IN MEMORIAM akademik Luan Starova (1941-2022)

Miq të dashur,

Mbrëmë u nda nga jeta shkrimtari i madh shqiptar Luan Starova – autori i Sagës Ballkanike, të përbërë nga 20 romane monumentale me vlera të jashtëzakonshme letrare, artistike, kulturore e historike për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Në kujtim të Tij, po botojmë për ju dialogun e plotë me romansierin tash më të ndjerë, të botuar më 1914 në revistën me renome ndërkombëtare SARAJEVSKE SVESKE, Nr. 45-46.

 QUHEM LUAN STAROVA

 Fatmir Sulejmani: Cili është, në të vërtetë, Luan Starova? Ju jeni krijues atipik në hapësirat ballkanike. Në një rast keni deklaruar se shkruani duke u mbështetur kryesisht në jetën tuaj, të karakterizuar nga dallimet e shumta.

Luan Starova: Quhem Luan Starova! Vetë emri dhe mbiemri shpjegon fatin tim prej ballkanasi. Emri Luan është shqip, me gjasë është një derivat i lashtë i fjalës latinine leo, leonis, të futur në gjuhën shqipe nëpërmjet ndonjë rruge misteroze. Një profesor imi i gjuhëve romane, i intriguar me gjenezën e emrit tim, një ditë erdhi në ligjëratë me “eurekën” e vet gjuhësore: “Emri juaj është me prejardhje nga latinishtja e vjetër luca+annum (disi si një shenjt i vogël), që më vonë evoluoi në Luan!!!”

F.S.:A mbetët i kënaqur me zbulimin e profesorit?

L.S.: Natyrisht, jo! Misteri i prejardhjes nuk është zgjidhur akoma!

F.S.: Edhe mbiemri juaj Starova është i panatyrshëm, me prejardhje sllave dhe në gjininë femërore! Edhe një enigmë!

L.S.: Këtu nuk ka enigmë. Starova është një vend i vogël pranë qytetit tim të lindjes Pogradecit, në brigjet e liqenit të Ohrit, shumë afër manastirit të Shën Naumit. Është në pyetje prapashtesa, që përfaqëson identitetin shqiptar. Një pjesë e shqiptarëve kanë për mbiemra emrat e vendlindjeve, përkatësisht të krahinave (si Rugova, Presheva, Malishova etj.). Starova gjatë kohës së Perandorisë osmane ishte vend me një traditë të fortë atdhetarie, të dëshmuar pikërisht me luftërat kundër pushtetit osman. Në këtë plan dallohej paraardhësi im legjendar, prijësi i kryengritjes Sulë-Starova. Me kalimin e kohës, ky vend humbi rëndësinë e tij të mëhershme në llogari të Pogradecit. Gjatë kohës së enverizmit u bë Buçimas! Natyrisht, mbiemri mbeti i njëjti. Por kjo është diçka tjetër.

F.S.: Gjatë viteve të dyzeta të shekullit të kaluar Ju dhe familja Juaj qetë të detyruar ta braktisni Pogradecin, edhe pse keni jetuar me shekuj në këto vise. Me një anije familjare ju, prindërit Tuaj, dy vëllezërit dhe motra e kaluat kufirin dhe arritët në “bregun e azilit” të lumtur. Ju ishi më i vogli në atë “Arkë të Noes”, megjithatë, ndoshta ndërdijshëm, te Ju kanë zënë më mirë rrënjë  legjendat dhe ngjarjet mitike. Me gjasë, qysh atëherë u vendos fati i letrarit të ardhshëm?

L.S.: Ekzistonte një rrëfim sipas të cilit, diku në kufi, nën ujë, ekzistonte një kuçedër për të cilën thoshin se del nga thellësitë, sa herë që andej pari kalonte ndonjë anije dhe e tërhiqte familjen në fund të liqenit. Ne fëmijët e kapërcyem kufirin me këtë barrë në shpirt, ndërkohë që nëna jonë i lutej Zotit që të na ndihmojë.

F.S.: Kur dhe si jeni kthyer sërish në Pogradecin e lindjes, përkatësisht në Shqipëri dhe falë kujt ndodhi kjo?

L.S.: Në qytetin e lndjes jam kthyer në vitin 2003, kur, pas nismës së dyzet intelektualëve dhe shkrimtarëve, u shpalla qytetar nderi i Pogradecit. Qe kjo festa e kthimit të madh, të cilën ma mundësoi ura e letërsisë, gjashtëdhjetë vjet pas ikjes së beftë nga qyteti. Përgjatë atyre gjashtëdhjetë viteve, kufiri ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë (asokohe pjesë e Jugosllavisë), nuk ishte vetëm kufiri më hermetik në Ballkan dhe në Evropë, por edhe kufiri që preu atin e familjes sime në të dyja anët. Qytetin, shtëpinë tonë, kopshtin dhe bregun e liqenit e shihnim më shpesh në kodrinën ku gjendet edhe manastiri i Shën Naumit, nga një distancë prej disa qindra metrash. Në atë kodrinë vinin edhe prindërit e mi, vëllezërit dhe motrat, të cilët nuk u kthyen atje kurrë më. Si duket, fati përcaktoi që të kthehem vetëm unë si kronikan i historisë familjare për të rrëfyer në librat e mi pikëllimin dhe gëzimin e tye! Duke u kthyer i vetmuar në vendlindje, unë, në fakt, përjetova një lloj kthimi të sakatosur, me lot në sy, me dhembjen për ata që nuk do të kthehen kurrë atje…

F.S.: Keni studiuar gjuhën dhe letërsinë frenge në Shkup, keni magjistruar dhe doktoruar në Zagreb në fushën e letërsisë krahasimtare me temën: “Vepra e poligrafit shqiptar Faik Konicës në gjuhën frenge dhe raportet e tij me Gijom Apolinerin”, keni bërë karierë si profesor i letërsisë frenge në Universitetin Shën Qirili dhe Metodi në Shkup dhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, si të ishit pjesë e njërës prej marshutave të “azili ballkanik” të babait. Keni pasur dy misione të rëndësishme diplomatike, të parën si ambasador i Jugosllavisë në Tunis dhe në shtetin e Palestinës, kurse tjetrën gjatë viteve të nëntëdhjeta, si ambasador i parë i Republikës së Maqedonisë në France dhe si përfaqësues i përhershëm i Uneskos, ndërkohë që ishit dhe ambasador jorezident në Spanjë dhe Portugali. Udhë e pazakonshme jetësore, mbase dhe paradoksale. A mund t’i faturohet kjo fatit të panatyrshëm të azilit familjar apo diçkaje jetër?

L.S.: Jeta në azil bëhet në shenjën e fatit të të arratisurve. Asnjëherë nuk arrini në vendin dhe kohën e duhur! Ballkanasit jetojnë në azil karshi Evropës, por edhe karshi vetvetes. Në këto raporte është tipik itinerari paradoksal i azilit të piktorit kroat Josip Raçiq, i cili jetoi në dekadat e para të shekullit të kaluar dhe të cilit Mirosllav Kërlezha ia kushtoi esenë briliante “Vdekja e Josip Raçiqit”. Gjatë kohës së lulëzimit të gjenisë së tij prej piktori, ideali stetik i Raçiqit ishte impresionizmi. Por, betaja për bukën e gojës e shpie piktorin në Minhen, ku gjatë kohës punoi bakergdhendje baroku. Më në fund i buzëqeshi fati dhe me paratë e kursyera shkoi në Paris, pikërisht në kohën kur Gijoim Apolineri, bashkë me Pikason paralajmërojnë kubizmin. Josip Raçiqi një kohë pikturonte pranë Senës në stilin e një impresionisti, por, meqë s’e njihte kush, u dëshpërua dhe u vetëvra. Profesori Stanko Lasiq, në ciklin e ligjëratave të paharrueshme në Fakultetin filozofik të Zagrebit mbi Ballkanasit përpara mureve të Evropës, në paradoksin e piktorit Raçiq e shihte fatin tipik të krijuesit ballkanik. Për mua kjo ishte paradigma e vërtetë për të nisur gjurmimet pas dualizmit parisien, përkatësisht ballkanas të personalitetit dhe poligrafit shqiptar Faik Konicës (që shkruante në gjuhën shqipe dhe frënge). Ai krijoi me dy pseudonime: si Prus Bardul (Purus Brashly), në frymën e avangardës evropiane (njerëzit mendonin se pas këtij pseudonimi qëndron Alfred Zhari) dhe si Trank Spiroberg, kur shkruante për rilindjen shqiptare dhe temat ballkanike. Ismail Kadare ndërlidhet me spektrin e ideve të Faik Konicës, duke i ringjallur me sukses në romanet e tij të jashtëzakonshëm. Paradigma e azilit qe tejet produktive dhe përcaktuese edhe  në përvojën time krijuese.

F.S.: Ardhja juaj në skenën letrare shihet si rezultat i “atipikes tipike”, veçmas gjatë njëzet viteve të fundit, kur me ciklin e romaneve të Sagës ballkanike iu imponuat puplikut lexues shqiptar dhe europian. Në parathënien e romanit Tuaj “Dashuria e gjeneralit”, akademiku Gane Todorovski Ju quan “europian kompetent nga Ballkani, që shkruan vepra unikate në këto hapësira”. Në qarqet letrare në Francë, ku gjer më tani keni botuar pesë romane, Sagën Tuaj ballkanike e konsiderojnë njërën prej veprave të mëdha të letërsisë evropiane. ç’është ajo që romanet e Sagës ballkanike i bën kaq të veçanta?

L.S.: Saga ime letrare ballkanike (fjala është për 14 romane të botuara gjer më tani), e cila përmbledh jetën 100 vjeçare të një familjeje shqiptare në azil (Shqipëri, Maqedoni, Greqi, Turqi), në planin tematik përfaqëson refuzimin e romanit realist të Ballkanit të gjysmës së dytë të sh. XIX dhe XX. Protagonistët e vlerave të reja (në këtë rast shkrimtarët), nëpërmjet reminishencave të “kompleksit të Edipit” luftojnë kundër “babait të tyre”, që në instacë të fundit rezulton me sindromin e njohur  të (vetë) flijimit, me mitin e mallkimit. Në romanet realiste të kohës (post)osmane, shpesh herë, me qëllim të homogjenizimit nacional, nëpërmjet parafrazave dhe paradigmave mitike, si puna e “portës së mallkuar” stambolliane ose “pallatit të ëndrrave stambolliane”, vazhdon një lloj revnshizmi në raport me perandorinë tash më të përmbysur osmane. Ideja ime ishte që në Sagën balkanike të ngritet njeriu i mundur dhe i thjeshtë, edhe ai i Perandorisë, por edhe ai i etnive të reja të këtij purgatori ballkanik, përgjatë dy luftërave ballkanike dhe dy luftërave botërore. Nuk është e rastit që heroi kryesor i Sagës, Babai, i cili i prinë familjes së tij nëpër purgatorin e azilit ballkanik, duke ecur nëpër labirintin alkimik të dallimeve të zbutura. Nga romani në roman, nëpërmjet metaforave kyçe (mbi dhitë, ngjalat, gjuhët, jeniçerët), përpiqem ta trasoj këtë rrugë, që nuk përfundon kurrë…

F.S.: Në një intervistë keni theksuar se njëri prej shtytësve për shkrimin e Sagës ballkanike ka qenë projekti i Babait – libri i tij i mbetur në dorëshkrim: “Historia e Ballkanit nëpër rëniet e perandorive”. A bëhet fjalë vërtet për vepër të papërfunduar, të lënë për Ju si punë amaneti apo për diçka tjetër?

L.S.: Janë të rralla rajonet në Evropë dhe në botë me ndikim aq të madh të historisë si rasti i Balkanit. Këtu janë ndeshur perandoritë dhe qytetërimet, duke lënë gjurmë te njerëzit që mbeteshin këtu të mposhtur, të tjetërsuar, të kolonizuar, të asimiluar; mbeteshin si ushtarë, si viktima të përhershme, si të mposhtur përjetësisht, por dhe të ushqyer me shpresë. Shpresa e tyre, si një lule rrënoje, më së shpeshti paraqitej pas rënies, pas disfatës së një perandorie. Këtu dhe lindi ideja për gjurmimin e historisë ballkanike në kohëra rrëniesh, në momentet kur perandoria e mundur nuk mund të vazhdojë ta shkruajë historinë të cilën dikur e shkruante si fituese. Babai, që është heroi kryesor i Sagës ballkanike, e di se historinë më autentike mund ta shkruajnë vetëm të mundurit. Ai e konsideron veten si të tillë, ndërkohë që natyrshëm dhe intuitivisht bart në qenien e tij dhe në qenien e familjes totalitetin e procesit historik. Ai është i vetëdijshëm se një histori e këtillë mbetet përgjithmonë e papërfunduar. Historia e papëfunduar e tij gjendet në librat e tij, në hirin e mbetur mes faqesh, të cilin kishte harruar ta shkundë në shpuzore kur ishte duke lexuar. Këtu zuri fill “Kështjella prej hiri”, kështjella e refuzimit metafizik…

F.S.: Romanet e Sagës ballkanike (“Koha e dhive”, “Udha e ngjalave”, “Muzeu i ateizmit”, “Kurbani ballkanik”…) përmbajnë metaforën e flijimit, e cila, siç duket, te shqiptarët dhe Ballkanasit ka dimensionin e sindroimit. Prej nga vjen ky inspirim?

L.S.:Fenomeni i flijimit e ndjek njeriun dhe njerëzimin që nga fazat e hershme të evolucionit të tyre. I përballur me joplotninë dhe jopërkryerjen e vet përgjatë evolucionit dhe me pamposhtshmërinë e fuqive natyrore, njeriu që nga fillimet e vetëdijësimit të tij anoi nga fuqitë mitike për ta zbutur disi natyrën, përkatësisht perënditë – nëpërmjet flijimeve turlifare, fillimisht flijimeve naive dhe banale, e më vonë edhe flijimeve të përgjakshme që nënkuptojnë marrjen e shpirtërave njerëzorë, përfshirë këtu edhe flijimet masovike të bëra në emër të idealit të paarritshëm…

Në romanet e sipërpërmendura të Sagës ballkanike, tema e flijimit është konstante, kurse romani “Kurbani ballkanik” (në botimin italisht – “Sacrificio balkaniko”, në maqedonisht “Balkanski žrtven jarec”) është tërësisht në shenjën e sindromit të flijimit – nga periudha parahistorike, gjer në kohët me të reja…

Në këto hapësira ku dominon izolimi i popujve, të cilët janë larg e jashtë komunikimit qytetërues, është më e theksuar prirja për t’u flijuar, si ikje prej vështirësive me të cilat ballafaqohet popullata. Mund, pra, të ndodhë edhe një izolim i tillë politik, mbyllja hermetike e kufijve të një vendi, që nëpërmjet ndikimit të ideologjisë moniste të detyrohet gjithë populli të (vetë)flijohet gati gjer në zhbërje, gjoja për qëllime madhore. Në kuptimin religjioz flijimi nxitej për shkak të jetës më të mirë në botën tjetër, kurse sipas imperastiveve të këtushme ideoogjike – për realizimin e idealeve komuniste. Për këtë lloj flijimi flitet në romanin “Muzeu i ateizmit”, të mbështetur në një ngjarje të vërtetë në vitin 1979 në Shqipëri.

Në romanet “Koha e dhive” dhe “Udha e ngjalave”, rrëfimi mbi flijimin mbështetet në një matricë tjetër ideologjike, por në një kohë tjetër dhe në kushte të tjera, kur nuk ishim larg sindromit ballkanik të (vetë)shkatërrimit. Në romanin “Kurbani ballkanik”, flitet për konfliktin e një fisi të stërlashtë (të mbetur brenda një krateri të tharë të periudhës së neoiltit, ku praktikohet kulti i flijimit të cjapit) dhe qytetërimit evropian. Ky konflikt nis me aterimin e rastësishëm të një helikopteri në kraterin e shuar, që kishte për obligim të dërgojë ndihma humanitare viktimave të luftërave vëllavrasëse në Jugosllavi. Edhe kësaj herë historia e Ballkanit nuk ndalon së zhvilluari nën shenjën e paradokseve të mëdha. Ajo nxit viktima dhe flijime, të njohura e të panjohura, individuale e kolektive…

F.S.: Raporti ndërmjet letërsisë dhe jetës reale (fikcionit dhe faktografisë) ekziston një kohë të gjatë dhe akoma ka mbetur pa përgjigjen e saktë, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Si e shihni këtë raport në kontekstin e Sagës suaj ballkanike?

L.S.: Fenomeni i rrëfimit është shenjë e njerëzimit që nga kohërat më të lashta e gjer në ditët e sotme. Njeriu ka shpëtuar duke rrëfyer, ka transcedentuar epoka të tëra. Rrëfimi qysh para mijëra vitesh praktikohej nëpërmjet pikturave në shpellat e gurit, para tre mijë vitesh nëpërmjet shkrimit kujnor, pastaj pasoi galaksia e Gutembergut gjer në fjalën e shkruar të qytetërimit të sotëm elektronik.

Në të gjitha periudhat: fikcioni, imagjinata, memorja mitike, autofikcioni – janë ndeshur me faktografiken, ngjarjet, jetën. Në dallim nga historiani, shkrimtari e vë veten para detyrës alkimike për të qenë arbitri suprem i dy sferave: fikcionit dhe faktografikes. Ai qeveris me proceset (duke përfshirë këtu dhe historinë), madje, për arritjen e të vërtetës, ato i vështron në tërësi. Saga ballkanike lidhet me jetën e një familjeje, përgjatë një shekulli. Në shikim të parë duket sikur është fjala për një biografi të rëndomtë, si mijëra  të tjera. Por, duke pasur parasysh fatin azilant të familjes, kurthet ideologjike të regjimeve të ndryshme, kufijtë e ndryshueshëm, identitetet e ndërlikuara në kuadër të të cilëve mbeten të pandara raportet ndërmjet fetares dhe kombëtares, laicizimit të ngadalshëm, betejave ushtarake ballkanike e botërore – saga familjare bëhet e ndërlikuar dhe e paparashikueshme.

Animi nga fikcioni dhe imagjinata e hapësirave të zbrazura të memorjes në këtë rast nuk paraqet zgjidhje të rastësishme të autorit, sepse është fjala për premisat e fuqishme të realitetit, që paraqesin provokime të fuqishme në të cilët mbështetet saga ime ballkanike.

F.S.: Njëri prej mendimtarëve të mëdhenj të kohës sonë, Edgar Moreni, autori i parathënieve të veprave Tuaja – “Koha e dhive” dhe “Bregu i azilit”, zbulon në to dy fytyra të Ballkanit: fytyrën enigmatike të së shkuarës, si sinonim konfliktesh, por edhe fytyrën e bashkëjetesës, dashurisë, mirëkuptimit dhe afrisë ndërmjet njërëzve. A pajtoheni me konstatimet e tij?

L.S.: Edgar Moreni dhe unë lidhëm “paktin e vëllazërisë ballkanike” qysh në vitin 1990. Këtë e bëmë diku në afërsi të manastirit Shën Naum, në kufirin e sotëm ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë. Manastiri ishte njësoj i afërt për popullatën e krishterë dhe atë muslimane, veçanërisht për paraardhësit e mi.

Edgar Moreni, pasardhës i Safardëve nga Selaniku, bir i familjes refugjatë, i lindur në Francë nga babai Vidal Na(h)umi, ardhjen në Shën Naum e shpalli si pelegrinazh të tijin. Ballkanizmi, njësoj si mediteranizmi, mund të kuptohet si një përkatësi e përbashkët identitare e llojit të vet. Përndryshe, Edgar Moreni ka shkruar veprën fundamentale filozofike mbi njohjen e njeriut dhe të ardhmes së tij (duke ecur hapave të Fukosë, Strisit dhe mendjeve të tjera të ndritura franceze), në kërkim të barazpeshës ndërmjet shkencave shoqërore dhe nayrore, duke ndërtuar ura ndërmjet dy brigjeve në të cilat lëviz mbijetesa jerëzore…

F.S.: Markesi thotë “Në cilëndo pjesë të botës të gjendem, unë e shkruaj gjithnjë romanin kolumbian, latino-amerikan”! Ju jeni shkrimtar shqiptar që një pjesë të romaneve Tuaja e keni shkruajtur në gjuhën maqedonase. Sipas mendimit Tuaj, ç’është ajo që e bën një vepër t’i takojë një kulture nacionale/etnike: gjuha, tema, personazhet, bota e shpërfaqur në atë vepër…?

L.S.: Secili autor është fati i vetvetes. Nuk ekziston përkatësi e pastër ideale! Fenomeni nacional-etnik ka qenë gjenerator i letërsive nacionale në periudhën e krijimit të shteteve kombe, veçmas në periudhën e rilindjes. Përgjatë një periudheje tjetër letërsia u mposht prej imperativeve nacionale të letërsive ballkanike.

Gjatë periudhës së realizmit socialist letërsia u bë ideologjikisht nacionale. Autorët i përmbaheshin rreptësisht këtij “izolimi të imponuar”. Sot kur më nuk ekzistojnë kufijtë e dikurshëm, dominojnë përcaktimet multikulturore dhe intertekstuale. Megjithatë, autori gjer në fund të jetës së tij mbetet në thelb i lidhur për gjuhën e tij amtare, kurse kjo gjendje parake mbetet edhe atëherë kur shkruan në gjuhë tjetër.

Është e vërtetë një pjesë e romaneve të Sagës ballkanike, që trajtojnë par excellence temat shqiptare, janë shkruar në gjuhën maqedonase, gjuhën e shkollimit tim fillor dhe të mesëm. Në rastin tim, kur shkruaj në gjuhën maqedonase, në tekst ndjehet struktura trupore e prezencës së nënës, por edhe kur shkruaj në gjuhën shqipe, gjatë gjithë kohës frikësohem të mos e dëshpëroj gjuhën amtare. Kjo sigurisht është drama e qëndresës multikulturore. Në këtë pikë nuk jam shembulli i vetëm në letërsinë e pasur disashekullore shqiptare.

Klasiku shqiptar i Rilindjes dhe romantizmit të hershëm europian, arbëreshi Jeronim de Rada, që u shkollua në gjuhën italiane dhe u bë i famshëm me poemën e tij “Këngët e Milosaos”, të shkruar në të folmen arbëreshe, me tekst paralel në gjuhën italiane, arriti ta kodifiojë gjuhën shqipe para se të ndodhte kjo në Shqipëri.

Në rastin tim nuk ka ekzistuar paraprakisht ndonjë strategji e caktuar, por thjesht i kam mbetur besnik situatës dhe fatit tim. Vallë kjo nuk mund të jetë letërsi?

F.S.: Ka shkrimtarë (Kadareja, Markesi…) që ikin nga vendi i tyre dhe shkojnë të shkruajnë në vende të tjera, ku kërkojnë qetësinsë e nevojshme për inspirim, liri më të madhe… Ju gjithashtu bëni pjesë në mesin e autorëve të cilët i kanë dyert e hapura të botës. A mendoni se do të mund të shkruanit më mirë po të kishit jetuar larg Ballkanit?

L.S.: Poeti dhe miku im i madh francez Ezhen Gilvik, që i takon gjeneratës së Kenosë, Folenës, Preverit, Frenosë…, thoshte se për të është më mbresëlënës një udhëtim përreth një guraleci bregdetar se sa shkuarja në Indi. Edgar Moreni, bie fjala, ka një shtëpizë në Toskanë, nën një mal që ngrihet drejt Alpeve. Kur shkruan atij i bëhet sikur ngjitet në maje të kodrës!

Shkrimi është akt personal. Për mua nuk janë shterrur gjithë fshehtësitë ballkanike dhe mundësitë për të shkruar për to. Unë, për shembull, më me qejf do të jetoja atje ku kanë jetuar heronjtë e Sagës sime, veçmas në Shqipëri, Turqi, Greqi dhe më tej në diasporë. Nga Shqipëria e lindjes (Pogradeci) më ka ndarë pesëdhjetë vjet kufiri i mbyllur hermetikisht, kufiri që ndau dhe familjen time. E vetmja mënyrë për të bashkuar sërish familjen ishte letërsia. Ai kufi ideologjik ishte më i fortë se gjithçka tjetër, ai kufi ndau një popull të tërë, familje të tëra…

Pas shembjes së stalinizmit enverian, shkova në Pogradecin e lindjes, por aty më nuk i gjeta njerëzit e brezit të e familjes për të cilët kam menduar gjatë gjithë jetës. Më të moshuarit (gjyshi, axhallarët…) kishin mbetur madje dhe pa varrre… “Gjallë” kishte mbetur vetëm varri i gjyshes sime nga ana e babait, Hazbija me origjinë turke (kushërirë e Ali Fethi Okijari-it, kryeministrit të parë në qeverinë e Mustafa Kemal Ataturk-ut).

Te varri i gjyshes më dërgoi kushërira ime Rukija, tetëdhjetë e tri vjeçarja e vetme që kishte mbetur nga gjenerata e saj. Gjersa po shkonim drejt varrezave të Korçës, ajo më rrëfente për ditët e fundit të gjyshes Hazbije, e cila, pas një operacioni të veshkës në Tiranë, ishte vendosur në Korçë. Asokohe desha të rri edhe shumë ditë pranë motrës sime Rukijes, për t’ma dhuruar kohën e gjyshes Hazbije që e kisha kërkuar gjatë. Pas kësaj kam dashur (dua akoma) të qëndroj në Turqi, të ndjek hapat e familjes sime të vërtetë, por të familjes sime letrare, të ecë rrugëve pa fund të pjesëtarëve të familjes sime nga ana e nënës dhe ajo e babait. Doja të qëndroj në kohën e tyre të humbur e të rigjetur pastaj…

F.S.: Diku keni thënë: ”Me ato pak fjalë që më vijnë nganjëherë përpiqem ta rikrijoj historinë e familjes sime, e cila është njëkohësisht historia pesëdhjetëvjeçare e Ballkanit, nga 1929 gjer në vitin 1976”. A ekziston vërtet diçka e veçantë në historinë e familjes Suaj që mund të përfaqësojë një pjesë të historisë së Ballkanit?

L.S.: Në Ballkanin e njohur si qendër betejash qytetëruese e ushtarake, luftëtarësh dhe ushtrishë të ardhura nga të gjitha anët e botës, familja mbetej prore Piemont i  pamposhtur, kështjellë mbrojtëse, shpresë qëndrese. Në Ballkan, si rrallë në ndonjë vend tjetër në hapësirat evropiane, madje edhe në kohërat moderne, familja nuk është shpërndarë, pavarësisht gjendjeve të vështira sociale e ekonomike. Dhe kur ndodhnin shpërnguljet e pakthim në vise të largëta, nga Ballkani iknin familje të tëra. Shi për këtë, fati i një familjeje të vjetër ballkanase ruan brenda memorjes së vet mboshtjen e historisë së imponuar nga të tjerët. Pikërisht fati i familjes sime – e cila kishte shumë fëmijë dhe ishte e detyruar që ta shkulë me rrënjë jetën e shumë brezave pranë liqenit idilik të Ohrit duke kaluar kufirin apokaliptik të kohës ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë (si pjesë e Jugosllavisë së dikurshme), për t’u përballur me mbijetesën në vendin e egzilit – në fund më bëri që të jem “kronikan” i memorjes familjare. Unë akoma kërkoj përgjigjen e pyetjes se sa i ka borxh kjo familje historisë ballkanike dhe sa borxh ka historia ndaj familjes sime…

F.S.: Keni shkruar më shumë se 3500 faqe të Sagës ballkanike, siç thoni shpesh, duke u mbështetur në fatin e familjes suaj. Në qendër të kësaj epopeje narrative, të rrallë në letërsinë ballkanike dhe evropiane, është figura e Babait, i cili jetoi në katër regjime të ndryshme ballkanike. Falë studimeve të kryera për kadi në Stamboll, ai me familjen e tij i mbijetoi monarkizmit fashist në Shqipëri, pastaj edhe vetëqeverisjes staliniste në Jugosllavi. E keni ndjekur familjen tuaj në periudhën e totalitarizmit, për të cilin përpara jush kanë shkruar me shumë sukses Kadareja, Kundera, Shollzhenjicini. Duket gati e pamundur që një krijues të fitojë një autoritet aq të fuqishëm ndërkombëtar duke shkruar për tema të trajtuara paraprakisht nga kolosët e përmendur. Sipas kritikës letrare parisiene, me veprat tuaja, që llogariten ndër romanet e mëdha evropiane, keni arritur që në mënyrë autentike të dëshmoni për shpirtin e trazuar ballkanik…

L.S.: Kur e kam nisur Sagën ballkanike, as në ëndërr nuk kam mundur të parashikoj se do të kaloj një rrugë aq të gjatë e të madhe, duke ndjekur me penë rrëfimin jetësor të një njeriu dhe familjes së tij nëpër historinë e trazuar, të paparashikueshme dhe të shqetësuar ballkanike. Në një rrugë të tillë, më duket se mund të të shpie vetëm letërsia.

Në letërsi nuk shtërrojnë kurrë gjërat, veçanërisht kur të kihet parasysh e vërteta se në thebin e saj letërsia është vetë jeta, përkatësisht, se, së shpeshti, shkruhet me vetë jetën. Unë nuk jam i thirrur që në emër të krijimtarisë sime letrare të krijoj “listën” e krimeve të totalitarizmit, as të shkruaj për deportimet dhe llogoret, persekutimet dhe dhunën. Thjesht, iu dorëzova itinetarit të Babait dhe familjes, në njërin prej shekujve më të përgjakshëm të historisë së trazuar të Ballkanit.

Në romanet e mia loja e metaforave, veçmas ajo e metaforave globale që kanë të bëjnë me fatin, nuk është aq në funksion të iluminizmit estetik, sa në funksionin e katarzës etike. Kur Fajari-i botoi librat e mi të parë në frëngjishte, shkrimtari frëng dhe miku im Robert Male (të cilin De Goli, pas ngjarjeve të vitit 1968, e emëroi rektor), më tha se prej autorëve të Ballkanit nuk pret që të shkruajmë për realitetin tonë, siç veproi Marsel Prusti, por që me një stil të qartë dhe të pranueshëm “nënvizojmë dallimet”, të cilat do të ndërlidheshin me letërsinë evropiane, me lëtërsinë përgjithësisht…

F.S.: Te “Librat e Babait”, por jo vetëm aty, ju shkruani për jeniçerët dhe jeniçerizmin dhe paralajmëroni romanin që do t’i kushtohet tërësisht kësaj problematike. Këtë fenomen njerëzit e ndërlidhin kryekëput me Perandorinë osmane. Në paraqitjet tuaja publike keni folur për shumëdimensionalitetin e jeniçerizmit, madje edhe për “jeniçerizmin intelektual”. A mund të shpjegoni disa detaje të fenomenit në fjalë?

L.S.: Instrumentalizimi i tjetrit, më së shpeshti për qëllime lufte, nëpërmjet asimilimit, përkatësisht humbjes së identitetit, ekziston qysh herët, shumë përpara Perandorisë osmane. Ajo haset edhe në Përandorinë romake (garda pretoriane), në Perandorinë bizantine e Ruse, në Andaluzi, Egjipi, Indi etj. Për shkak të antagonizmave dhe dallimeve fisnore që nga koha e Perandorisë romake e bizatine, Ballkani ishte vendi i përshtatshëm, që sulltan Orhanit të dytë (1334), përkatësisht Perandorisë pushtuese osmane, ia lejoi krijimin e ushtrisë së parë jeniçere (trqisht Yeni çeri dmth. Policia e re), të përbërë kryesisht prej fëmijëve të krishterë, të cilët u zunë rob ose u rekrutuan dhunshëm (nga një nga pesë fëmijët në familje), sipas ligjit të asokohshëm osman defshirmesë.

Pas konvertimit të detyrueshëm në islam, ata bëheshin pjesëtarë të ushtrisë osmane, kurse vinin pej gjithë familjeve të krishtera ballkanike (greke, bullgare, serbe, shqiptare, bullgare, rumune etj.), si dhe nga familjet jashtë Ballkanit (polake, ukrainase, hungareze, ermine, ruse…). Në memorjen evropiane, jeniçerët kujtohen për brutalitetin e tyre, dhunën dhe terrorin, për ndikimin që patën në forcimin e Perandorisë osmane. Ata ishin instrumenti kryesor i pushtimeve osmane. Fundi i jeniçerizmit shënoi dhe fillimin e fundit të Perandorisë osmane.

Në opusin tim letrar tema e jeniçerizmit është e përhershme (në romanet “Librat e Babait”, “Koha e dhive”, “Udha e ngjalave”, “Kështjella rej hiri”…), kurse tash e tridhjetë vjet po mbledh material dhe planifikoj të shkruaj një roman të plotë antropologjik me temën  jeniçerëve të Ballkanit. Romani në fjalë do të mbështetet në tezën se të gjithë popujt e Ballkanit e kanë kaluar fazën e jeniçerizmit, se të gjithë, më herët apo më vonë, kanë qenë të shënuar me kodin e përbashkët të jeniçerizmit. Në Perandorinë osmane institucioni i jeniçerizmit ishte instrumenti i pazëvendësueshëm i pushtetit dhe jetëgjatësisë së dinastisë pushtetare. Prej 26 vezirëve të mëdhenj me prejardhje të njohur, 11 ishin shqiptarë, 6 grekë dhe të tjerë dhe vetëm 5 turqë. Jeniçerizmi si sistmem e mbronte sulltanin, krijonte elitën e përkryer dhe besnike dhe paraqiste instrument të fuqishëm të pushtetit të centralizuar dhe homogjen të Ballkanit. Me kalimin e kohës jeniçerizmi u shndërrua në një forcë të trishtueshme, në një organizëm  që përfshiu gjithë poret e Perandorisë. Kësisoj jeniçerizmi kaloi nga forca në antiforcë.

Jeniçerët nuk u dëshmuan vetëm në fushën e betejave, por nisën të shtrijnë pushtetin edhe mbi vetë Perandorinë. Kjo qe faza e “jeniçerizmit intelektual” në Perandori. Jeiçerizmi mori fund në vitin 1826, kur e përjetoi fundin tragjik, por jeniçerizmi mbeti prezent si fenomen jo vetëm në Ballkan dhe në hapësirat e pushtuara nga Perandoria osmane, po edhe më gjerë në Evropë. Nuk është e rastit që në enciklopedinë e Emil Litresë, shpjegimi bashëkohor i fjalës jeniçer është: satelit i një fuqie të madhe që zbaton urdhërat e saj!

Në romanin tim me titullin punues “Jeniçerët”, bëhet fjalë për personazhin, fati modern i jeniçerizmit të të cilit ndodh në gjysmën e dytë të shekullit XX, në relacioin Ballkani – Turqia, me retrospektivën plotësuese të jeniçerit dhe jeniçerizmit…

F.S.: Saga ballkanike është homazh i Babait të kudondodhshëm dhe kjo është ndoshta vepra e parë e këtij lloji në letërsinë tonë dhe më gjerë, me nëntekstin e gjurmimit të historisë njëqindvjeçare të një familjeje shqiptare. Pas 3500 faqeve të shkruara, a ka mbetur akoma diçka për t’u thënë?

L.S.: Për mua shkrimi është vetë jeta. Esteti francez i simbolizmit Remi De Gurmoni (mik i Apolinerit) ka thënë me të drejtë se dutet të shkruhet me vetë jetën. Rober Male thekson se të gjithë ne kemi vetëm një atdhe: jetën. Ndaj dhe unë do ta shkruaj Sagën ballkanike gjersa të zgjasë jeta mie. Saga është projekt i hapur: gjithë veprat i karakterizon matrica e sistemit të metaforave – besnike ndaj jetës.

Gjatë kohës po preokupohem me mëtaforën e gjuhëve ballkanike. Duke nisur që nga mikro-plani në “Librat e Babait”, gjer te makro-plani në “Balkanbabilonasit” – është primare metafora e gjuhëve, përkatësisht e huazimeve turke nga gjuhët e Ballkanit. Është e njohur se gjuhëtarët pëfaqësojnë tezën mbi lidhjen e gjuhëve ballkanike, përkatësisht mbi ndërlidhjen e tyre stukturore. Kjo lidhje është akoma më e madhe në sferët tjera të jetës së përbashkët. Gjuhëtarët autodidaktë, Babai dhe K. K. (Kliment Kamilski te “Librat e Babait”), “I pastrojnë” gjuhët e tyre amare prej turqizmave të (pa)rrezikshme. Në fund e kuptojnë se misioni i tyre është i parëndësishëm, sepse i demantoi jeta. Mbeti vetëm lista e tyre prej njëqind osmanizmave të (pa)rrezikshme në gjuhët ballkanike.

Romanet që do të pasojnë më vonë do të varen nga Zoti…

F.S.: Duke studiuar letërsinë Tuaj, mund të konstatojmë se temat që i trajtoni, përveçse me fatin e familjes lidhen edhe me portretimin e vetë autorit (natyrisht, fjala është për autoportretin tuaj), që gjithsesi shndërrohet në personazh që krijon personazhe. Për mua i biri autor është reinkarnim i Babait, ai që e vazhdon misionin e jetës së tij me qëllim që nëpërmjet betejës së madhe të mbrohet identiteti i familjes. Ai është dikush që duhet të realizojë ëndrrat, të realizojë shpresat dhe idealet e Babait. A ju duket i drejtë ky gjykim mbi veprën Tuaj?

L.S.: Gjatë përvojës sime gjysëmshekulore letrare jam preokupuar prore me studime letrare ose me zhanret e mëdha letrare, sindromin ose mitin e ndërprerjeve ballkanike, me diskontinuitetet ballkanike, të kundruar nga perspektiva më e gjerë e qytetëruese, kulturore e letrare. Në mënyrë krejt të natyrshme, në kontinuitetin familjar (gjatë një shekulli) brenda horizontit tim është përfshirë pesëdhjetëvjetëshi i gjysmës së parë të shekullit XX dhe jeta e Babait tim, kurse në pesëdhjetëvjetëshin tjetër të shekullit XX edhe jeta ime. Brenda kësaj hapësire është ndërthurur gjithë gjurimi im, kurse Librat e Babait janë simboli i kontinuitetit.

F.S.: Jeni autor i romanit serik, përkatësisht i romanit lumë, i cili sot është i rrallë në letërsinë ballkanike dhe evropiane. Megjithatë, çdo roman i Juaj mund të lexohet edhe si i vetëm, edhe pse është i lidhur me të tjerët, shpesh edhe derdhet në ndonjë roman tjetër. Jeni dhe autor i dy romaneve (“Ambasadat” dhe “Ambasadat e reja”), që kanë për temë misionin Tuaj diplomatik. E keni shkruar edhe romanin epistolar “Në kërkim të Helen Lejbovicit”, kushtuar lexueses së panjohur të katër romaneve Tuaj të parë të botuar në Francë, kurse më pastaj edhe romanin “Dashuria e gjeneralit” , që bën fjalë për jetën e familjes në kohën e Luftë së madhe. Si keni arritur që gjithë temat relevante historike të këtij shekulli t’i bëni pjesë të kronikës së familjes Suaj?

L.S.: Prusti kishte të drejtë kur thoshte se koha e humbur mund të gjendet vetëm në kuadër të një vepre të plotë dhe të përkryer letrare, edhe atë vetëm si një kohë tjetër, përkatësisht si kohë e zbuluar. Gjithkush ka mundësi të gjurmojë pas kohës së tij.

Përndryshe, simfonia epistolare me lexuesen franceze Helen Lejbovic zgjati më pak se tri vjet. Si lexuese e jashtëzakonshme e katër romaneve të Sagës ballkanike të botuara në shtëpinë prestigjioze botuese FAJAR të Francës (“Librat e Babait”, “Koha e dhive”, “Muzeu i ateizmit” dhe “Bregu i azilit”), ajo u identifikua gjer në atë shkallë me personazhet e Sagës (veçmas me heroin kryesor Babain), sa e rishkroi Sagën ballkanike në njëqind letrat e saj (krahas përgjigjeve të mia). Në fund, ashtu si u shfaq, ashtu edhe iku nga Saga, duke më shkruar nga shtrati I saj i vdekjes:

“Nga vendi në të cilin ndodhem, dëshiroj që shkëlqimi i kësaj nate kërshëndellash t’Ju sjellë qetësi dhe gëzim… Mos u hidhëroni për shkak të heshtjes sime dhe mos kërkoni shkaqet e saj. Unë nuk Ju skkruaj vetë, po letrën e diktoj dhe gjatë kësaj diçka e çuditshme më dëtyron të mendoj për Ju. Më duket se e shoh një engjëll, i cili, pasi i ka palosur krahët e tij të mëdhenj, i ka mbështetur miqësisht mbi shpatullat Tuaja për t’ua ndriçuar faqen në të cilën vazhdoni të shkruani Sagën Tuaj ballkanike (24 dhjetor 2002)“.

Duke mos pasur fat ta takoj sa qe gjallë dhe ta njoh fatin e saj, për mua mbetet sadisfaksioni më i madh e dhëna se ajo vazhdon të jetojë si pjesë e Sagës sime ballkanike në romanin epistolar “Në kërim të Helen Lejbovicit”.

F.S.: Kam përshtypjen se Ju u keni mbetur përjetësisht besnik miqësive që i kujtoni edhe në Sagën ballkanike. Qysh në vitin 1971, libri Juaj i parë me udhëpërshkrime titullohej “Njerëz dhe ura” (me të fituat çmimin e qytetit të Shkupit), vazhduat rrugën me librin voluminoz “Miqtë”, për të shkruar më pas librin me ese “Afrime” (me të cilin fituat çmimin “11 Tetori”), pastaj studimin mbi Faik Konicën dhe romanet e Sagës ballkanike. Përshtypje të veçantë lënë miqësitë që e kanë pasuruar jetën Tuaj prej gazetari, shkrimtari, përkthyesi dhe diplomati. Në këtë kuadër është shumë i rëndësishëm romani Juaj “Ambasadat e reja”, në të cilin përshkruhet miqësia me mendimtarin e mirënjohur të kohës sonë Edgar Morenin, si dhe me disa shkrimarë të tjerë të mëdhenj të letërsisë frenge, si: Andre Freno (prej tij keni përkthyer nga frëngjishtja në gjuhën shqipe përmbledhjen poetike), Robert Male, Ezhen Gilvik (poezitë e të cilit gjithashtu i keni përkthyer nga frëngjishtja në gjuhën shqipe). Romani shpërfaq dhe raportet Tuaja diplomatike me Fransoa Miteranin, Zhak Shirakun, Filip Segenin, Robert Badenterin, Lionel Zhospenin dhe letërkëmbimet me disa personalitete të larta të jetës shoqërore e kulturore franceze…

L.S.: Duke shkruar me vetë jetën, rrugës kam takuar shumë miq, që gjatë rinisë, u bënë pjesë imja. Kohën e gazetarisë e shënon miqësia me tregimtarin dhe romansierin Zhivko Çingo, i cili gjatë viteve të 60-ta më njoftoi me kritikun e madh shqiptar, sot akademikun, Ali Aliun, që gjithashtu më njoftoi me disa krijues të gjeneratës së tij nga Kosova, si: Ali Podrimja, Fahredin Gunga, Azem Shkreli, Rahman Dedaj, Anton Pashku (veprat e këtyre krijuesve i kam përkthyer nga gjuha shqipe në maqedonishte). Ali Aliu më ka njoftuar edhe me shumë shkrimtarë e poetë nga Shqipëria, si: Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Visar Zhiti, Zija Çela etj. Miqësitë e mia me letrarë u pasuruan në kohën e studimeve pasuniversitare në Zagreb dhe përgatitjes së doktoraturës. Prej kësaj periudhe mbeti miqësia me eseistin e kalibrit evropian Predrag Matvejeviqin, mentorin e disertacionit tim; e fortë qe dhe miqësia me kolegun romansier dhe ambassador, Nikolla Kovaçin, me të cilin kemi ndarë ditët e jashtëzakoshme të misionit tonë në Paris; këtu bëjnë pjesë edhe takimet në Strugë dhe Paris me Izet Sarajliqin, miqësia me përkthyesin dhe njeriun e jashtëzakonshëm Mato Marosin, me poetin slloven Tomash Shalamunon, i cili, në takimin tonë të parë në Sarajevë, deklaroi: “Ne shkrimtarët kemi heshtur të gjithë kur u la në gjak atdheu i përbashkët…”

F.S.: Romanin e parë të Sagës (“Librat e babait”) e keni shkruajtur në moshën 52 vjeçare, në një kohë kur shumë shkrimtarë të tjerë nisin ta rrumbullakësojnë opusin e tyre krijues. Para kësaj kohe keni botuar shumë studime letrare, ese, udhëpërshkrime… Romanin “Koha e dhive” e keni shkruajtur, pothuajse, me një frymë të vetme, përkatësisht për një muaj. Siç duket, romanet i keni shkruar gjatë kohë brenda vetes?

L.S.: Jeta dhe vepra ime letrare nuk kanë mundur t’i shmangen lojës së paradokseve. Përmbajtja e romanit “Koha e dhive” është fermentuar që nga koha e djalërisë, për të kulminuar në vitet e mëvonshme të jetës dhe kjo ndodh edhe me romanet tjerë të Sagës ballkanike…

Këtë fat e ka dhe romani im i adhshëm “Polifonistët” (në revistën prestigjioze “Sarajevske sveske” tani më është botuar një shkrim i shkurtë me këtë titull). Kënga polifonike është forma më e vjetër e shprehjes vokalo-muzikore e shqiptarëve. Këndimi kasik i polifonisë ka qenë zakonisht dyzërësh dhe trezërësh, e kanë kultivuar edhe popujt e vjetër të mediteranit, në radhë të parë korsikanët, grekët e vjetër. Shqiptarët janë ndoshta të vetmit në botë që e kanë praktikuar edhe këngën polifonike katërzërëshe. Këtë lloj këndimi e bart si himn ekzili edhe familja ime e Sagës ballkanike.

F.S.: Vokacioni juaj i vërtetë është narracioni, por keni shkruar edhe një përmbledhje poetike me titullin “Kartagjena e pamposhtur” (Prishtinë, 1991), e cila është botuar edhe në gjuhën frenge (“Poèmes de Carthages”) me parathënie të Adonisit. Për poezitë Tuaja kanë shkruar edhe  Fatos Arapi, Gane Todorovski, Mateja Matevski dhe disa të tjerë. Gjatë kohës së ngjarjeve tragjike në Kosovë (1991), kur u ndërpre me dhunë veprimtaria e Rilindjes, tirazhi i veprës suaj, bashkë me shumë botime të tjera, u shkatërrua. Përse e keni ndërprerë shkrimin e poezive pas kritikave shumë pozitive të shkruara nga njohës kulmimantë të letërsisë?

L.S.: Poezitë e Katagjenës… burojnë pikërisht nga historia e njohur e historisë romake dhe mediterane. Kam shkruajtur për Kartegjenën time intime personale, të cilës i kanoset rreziku i shkatërrimit prej një fuqie të madhe e të panjohur, prej një perandorie të paparashikueshme, nga invadimi i disa barbarëve të rinj. E kam përplotësuar gjatë kohë matricën e njëjtë dhe kam vazhduar të shkruaj poezi – brenda vetes – të cilat ndoshta një ditë do t’u bashkangjiten poezive tani më të botuara…

F.S.: A e ndjek dikush prej fëmijëve Tuaj rrugën e letërsisë, përkatësisht, a do ta vazhdojë dikush Sagën Tuaj ballkanike?

L.S.: Unë jam baba i tri vajzave: Blerinës (që është e ëma e Fjollës dhe Arditit), Jetës (që së shpejti pret të bëhet nënë) dhe Ditës (nënës së Arbrit). Blerina i është përkushtuar shkencave filologjike, ajo ka doktoruar për letërsinë italiane dhe është përkthyese ndërkombëtare. E bija e saj Fjolla i flet shtatë gjuhë (ndërmjet tyre dhe greqishten). Jeta është docente e flautës në Fakultetin pedagogjik, kurse studimet për flautë i ka kryer në konzervatoriumin e Parisit. Bashkë me bashkëshortin e saj Ermal Mehmetin, që është violinist dhe kompozitor, kanë themeluar studion “Skipi”, që po prezantohet me shumë sukses nëpër botë. Vajza me e re Dita është piktore dhe ka realizuar disa ekspozita personale brenda dhe jashtë vendit. Krahas kësaj, ajo ligjeron Vizatimin dhe Historine e artit në Fakultetin e arkitekturës të Kolegjit amerikan në Shkup. Para disa muajsh ajo doktoroi në temën: “Murali i objekteve sakrale gjatë periudhës osmane në Maqedoni”. Shoqja ime Gëzime Starova, e cila këndon shumë bukur, ka qenë profesore e rregullt e drejtësisë në Universitetin e Shkupit dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, kurse aktualisht është gjyjatëse e Gjyqit kushtetues të Maqedonisë. Vajzat e mia thonë se me profesionet që kanë zgjedhur e vazhdojnë në mënyrën e tyre Sagën time ballkanike. Unë vetëm mund të jem i lumtur për përzgjedhjet që kanë bërë në jetë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button