Emir Kurtishi lansoi projektin e parë muzikor “Koleksionist i fjollave të borës” (VIDEO)

Emir Kurtishi është i riu i cili së fundmi befasoi të gjithë me publikimin e këngës së tij të parë. Ai është nga Shkupi dhe aktualisht është doktorant në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore. Ai ka dhe përvojë në ushtrimin e profesionit si jurist duke filluar në zyre avokatie, noterie e deri në angazhimin si demonstrator/asistent në UEJL. Ai është dhe autor i punimeve të botuara në revista shkencore. Por, çfarë e lidh atë me muzikën? Emiri për Portalb.mk flet më gjatë për dashurinë e tij ndaj muzikës.

Me muzikë Emiri është marrë që në fëmijëri dhe pasioni i tij më i madh ka qenë këndimi. Ai kujton me nostalgji kasetat e vjetra me shirita të babait të tij që i dëgjonin në veturë e në kasetofon në shtëpi, e sidomos plakat e magnetofonit që edhe sot e kësaj dite i dëgjon këngët e vjetra të viteve ’80.

“Pasioni im më i madh për muzikë u rrit mund të them që në moshën 12 apo 13 vjeçare, atëherë kur fillova seriozisht ta mësoj kitarën, e cila me vite të tëra qëndronte në këndet e ndryshme të shtëpisë, me tela të këputura. Ky instrument me historinë e saj interesante që i ngjanë trupit të një femre, gjithmonë më ka intriguar! Dhe me vete thashë ç’më mungon që ta mësoj këtë instrument të bukur? Hapat e mia të para i mora nga daja im i cili në moshë rinore ka qenë pak i angazhuar në asamblin Emin Duraku dhe më pas kam vazhduar duke shikuar video të shkurta nga Youtube. Sot e kësaj dite vazhdoj ta quaj vetën amator në këtë instrument, megjithatë kam përfituar shumë nga ajo.” u shpreh Emiri.

Gjatë viteve Emiri ka tentuar disa herë që të publikojë këngë të tija, megjithatë i mungonte guximi dhe kishte frikë nga paragjykimi se këngët rock&roll shqiptare nuk pëlqehen nga publiku. Këngët që ai këndonte gjithmonë janë pëlqyer nëpër manifestime të ndryshme nga ana e shoqërisë, publikut dhe kjo e ka motivuar atë që të vazhdojë më tutje të mësojë këngë të reja, të këndojë dhe t’i bie kitarës. Momenti që ai vendosi të publikojë këngë të tij ishte kur Lirim Alija, tekstshkruesi i grupit të njohur Elita 5, ia besoi poezinë e tij.  

“Jam i vetëdijshëm edhe sot e kësaj dite, edhe pas publikimi të këngës, se nuk do të arrij që të jem konkurrent serioz i këngëtarëve me nam të madh të stilit rock, por thellë në vete e di që s’kam bërë një këngë shkel e shko edhe pse është modeste. Nuk është këngë për secilin, nuk është këngë komerciale dhe nuk dëgjohet në çdo stinë! Jo që e kam kënduar unë, por teksti është jashtëzakonisht i bukur. E di që e keni dëgjuar edhe vetë ju, pra teksti përmban fjalë që rrallë ose aspak nuk dëgjohen në muzikën tonë shqiptare. Është këngë baladë e thellë, ashtu e kanë gjykuar shumica, këngë melankolike dhe nga komentet e deritanishme përtej shoqërisë së ngushtë, janë pozitive dhe e kanë vlerësuar si diçka të nevojshme dhe të bukur që ka ndodhur në këtë fillim vit dhe i vlerësoj çdo kush që ka dhënë qoftë edhe ndonjë koment modest.” tha Emir Kurtishi.

Gjithçka filloi me publikimin e një fotografie në rrjetin Facebook me një thënie të legjendës së muzikës së ish Jugosllavisë, Toma Zdravkoviq, ku në fotografi Emiri shkruajti thënien “Njerëzit e lumtur nuk shkruajnë këngë. Për të shkruar këngë duhet mirë të zhytesh”. Ky ishte moment kur Lirim Alija i komentoi “A dëshiron tekste…?”.

“Kur e lexova këtë u shtanga dhe u habita! Tekstshkruesi i grupit shqiptar Elita 5, autori i këngës së famshme “Al kapone” i ofron një amatori si Emir Kurtishit tekste këngësh?! Nuk e mora shumë seriozisht, derisa ai në murin tim në Fejsbuk e postoi tekstin e plotë të këngës. Të them të drejtën më hapi shumë punë të tjera! Atë periudhë kohore në mëngjes dilja nga shtëpia, vonë kthehesha në shtëpi. Nuk më lejonte ndërgjegjja që tekstin e këngës të mos e përpunoja në këngë. Dhe shumë shpejt e mora kitarën dhe me net të tëra ushtroja derisa e komponova dhe ia dërgova videon e parë autorit të tekstit. Komentet ishin pozitive, me përjashtime të vogla, derisa më tha ik në studio muzikore dhe inçizoje.” shtoi Kurtishi.

Mesazhi që Emiri përcolli për të gjithë artistët e rinjë është që ta shfaqin talentin që kanë brenda vetes, sepse gjithmonë do të ketë dikush që do e vlersojë dhe do ta mbështesë punën që bëni.

Planet e tij janë që të vazhdojë bashkëpunimin me Lirim Alijun. Ai theksoi që tani që po vjen pranvera dhe vera nuk e përjashton mundësinë që të punojë një projekt të ri muzikor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button