(FOTO) Nuk kaloi as një muaj, një kuti për bishta të cigareve në Tetovë është vjedhë, të tjerat plot me mbeturina

Nuk kaloi as një muaj që kur shoqata aktiviste “Multikultura” nga Tetova, në disa vende të qytetit, i vendosi “Kutitë e votimit” për grumbullimin e bishtave të cigareve e njëra prej tyre tashmë mungon, ndërsa të tjerat janë plot me çdo lloj mbeturinash, vetëm jo me bishta cigaresh, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Meta.mk vërejti në terren se një nga kutitë nuk është më në vendin ku ishte vendosur. Ndryshe, aktivistët i vendosën kutitë në katër lokacione të ndryshme rreth Tetovës.

Majtas 22 shkurt, djathtas 31 janar, foto: Meta.mk
Majtas 22 shkurt, djathtas 31 janar, foto: Meta.mk

Ato u vendosën më 31 janar dhe sot në to shiheshin mbeturina të tjera dhe vetëm nga ndonjë bisht i cigareve. Megjithatë, është zhgënjyese të shohësh se në kutitë e plota ka mbeturina të ambalazheve të ushqimeve dhe pijeve, ndërsa rreth tyre janë të hedhur bishta të shumtë cigaresh, që presin prej kohësh të pastrohen.

Në secilin grup të kutive kishte të shënuar një nga pyetjet “Kush është lojtari më i mirë në botë?”; “Kush është ekipi më i mirë në botë?”; “Cila është marka më e mirë e cigareve?” Dhe pyetja e një marke të preferuar të makinës nga “Mercedes, BMW apo Audi?”. Ideja është që qytetarët të votojnë duke hedhur cigaret dhe ashtu do t’i përgjigjen pyetjes së shkruar në kuti.

“Këto kuti u vendosën për të sensibilizuar qytetarët dhe për të reduktuar numrin e bishtave të hedhura cigareve dhe për të filluar zgjidhjen e problemit. “Tani nuk kemi asnjë koment”, thanë nga shoqata e aktivistëve “Multikultura”.

Në terren vumë re se mungonte kutia që përfaqësonte markën “Audi”, e cila me siguri ishte vjedhur, kurse dy të tjerat ishin zhvendosur nga vendi ku ishin vendosur fillimisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button