të ndihen rehat dhe komod për të raportuar këto forma të diskriminimit”, theksoi Cvetkovska.

Hulumtimi i FRA u realizua në kuadër të projektit “Perceptimi i studentëve për diskriminimin” i mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button