Protesta para Ambasadës së Rusisë në Shkup: “Putini është fashist”, “Stop gjenocidit”

Dhjetëra qytetarë u mblodhën sot në sheshin Maqedonia në Shkup dhe prej atje u drejtuan te Ambasada Ruse, për të protestuar kundër pushtimit ushtarak rus në Ukrainë. Qytetarë të Shkupit dhe të qyteteve tjera të vendit, si dhe ukrainas të cilët jetojnë në Maqedoni, marshuan duke kënduar këngë ukrainase dhe duke brohoritur “Putini është fashist, Putini është Hitler, Putini është vrasës i fëmijëve, ndalni gjenocidin, hiqni duart nga Ukraina, qëndroni të qetë dhe Dashuroni Ukrainën”, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Shumë nga të pranishmit kanë frikë për jetën e të afërmve të tyre, të cilët aktualisht fshihen në Ukrainë ndërsa forcat ruse i bombardojnë qytetet e tyre.

“Jam plot emocione, nuk mund të përmbahem. Familja ime është në Ukrainë, ne jemi të gjithë njësoj. Jemi të gjithë familje. Çdo minutë i shkruaj familjes sime: Më thoni, a jeni gjallë? Zot ruaje Ukrainën, ruaj ushtarët”, tha Olja Oberezhna e mërzitur dhe duke qarë, në një bisedë me Meta.mk.

Të pranishmëve, të cilët bartnin shenja ukrainase dhe pankarta me mesazhe kundër luftës dhe kundër imazhit të Putinit të maskuar si Hitleri, iu drejtua Kryetari i Shoqatës së Ukrainasve në Maqedoni, Aleksandar Panoviç.

“Mesazhi ynë kryesor është që Rusia të heqë dorë nga lufta, të mbledhë ushtrinë e saj. Është turp të ketë luftë. Mesazhi ynë është që të arrijnë marrëveshje në mënyrë diplomatike. Populli ukrainas është gati të luftojë, është gati për luftë. Por, nuk e kuptojmë pse po na bombardojmë, pse qytetet paqësore po bombardohen me raketa”, tha Panoviç.

Para Ambasadës Ruse foli edhe një gazetar afgan, i cili tha që e dinte se si është të dëbohesh.

“Kam ardhur ta mbështes Ukrainën sepse e di se si është të dëbohesh nga shtëpia jote për shkak të luftës dhe agresionit nga forcat të huaja”, tha afgani Karan.

Duke treguar rrethojën metalike të ambasadës ruse në Shkup, të pranishmit thanë se ishte e lehtë të vlerësohej se kush ishte agresori, sepse, siç thanë ata, Ambasada e Ukrainës ishte e hapur dhe askush nuk kishte frikë të afrohej, kurse Ambasadën Ruse tani e ruan policia, pavarësisht që është e rrethuar me grila metalike.

This slideshow requires JavaScript.

“Rusia është agresori. Ne jemi të detyruar të vijmë deri te ambasada e agresorit në shekullin e 21-të për të thënë se nuk është normale që njerëzit të vdesin vetëm që Putini të qëndrojë në pushtet. Ushtria jonë është gati të rezistojë, por sërish do të themi, diplomacia duhet të jetë në vend të parë. Ky konflikt duhet të zgjidhet në nivel diplomatik, duhet të ndalet lufta dhe të ketë paqe. Paqe në Ukrainë, paqe në Evropë, paqe në Ballkan”, tha Andrei Hafenic, një nga ukrainasit e pranishëm.

“Duam të dini se çfarë po bën Putini në Ukrainë, kjo është shkelje e të gjitha të drejtave të njeriut. Më vjen keq për ata fëmijë dhe ato nëna që po vuajnë tani. Nuk kam askënd në Ukrainë, por rastësisht e pashë në Twitter dhe erdha të shpreh mbështetjen time. Është për të ardhur keq kjo që po i ndodh atij populli”, tha Kujtim Osmani, një nga qytetarët e pranishëm në protestë.

Shoqata e ukrainasve “Lesja Ukrainka” edhe tre ditë më parë së bashku me diplomatët e Ambasadës së Ukrainës, te monumenti i Taras Shevçenkos në qendër të Shkupit, mbajtën një aksion të përbashkët nën moton “Të bashkuar për Ukrainën”.

Qëllimi kryesor i aksionit ishte të demonstronte kohezionin dhe unitetin e ukrainasve në mbarë botën dhe të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur të ardhmen e saj.

“Ukraina është në krye të mbrojtjes së demokracisë dhe lirisë. Ne bëjmë thirrje për një front të bashkuar që do të angazhohet për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta evropiane dhe do të mbetet i vendosur për të kundërshtuar agresorin. Edhe kur jemi jashtë vendit, Ukraina mbetet në zemrat tona dhe jemi bashkë me atdheun tonë”, tha me atë rast Kryetari i Shoqatës Aleksander Urbanoviç.

Mijëra ukrainas që jetojnë në qytetet evropiane dhe amerikane së bashku me miqtë e tyre protestuan përpara ambasadave dhe konsullatave ruse në mbarë botën për të dërguar mesazh për të ndaluar pushtimin rus të Ukrainës.

Ndryshe sot është dita e dytë e sulmit ushtarak ndaj Ukrainës. Rusia, sot e ka zgjeruar pushtimin në periferi të kryeqytetit Kiev pasi sulmoi vendin nga toka, deti dhe ajri një ditë më parë. Sipas shifrave të publikuara nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ushtria ruse kreu sulme ajrore në qytete dhe baza ushtarake dhe dërgoi trupa dhe tanke, që vranë 137 civilë dhe personel ushtarak.

  • Dita e parë e konfliktit, lexo: KËTU.
  • Dita e dytë e konfliktit, lexo: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button