Kështu i vlerësojnë 100 ditët e Kasamit këshilltarët komunal

Para dy ditëve, kryetari i Komunës së Tetovës prezantoi para opinionit raportin për punët të cilat ai realizoi në 100 ditëshin e parë në krye të kësaj Komune.planprogramin e tij të prezantuar për këtë afat kohor kishte 31 pika prej të cilave disa u realizuan e disa jo, disa të tjera pjesërisht dhe disa tjera kanë filluar të realizohen, në këtë raport kishte edhe punë të tjera jashtë atij programi. Portalb.mk bisedoi me këshilltarët komunal nga subjekte të ndryshme për atë se si e vlerësojnë punën e Kasamit për këto 100 ditë, shkruan Portalb.mk.

Këshilltarët e BDI-së thonë se nga fjalimi i kryetarit të Komunës për raportin 100 ditor nuk kuptuan asgjë dhe se punët në video-montazhin ishin punë standarde që komuna dhe ndërmarrjet kanë obligim që t’i bëjë.

Blerim Osmani
Blerim Osmani

“Gjatë 100 ditëve më tepër është bërë një fushatë politike, në disa vende ka hasur në kundërshtim edhe me premtimet e veta, si rasti i parkingjeve. Ka edhe mangësi tjera si mënjanimi i shtegut të biçikletave që u bë në rrethana të paqarta juridike. Transparenca është selektive si rasti me publikimin e kontratave, është qesharake se nxjerrin kontrata me 10 denarë ndërsa ka pagesa me mbi 22 mijë denarë. U ndërpre furnizimi për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Për qentë endacak nuk u gjend zgjidhje. Fokusi më i madh duhet të jetë në punë dhe plane dhe jo të thirren kryetarë të partive të tjera bëhet fushatë në këtë shtëpi tonën që financohet nga taksapaguesit e këtij qyteti”, tha Blerim Osmani, koordinator i këshilltarëve komunal të BDI-së.

Visar Palloshi
Visar Palloshi

Visar Palloshi, këshilltar nga PDSH thotë se nuk janë përmbushur premtimet e dhëna kurse ato të cilat janë realizuar nuk kanë qenë të mjaftueshme për përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Tetovës.

“Në fakt kryetari i komunës e ka pa të arsyeshme që ta justifikoj mos punën e tij në këto 100 ditë duke u marrë me ndodhitë e kryetares së kaluar. Në vend të kësaj është dashur që ti adresojë saktë dhe tu gjejë zgjidhje adekuate problemeve të qytetit“, tha Palloshi.

Për koordinatorin e grupit të këshilltarëve nga LSDM vlerësimi i përgjithshëm sa i përket 100 ditëve nga marrja e pushtetit lokal nga koalicioni Lëvizja Besa dhe VMRO DPMNE është se autoritetet lokale nuk i kanë realizuar premtimet e dhëna qytetarëve.

Ilija Dimitrievski
Ilija Dimitrievski

“Një nga premtimet kryesore të VMRO DPMNE-së ishte edhe kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, e cila përkundër faktit se në përbërjen aktuale të këshillit ishte mjaft e realizueshme, as nuk ishte kërkuar nga VMRO DPMNE dhe as nuk u realizua. Shkatërrim i shtegut të biçikletave, ndalim i punës së kompanisë së transportit dhe ngarkim shtesë i trafikut në qytet. Kompania e transportit, e cila funksiononte dhe operonte dhe ofronte shërbime për qytetarët, është mbyllur. Tetova në muajt kur është më e ndotur ka mbetur pa kushte për transport alternativ. Koalicioni Lëvizja Besa -VMRO DPMNE përsëri veshi më shumë këpucë sesa mund të mbushte, duke i lënë qytetarët të varur në hapësirë”, tha Ilija Dimitrievski.

Elmedina Abdullai
Elmedina Abdullai

Elmedina Abdullai, këshilltare nga “Më mirë për Tetovën” që janë pjesë e shumicës në këshill shprehet se vazhdimisht përcjellin punën dhe  vlerësimi i tyre si listë është që vullneti dhe dëshira për punë ekzistojnë por siç thotë ajo nuk mund të thuhet se të gjitha premtimet e 100 ditëshit janë realizuar.

“Por pasi e kemi parasyshë gjendjen në të cilën udhëheqsia aktuale e ka pranuar komunën dhe borxhin marramendës, kemi edhe fleskibilitet në pritjet tona por kjo nuk dmth që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Gjithmonë do të jemi aty korrektor ose iniciues të procedurave të quhet të bëhen për udhëheqje të mirëfilltë. Ajo që presim urgjentisht është të gjithë kontratat e dyshimta dhe keqpërdorimet të përfundojnë në prokurori dhe të përfundojë revizioni financiar i komunës të shihet gjendja reale”, tha Abdullai.

Angel Karapetrov
Angel Karapetrov

Koordinatori i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, Angell Karapetrov 100 ditët e qeverisjes nga Bilall Kasami i vlerëson si të mira, pasi siç thotë ai  pas një qeverisjeje të keqe të pushtetit të kaluar vendor, të gjithë do të ishin më të suksesshëm.

“Kryetari i komunës nuk ka as pushtet absolut në Këshill dhe duhet të menaxhojë proceset që do të kontribuojnë në marrjen e vendimeve të mira, cilësore dhe pragmatike. Në këto 100 ditë është përmirësuar transparenca e komunës, është përmirësuar gjendja në ndërmarrjet publike që kanë zgjidhur problemet me pagat e papaguara dhe kështu ka filluar të funksionojë normalisht. Përkundër gjendjes së keqe financiare të komunës, shpresoj që në periudhën e ardhshme të nisin projektet që u janë premtuar qytetarëve“, tha Karapetrov.

Muzafer Etemi,
Muzafer Etemi,

Muzafer Etemi, këshilltar nga ASh thotë se institucioni komune ka qene ne gjendje “kome” dhe tani po jep shenjat e para se mund te ringjallet.

“Si duket i është ndërprere hovi krimit të organizuar, mafias politike si dhe bandave të haraçit. Nuk është aspak e lehtë këtë katrahurë ta vësh në binare. Ne si këshilltarë te Aleancës për Shqiptaret, që jemi pjesë e shumicës në këshill, mendojmë se në këtë 100 ditësh ka ngecje, sidomos në disa ndërmarrje, por se gjërat kanë filluar të ndryshojnë kjo është e dukshme. Konkretisht qyteti po frymon pak më lirshëm sa i përket mbeturinave si dhe komunikacionit dhe kjo na bën të kuptojmë se punët kanë nis të shkojnë në drejtim pozitiv”, tha Etemi.

Se çfarë realizoi dhe nuk realizoi Kasami për 100 ditë mund t’i gjeni KËTU.

Ndryshe, Këshilli i Komunës së Tetovës ka 31 këshilltarë prej të cilëve pjesë e shumicës janë Lëvizja Besa, VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe Më mirë për Tetovën. Kurse në opozitë janë BDI, LSDM, PDSH dhe Alternativa. Dje në këshill një nga këshilltaret e BDI-së u pa të votonte ndryshe prej kolegëve të saj partiak, për këtë kreu i këshillit komunal Besar Durmishi tha se shumica vazhdimisht do të rritet, ndërsa koordinatori i këshilltarëve të BDI-së tha se e respektojnë mendimin ndryshe dhe se do të shqyrtojnë arsyet nëse kjo ka qenë përkrahje momentale, ku do të shohin për të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button