Eurointegrimi i Ballkanit në plan të dytë, tashmë aleatët dhe BE-ja fokusin e kanë në Ukrainë

Ballkani Perëndimor, i cili aspiron integrimin në Bashkimi Evropian, ky rajon tashmë te BE-ja ka kaluar në plan të dytë. Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, për çka sytë e të gjithëve janë drejtuar te ky konflikt. Situata duket e vështirë. Brukseli po përballet me mjaft shqetësime pasi lufta dhe refugjatët janë më afër dyerve të saj dhe kontestet tjera mbeten anësh e sidomos ai në mes Shkupit dhe Sofjes. Gjasat janë që këtë vit të ketë një zgjidhje në mes dy vendeve (RMV-Bullgari), por Ukraina është problem më i rëndë dhe kompleks që do të kërkojë angazhim të fuqive evropiane dhe të SHBA-së me Rusinë për zgjidhjen e konfliktit dhe gjetjen e një zgjidhje, thonë analistët për Portalb.mk.

Ish-diplomati Denko Maleski, thotë se ky është një moment kur ne në Maqedoni duhet të pyetemi se çfarë mund të bëjmë ne për aleancën për Unionin, për NATO-n, dhe jo çfarë duhet të bëjnë ata për ne, ashtu si deri tani.

“Nëse pritet që kjo të zgjasë shumë gjatë, kurse karta politike e Evropës ka ndryshuar, na pret një periudhë më e gjatë e konfrontimit me sistemin autokratik të Rusisë, diçka e ngjashme luftën e ftohtë dhe të gjithë aleatët përfshitë edhe Maqedoninë, duhet të bëjnë çmos që të mos jenë barrë e aleancës. Pra, është koha që politikanët tanë, si fillim në njëfarë mënyre të arrijnë konsensus minimal rreth udhëheqjes së shtetit, të zgjasin dorën e faljes dhe të ndërtojnë qëndrim të përbashkët për zgjidhjen e problemeve që i kemi dhe që frenojnë progresin në Bashkimin Evropian. Domethënë nga ne pritet më shumë se sa deri tani pasi aleanca do të ketë detyrime të tjera duke marrë parasysh situatën e fundit, fundi i së cilës është i paparashikueshëm. Kështu më flet arsyeja”, thotë Maleski.

Nga ana tjetër analisti Selim Ibraimi, megjithëse shprehet se fuqitë botërore fokusin e kanë në situatën me Ukrainën, qeveritë e RMV-së dhe Bullgarisë mund të arrijnë zgjidhje më shpejtë dhe të qëndrueshme po që se  e kanë ndërmend të largohen nga përpjekjet e propagandës ruse për të vazhduar kontestin edhe më gjatë. Ai konsideron se ka gjasa për zgjidhje midis dy vendeve këtë vit, por problemi më kompleks mbetet Ukraina.

“Qarqe të ndryshme, individë dhe media në Shkup po mundohen të bëjnë krahasime jo të vërteta të problemit MV – Bullgari me atë që po ndodh në mes Ukrainës me Rusisë. Për shkak të mos njohjes së historisë në raporteve në mes popujve e këtu në mes Ukrainës dhe Rusisë nga Mesjeta e deri tash, komentet dhe qëndrimet e tyre shkojnë në favor të luftës psikologjike- informative që mosmarrëveshjet Shkup-Sofje të vazhdojnë. P.sh. gjatë viteve të 30 -ta të shekullit të kaluar mbi 3 milionë ukrainas vdiqën nga Uria e Kuqe e shpallur nga Stalini. Një gjë të tillë nuk e kemi pasur në marrëdhëniet në mes Bullgarisë dhe MV. Gjasat janë që këtë vit të ketë një zgjidhje në mes dy vendeve, ndërsa Ukraina është problem më i rëndë dhe kompleks që do të kërkojë angazhim të Fuqive evropiane dhe të SHBA-së me Rusinë për zgjidhjen e konfliktit dhe gjetjen e një zgjidhje”, shprehet Ibraimi.

Ibraimi shprehet se aktualisht rrethimi i Ukrainës nga ushtria ruse po vazhdon ndërsa zgjidhja diplomatike e konfliktit është larg. Sanksionet ndërkombëtare të vendosura kundër Rusisë nuk do të kenë efektin e tyre në situatën aktuale dhe as më pak për momentin në vendimet e presidentit Putin. Duhet thënë se krahu lindor i NATO-s është forcuar më ushtarë amerikanë dhe të shteteve të aleancës.

“Historikisht raportet ruso-ukrainase nuk kanë pasur fund të mirë. Të shpresojmë në ndaljen e konfliktit të ri në mes të Evropës dhe gjetjen e një zgjidhje të përhershme për dy popujt, pasi SHBA dhe BE tani për tani nuk kanë plane shtesë për të hyrë në këtë luftë. Natyrisht se Brukseli po përballet më mjaft shqetësime pasi lufta dhe refugjatët janë më afër dyerve të saj tash dhe kontestet tjera mbeten anësh e sidomos ai në mes Shkupit dhe Sofjes”, deklaron Ibraimi.

Ndryshe, Rusia pushtimin në Ukrainë e filloi më 24 shkurt. Shpërthime u dëgjuan herët të mërkurën pranë kryeqytetit ukrainas të Kievit, presidenti ukrainas Volodimir Zelenskyy tha se Rusia kishte kryer sulme në infrastrukturën ushtarake dhe mbi rojet kufitare në rajonin e Donbas. Ai e ka ftuar popullatën që ta mbështet ushtrinë e cila po lufton me forcat ruse.

Sulmin ndaj Ukrainës vazhdon. Rusia ka zgjeruar pushtimin në periferi të kryeqytetit Kiev pasi sulmoi vendin nga toka, deti dhe ajri një ditë më parë. Sipas shifrave të publikuara nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ushtria ruse kreu sulme ajrore në qytete dhe baza ushtarake dhe dërgoi trupa dhe tanke, që vranë 137 civilë dhe personel ushtarak.

Për konfliktin Rusi – Ukrainë:

  • Dita e parë e konfliktit, lexo: KËTU.
  • Dita e dytë e konfliktit, lexo: KËTU.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button