NATO do ta përforcojë qëndrimin e mbrojtjes pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë

NATO ka vendosur të përforcojë mbrojtjen e saj në mes të ndërhyrjes së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, si dhe të nisë bisedimet speciale emergjente sipas nenit 4 të statutit të aleancës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të lëshuar pas një takimi urgjent të ambasadorëve të NATO-s, aleanca dënoi “në termat më të fortë të mundshëm sulmin tmerrues të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili është plotësisht i pajustifikuar dhe i paprovokuar”.

NATO po ashtu dënoi “Bjellorusinë që mundësoi këtë sulm”.

“Veprimet e Rusisë përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike dhe do të kenë pasoja gjeostrategjike”, thuhet në njoftim.

Kjo është hera e shtatë në historinë e NATO-s që vendosi të aktivizojë nenin 4 të Traktatit të Washingtonit, sipas të cilit zhvillohen konsultime për të diskutuar kërcënimet ndaj “integritetit territorial, pavarësisë politike ose sigurisë së ndonjë prej anëtarëve të aleancës”.

“Ne jemi vendosur për të mbrojtur të gjithë aleatët në përputhje me planifikimin tonë mbrojtës, të ndërmarrim hapa shtesë për të forcuar më tej mbrojtjen në të gjithë aleancën”, tha NATO.

Më tej, po ashtu thuhet se veprimet ruse shkelin ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Aktin Themelues NATO-Rusi.

NATO i bëri thirrje Moskës që menjëherë të ndërpresë veprimet e saj ushtarake dhe të tërheqë të gjitha forcat e saj brenda dhe rreth Ukrainës, si dhe të lejojë qasjen në ndihmën humanitare.

Sipas raporteve, Rusia ka nisur një ndërhyrje në shkallë të plotë dhe po shënjestron zonat kryesore në qytetet e Ukrainës me armë dhe raketa.

Herët mëngjesin e sotëm u raportuan shpërthime në disa qytete të Ukrainës, përfshirë në kryeqytetin Kiev, si dhe thuhet se disa tanke kaluan kufirin me Bjellorusinë për në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se po përdor “armë me precizion të lartë” për të çaktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore, aeroportet ushtarake dhe forcat ajrore në Ukrainë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button