Maturantë, kini kujdes!

Aksidenti tragjik në të cilin humbi jetën një maturant i gjimnazit të Tetovës dhe katër të tjerë janë të lënduar rëndë, shtyn prindërit të kërkojnë më shumë siguri për fëmijët e tyre si dhe ngjalli frikën tek maturantët që të kenë kujdes gjatë vozitjes.

Madje, sipas ligjit personat 18-19 vjeçar janë të ndaluar të vozisin pas orës 23 nëse nuk kanë praninë e personave më të moshuar në veturë.

Nga këshilli i prindërve të nxënësve të gjimnazit “Zef Lush Marku”, në Shkup, bëjnë të ditur se asnjëherë nuk është organizuar mbledhje ku ata janë udhëzuar dhe njoftuar për masat e ndërmarra që të mos vie deri tek ndonjë fatkeqësi e natyrave të ndryshme.

“Është e tmerrshme, kur dëgjova lajmet menjëherë më shkoi mendja tek fëmijët e mi. unë jam anëtare e këshillit të prindërve në këtë gjimnaz dhe asnjëherë nuk më kanë njoftuar se do të mbahet ndonjë mbledhje në të cilën do të diskutohet matura, në të cilën do të na tregojnë masat që ndërmerren për shmangien e ndonjë fatkeqësie. Maturantët jo vetëm nga prindërit po duhet të këshillohen edhe nga profesorët edhe nga policia edhe nga të gjithë”, tha Besa Ajredini, anëtare në këshillin e prindërve.

“Lajm shumë i keq ky që dëgjuam për aksidentin. Unë kisha mbrëmjen e maturës dhe neve na dërguan dhe na morën familjarë, sepse partneri im nuk kishe leje për vozitje dhe nuk donim të rrezikonim. Apeloj tek të gjithë maturantët që ende nuk kanë mbajtur mbrëmjen e maturës që të kenë kujdes, sepse jeta është e shtrenjtë”, tha Arta T., maturante.

Zëdhënësi i Sektorit të MPB-së së Tetovës, Marijan Josifovski bën të ditur se gjatë periudhës kohore që organizohen mbrëmjet e maturës, policia në teren shtohet në mënyrë që të kontrollojë dhe të parandalojë ndonjë aksident fatal siç ishte ky i fundit.

“Aksionet policore në këtë periudhë shtohen shkaku i  mbrëmjeve të maturës. Deri më tani janë kapur 10 persona të mitur duke vozitur pa leje, si dhe 10 persona të cilët kanë shkelur ligjin për vozitësit e rinj, në të cilin parashikohet se nëse vozitësi i ri nuk është i shoqëruar me një person më të moshuar dhe që ka leje për vozitje, nuk mund të vozisë pas orës 23”, tha Josifovski.

Ai shtoi se policia ka ndërmarr masa dhe ka bërë apel në media që maturantët të kenë kujdes, të mos vozisin në qendje të alkoolizuar si dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button