Avokati: Naseri është rrahur me bejsboll, vrasja në vetëmbrojtje

I dyshuari për vrasjen e të riut në Gjorçe Petrov, Naser Eshtrefi ka rrëfyer para trupit gjykues se vrasjen e maturantit maqedonas e kryer në vetëmbrojtje, ndërsa thika ka qenë e Angellit, transmeton Alsat M. Dëshmi për versionin e të dyshuarit janë edhe shenjat e shkopit të bejsbollit, në shpinën e Naserit 19 vjeçar. Avokati i tij thotë se Naseri para gjykatësit hetues ka pranuar se zënka është bërë për arsye banale, në tentim për vjedhjen e një biçiklete. Naseri ka rrëfyer se ndaj tij është ushtruar dhunë me shkop bejsbolli nga i ati i Angellit, ndërsa gjatë kryerjes së veprës ka përdorur thikë që sipas Naserit, i ka takuar viktimës. 

 “I dyshuari ka deklaruar dhe deklaron se veprën e ka kryer në vetëmbrojtje. Nuk mund të themi se i kujt ka qenë mjeti i mprehtë, për të cilin mendohet të jetë thikë, për arsye se ende nuk është gjetur. Sipas rrëfimeve të të akuzuarit, ajo nuk ka qenë thikë e tij”, deklaroi Rubin Dvojakov, Avokati i të dyshuarit.

Dëshmi për dhunën e ushtruar mbi Naser Eshtrefin janë edhe plagët dhe shenjat e dukshme nga shkop bejsbolli në shpinën e tij. Megjithatë as thika me të cilën është kryer vrasja, as shkopi i bejsbollit me të cilin Naseri pretendon se është ushtruar dhunë ndaj tij, nuk janë gjetur akoma.

“Mbi të dyshuarin është kryer kontroll mjekësor që mbrëmjen e vrasjes. Në të kishte shenja të dukshme të lëndimeve trupore. Lëndimet do të shqyrtohen nga ekspertë, për të verifikuar karakterin, momentin kur janë bërë shenjat, dhe me çka janë bërë. Mjeti me të cilin mendohet se janë bërë këto lëndime trupore, nuk është gjetur”, u shpreh Rubin Dvojakov, Avokati i të dyshuarit.

Mbrojtja ende nuk ka parë video incizimet nga kamerat e sigurisë të spitalit, që mendohet se kanë xhiruar momente kyçe lidhur me vrasjen. Nga Prokuroria u është thënë se po kryhet ekspertiza e xhirimeve, ndërsa mbrojtja do të mund ti shqyrtojë gjatë javës së ardhshme. Avokati Dvojakov gjithashtu thotë se i dyshuari Naser Eshtrefi ka dosje të pastër, dhe deri tani nuk është gjykuar për vepër penale.

Lajme të ngjashme

Back to top button