Osmani: Diplomatët tanë dhe disa qytetarë në Kiev janë strehuar, po mundohemi t’i evakuojmë

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në konferencën e sotme për media me rastin e vizitës së homologut të tij serb, Nikolla Selakoviq, deklaroi se është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Kiev, si dhe me qytetarët tanë që po tentojnë të largohen nga Ukraina, transmeton Portalb.mk.

“Jemi në komunikim me ambasadën tonë. Për fat të keq, situata nuk është e mirë, veçanërisht në Kiev. Ambasadori dhe diplomati dhe dy shtetas të tjerë që ndodhen në ambasadë, pjesën më të madhe të ditës e kalojnë të fshehur dhe jo në ambasadë. Nuk mund të shkojnë në banesat e tyre. Ata kanë fjetur në ambasadë. Ne po përpiqemi t’i evakuojmë. Kam pasur kontakte me kolegët e mi nga rajoni. Në Kiev janë rreth 20 ambasadorë nga anëtarët e BE-së, të cilët gjithashtu nuk mund të largohen. Kievi është nën rrethim, ka pasur sulme ajrore gjatë gjithë natës. Ne po marrim masa, çdo vend që do të sigurojë transportin e parë, për të çuar diplomatët tanë në Poloni. Megjithatë, ata janë në komunikim me qytetarët tanë në Ukrainë. Edhe pse ditën e djeshme pjesën më të madhe e kanë kaluar të fshehur, ata japin fleta udhëtimi. Por edhe ata që kanë marrë letra udhëtimi nuk mund të dalin jashtë”, tha Osmani.

Ministri tha gjithashtu se ka kontaktuar personalisht me një familje me një fëmijë njëvjeçar, e cila ndodhet në pjesën lindore të Ukrainës, dhe shtoi se ka edhe disa qytetarë tanë në Odesa.

“Bisedova me ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, pasi ata kanë një konsullatë në Odesa, që të mund me autobusët e tyre, me të cilët do t’i marrin qytetarët e tyre, t’i marrin edhe qytetarët tanë. Mbrëmë vonë e lidha ambasadorin tonë me konsullin e përgjithshëm bullgar në Odesa për të informuar qytetarët tanë se ku të presin. Në komunikimin e fundit që kam pasur me ambasadorin tonë, ai më tha se nuk mund të largohen nga Kievi, i cili është i rrethuar”, tha Osmani, duke shprehur shpresën se diplomatët tanë do të mund të arrijnë në Poloni gjatë ditës.

Osmani tha se askush nuk mund të parashikojë se si do të rrjedhë situata, por se anëtarët e BE-së po bëjnë plane për valët e refugjatëve. Sipas tij, për momentin nuk duhet të kemi valë refugjatësh sepse jemi larg Ukrainës, por ai nuk e hodhi posht as atë opsion.

“Nëse kjo situatë përshkallëzohet edhe më shumë, mund të ndodhë edhe një gjë e tillë”, tha Osmani.

Osmani tha se si anëtare e NATO-s i kemi të gjitha informacionet në kohë reale dhe i kemi ditur të gjitha hapat e Moskës para dy javësh, gjë që jep mundësinë për të marrë vendime të mirë-informuara, për t’u përgatitur për çdo pasojë.

Ministri përkujtoi se NATO është aleancë që kujdeset për çdo metër katror të territorit të vendeve anëtare, që do të thotë se jemi nën mbrojtjen e NATO-s, por megjithatë i marrim të gjitha masat për mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe masat tjera, për të cilat Qeveria diskutoi në javët e kaluara, ndërsa sot do të ketë seancë në të cilën do të merren masa shtesë.

Duhet të jemi shumë të kujdesshëm këtu në rajon”, tha Osmani.

Ai shtoi se kjo është arsyeja pse ka komunikime të shpeshta me faktorët rajonal për të qenë të koordinuar, ndërsa u dakorduam dhe ndamë mendimin se askush në rajon nuk dëshiron konflikt, përshkallëzim dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm në atë pjesë.

“Sigurisht që do të ketë implikime ekonomike dhe ato tashmë po ndihen, në çmimet e gazit, në çmimet e burimeve të energjisë dhe kjo do të manifestohet edhe më shumë në çmimet e produkteve të tjera, përfshirë ato ushqimore”, tha ministri i Jashtëm pas takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë.

Ndryshe, Rusia pushtimin në Ukrainë e filloi dje më 24 shkurt. Shpërthime u dëgjuan herët të mërkurën pranë kryeqytetit ukrainas të Kievit, presidenti ukrainas Volodimir Zelenskyy tha se Rusia kishte kryer sulme në infrastrukturën ushtarake dhe mbi rojet kufitare në rajonin e Donbas. Ai e ka ftuar popullatën që ta mbështet ushtrinë e cila po lufton me forcat ruse.

Sulmin ndaj Ukrainës vazhdon edhe sot. Rusia sot ka zgjeruar pushtimin në periferi të kryeqytetit Kiev pasi sulmoi vendin nga toka, deti dhe ajri një ditë më parë. Sipas shifrave të publikuara nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ushtria ruse kreu sulme ajrore në qytete dhe baza ushtarake dhe dërgoi trupa dhe tanke, që vranë 137 civilë dhe personel ushtarak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button