(DOKUMENT) Autobusët e Tetovës ende në parking, pritet pëlqimi nga MSHIA për punësime që të fillojë funksionimi i ndërmarrjes

Autobusët e Tetovës ende qëndrojnë në parking dhe nuk janë në shërbim të qytetarëve tani gati tre muaj, kjo ndërprerje siç thonë nga Komuna erdhi nga parregullsitë në këtë ndërmarrje. Drejtori i ndërmarrjes publike “Tetova Transport” thotë se ndërmarrja nuk mund të fillojë pa planin për punësime nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), shkruan Portalb.mk.

Sot në seancën e gjashtë të Këshillit të Komunës së Tetovës u diskutua pikërisht për këtë, ku këshilli votoi emërimin anëtarëve të këshillit mbikëqyrës për kontrollimin e punës materiale financiare, planin e punës dhe programin financiar të Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, me kusht që të bëhen përmirësime dhe plotësime, këto tre vendime që u votuan mund t’i gjeni në fund të lajmit si dokumente të plota.

Sipas informatave nga Komuna, ndërmarrja e transportit publik për momentin nuk ka asnjë të punësuar dhe që të fillojë duhet që Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës të jep përgjigje për punësimet që duhet të bëhen në ndërmarrje, ku janë të paraparë të punësohen dhjetë shoferë, pesë kondukterë dhe shtatë ose tetë administratorë.

“Ne presim prej Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës përgjigje për punësimet në ndërmarrje. Deri sa të na japin përgjigje ata ne nuk mund të fillojmë me punë. Përgjigjen e pres prej atyre, jemi peng i atyre. Ndërmarrja nuk ka asnjë të punësuar, pa shoferë nuk mund të funksionojmë si më herët që ata kanë qenë të punësuar në komunë dhe kanë funksionuar në ndërmarrje. Shumë shpejt do fillojë”, tha Rafiz Mejdia, drejtori i “Tetova Transport”.

I pyetur për atë se nëse ministria jep pëlqimin për punësimet, pas kësaj sa kohë i duhet ndërmarrjes që të fillojë me punë, Mejdia u përgjigj kështu:

“Përafërsisht ministria neve na ka konfirmuar në email se e kanë pranuar planin për punësime, por nuk na ka arritur e kanë lëshuar me postë, nuk e kemi konfirmuar ende se ka arritur.” Ndërsa shtoi se nga momenti që kjo do të arrijë, transporti publik do të fillojë brenda dy javëve.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës për Portalb.mk thotë se NP “Tetova Transport” nga Tetova si ndërmarrje publike e sapoformuar për transport publik ka dorëzuar Kërkesë për pajtueshmëri të Rregullores për sistematizim të vendeve të punës, me numër arkivor 02-3/4 nga 12.01.2022, si dhe Rregulloren për organizim të brendshëm, me numër të arkivit 02-3/3 nga 12.01.2022, në arkivin e ministrisë të regjistruar me numrat e arkivit 09-275 / 1 dhe 09-275 / 2 më 13.01.2022.

“Më pas, nga kolegu që ka punuar në rastin e tyre, janë njoftuar se në kërkesën e dorëzuar mungon raporti nga kryerja e analizës funksionale, e cila më pas nga NP “Tetova Transport” është dorëzuar në ministrinë tonë, me numër arkivor 03-6/1nga data 27.01.2022, në Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës e regjistruar me nr. arkivor 09-275/3 më 03.02.2022. Nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, NP “Tetova Transport” nga Tetova i është dhënë pëlqimi me shkrim për të dy rregulloret, me numër të arkivit tonë 09-275/4 më 17.02.2022”, thanë nga MSHIA.

Gjatë seancës këto pika të cilat kaluan u kritikuan nga këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Kishim disa vërejtje, çmimorja nuk u bë e ditur, linja e cila ka qenë ekzistuese për fshatrat Poroj dhe Xhepçisht që nuk u përmend por e sqaroi drejtori se do të parashihet me kërkesë prej sektorit në Komunë dhe ajo do të plotësohet”, tha Blerim Osmani, këshilltar komunal nga BDI.

Sipas planprogramit për vitin 2022 parashihet të ketë tre linja qarkullimi, orari i punës nga e hëna në të shtunën do të jetë nga ora 06:00 deri në 22:00, ndërsa biletat do të mund të blihen në autobus dhe në markete sipas marrëveshjeve që do të lidhen. Ndërmarrja për këtë vit ka planifikuar të hyra të përgjithëshme në shumë prej 17.301.000,00 denarë dhe të dala po në këtë shumë. Ndërkaq çmimet do të ngelin njëjtë si në të kaluarën, të cilat mund t’i gjeni këtu. Në seancë u vendos që të bëhen ndryshime dhe plotësime për këto pika.

Në dokumentet më poshtë e gjeni të detajuar planin e punës së ndërmarrjes.

Ndryshe, autobusët e transportit publik të Tetovës u lëshuan në përdorim në mes të muajit gusht. Autobusët janë blerë me kredi prej 1.2 milion eurove nga Banka Botërore, të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës, e cila do të paguhet për 13 vite, me normë interesi prej 3%.

Debatin për pikat e lartpërmendura e gjeni në videon më poshtë nga minuta 33:25.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button