Prerja e paligjshme e drunjve lulëzon në Maqedoninë e Veriut, autorët vështirë arrijnë të ndëshkohen për krimet (Infografik)

Jetojnë në një komunë, por drunjtë i vjedhin në territorin e ndonjë vendbanimi tjetër, operojnë në grupe prej 10 deri në 30 persona, me standarde të ulëta sociale, operojnë me automjete “Lada Niva” dhe kamionë “TAM”, janë të armatosur dhe agresivë dhe mirë të organizuar mes tyre. Këto janë karakteristikat më të zakonshme të hajdutëve të drunjve që i shkatërrojnë pyjet në vend. Motivi i tyre kryesor është varfëria dhe margjinalizimi social, kurse prerjen ilegale e përdorin për të fituar para. Këto janë disa nga gjetjet e hulumtimit, rezultatet e të cilit i promovoi sot EUROTHINK në raportin “Pyjet e rraskapitura – krijimi i hartës së krimit të organizuar në formën e prerjes ilegale”, përcjell Meta, raporton Portalb.mk.

Sipas hulumtimit nga EUROTHINK, sipërfaqja e mbjellë nën pyll në vend, zyrtarisht rritet nga viti në vit, por numri i të punësuarve në sektorin e Pyjeve, të cilët kujdesen për mbijetesën e fondit pyjor, me kalimin e viteve zvogëlohet.

Në hulumtim, EUROTHINK ka bërë desk-analizë të kallëzimeve penale, lëndëve, dinamikës së zbatimit të tyre në gjykata dhe rezultateve përfundimtare të proceseve në të cilat ndiqen hajdutët e drunjve, si dhe janë realizuar 15 intervista anonime të pa strukturuara në Strumicë, Veles, Prilep dhe Gjevgjelia me persona, të cilët drejtpërdrejt ose tërthorazi janë të përfshirë në prerjet ilegale (përfaqësues të institucioneve, ish protagonistë të prerjeve ilegale, gazetarë, aktivistë dhe të tjerë).

“Ajo që është simptomatike dhe që është në Raport, është puna e prokurorive publike dhe gjykatave themelore”, tha Aleksandar Stojanovski, hulumtues i lartë në EUROTHINK.

Ai shton se hulumtimi ka treguar që situata është mjaft shqetësuese sa i përket përballimit me prerjet ilegale, veçanërisht në punën e disa prokurorive publike, si në Prilep.

“Hallkat më të dobëta për momentin, me sa shohim, do të ishin veprimet e prokurorëve dhe gjykatave. Sa e kuptojnë këtë problem si serioz dhe me prioritet ata që duhet të paraqesin aktet e kallëzimeve penale apo kundërvajtëse dhe gjykatat që i procedojnë”, tha Aleksandar Stojanovski nga EUROTHINK.

Për të promovuar raportin e përgatitur, EUROTHINK sot organizoi konferencën finale, në të cilën u fol për luftën e institucioneve kundër prerjeve ilegale të pyjeve.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski tha se forma e krimit që ka të bëjë me prerjet ilegale nuk ishte aspak naive. Ai vuri në dukje të dhënat e MPB-së, të cilat tregojnë se në periudhën 2016-2021 janë regjistruar mbi 64 mijë metër kub drunj të prerë pa leje. Dëmi material vlerësohet rreth 169 milionë denarë.

“Nëse shtohen të dhënat nga institucionet tjera, është më se e sigurt se ky është një krim me pasoja jashtëzakonisht të rënda për ruajtjen e fondit pyjor”, tha Spasovski.

MPB në këtë periudhë ka regjistruar 1.044 kallëzime penale ku janë përfshirë 1.434 autorë.

“Ky duhet të jetë një nga prioritetet kryesore nëse duam ta ruajmë fondin pyjor, por edhe të mbrojmë mjedisin, e me këtë edhe shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, tha ministri Spasovski, duke iu referuar rekomandimeve të dhëna në raportin e EUROTHINK-ut për tejkalimin e prerjes ilegale të drunjve.

Autori i raportit të përgatitur nga EUROTHINK, Mariglen Demiri në fjalën e tij theksoi se gjatë përgatitjes së raportit janë interesuar më së shumti për procedimin e kallëzimeve penale dhe kundërvajtëse të ngritura ndaj hajdutëve të drunjve.

Ai tha se të dhënat nga terreni tregojnë që Prokuroria Themelore Publike në Prilep nuk ka të dhëna se sa vepra janë kryer në lidhje me veprën “shkatërrim i pyllit”, ndërsa Gjykata Themelore në Prilep nga viti 2008 deri në vitin 2020 ka zbuluar se kanë pasur vetëm një dënim për dy persona dhe asnjë lirim. Pikërisht vlerësimet e filialit të NP Pyjet Kombëtare nga Prilepi, tregojnë se në periudhën 2014-2019 në mënyrë ilegale janë prerë 16.949 metra kub dru, që është bindshëm më së shumti në krahasim me tre regjionet e tjera – ai i Velesit, Strumicës dhe Gjevgjelisë.

“Këto të dhëna mund të merren me rezervë, për faktin se intervistat dhe aktivitetet në terren na treguan se të dhëna me të cilat disponon NP Pyjet Kombëtare duhet të merren me rezervë. Masa e drurit të prerë ilegalisht është shumë më e madhe, madje sipas informacioneve që kemi 2 apo 3 herë më e madhe”, tha Demiri.

Ai shtoi se hulumtimet tregojnë që rajoni i Prilepit është epiqendra e prerjeve ilegale në vend.

Sasha Jovanoviq, shef i departamentit të pylltarisë dhe gjuetisë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujit, tha se deri në vitin 1990, për dallim nga sot, vjedhjet e pyjeve në vend ishin në nivele të vogla, ndërsa dëmet nga to ishin të përballueshme.

Tha se Maqedonia e Veriut ka institucione, ndoshta edhe më së shumti në Evropë dhe nuk kemi nevojë për më shumë institucione, por se na duhen rezultate për të tejkaluar dëmet që janë të mëdha.

Jovanoviq në debat theksoi se vendit i duhen, gjegjësisht konsumi i druve ka qenë 1 milion metër kub dru në vit. Ndërkohë, NP Pyjet Kombëtare prodhojnë rreth 450.000 metër kub, subjektet private prodhojnë vetë dhe nxjerrin në treg nga 200.000 deri në 250.000 metër kub, ndërsa parqet kombëtare në vend prodhojnë nga 50.000 deri në 70.000 metër kub dru në vit.

"Përgjigjen për atë se sa e përhapur është prerja e paligjshme e drunjve, do ta gjeni vetë", tha Jovanoviq.

Sipas kësaj përllogaritjeje, prerja e paligjshme e pyjeve mund të arrijë deri në 250 mijë metër kub dru në vit, që përftohet si diferencë ndërmjet nevojave kombëtare të drurit dhe prodhimit të ligjshëm të drurit nga të gjitha subjektet.

Julijana Nikollovska, drejtoreshë e NP Pyjet Kombëtare theksoi se për disa nga hajdutët e drunjve prerja është mënyrë e jetesës dhe e fitimit dhe do të ishte më së miri që ata të përfshihen përmes mekanizmave, siç është prerja rurale, në procesin ligjor të prodhimit, por kjo nuk mjafton.

“Duhet të pranojmë që, për të ekzistuar ky krim, ndoshta janë përfshirë edhe disa persona në institucionet ku jemi ne. Prandaj ka kallëzime për persona që ndiqen penalisht dhe u janë shqiptuar masa disiplinore”, ​​tha ajo, duke sqaruar se është me rëndësi që dukuritë e tilla brenda institucioneve të parandalohen.

Nikollovska iu referua edhe raportit nga EUROTHINK, i cili thekson se numri i të punësuarve në sektorin pyjor është në rënie të vazhdueshme, ndonëse në opinion dalin informacione për mbi punësim në NP Pyjet Kombëtare. Ajo theksoi se kompania e tyre duhet të ketë mbi 300 roje pyjore në mbarë vendin dhe aktualisht ka mbi 200, ndërsa shumica prej tyre janë të moshuar.

Nikollovska paralajmëroi se mungesa e njerëzve për punë është problem jo vetëm në kompaninë e tyre, por edhe numri i nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm profesional dhe numri i studentëve në Fakultetin e Pylltarisë është jashtëzakonisht i vogël, gjegjësisht kjo degë arsimore po shuhet dhe se në të ardhmen duhet të punojmë në këtë fushë që të kemi staf profesional i cili do të kujdeset për fondin tonë pyjor.

Marija Xhibirova, prokurore nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, tha se prokuroritë publike i trajtojnë rastet e krimeve që kanë të bëjnë me prerjen e pyjeve, por që prokuroritë nuk kanë mbajtur statistika të veçanta për këto krime dhe një arsye për këtë është numri i vogël i kallëzimeve penale.

Ajo shtoi se në vitin 2020 PTHP-ja, e cila mbulon veprat penale që lidhen me krimin mjedisor, ka vepruar me kallëzim penal ndaj 407 personave. Vetëm Prokuroria Publike Shkup në këtë periudhë ka paraqitur 21 kallëzime penale. Ajo vuri në dukje se kjo statistikë i referohet të gjithë kapitullit të quajtur krim ekologjik. Numri i krimeve për shpyllëzim është më i ulët.

Gjatë dy viteve të fundit ka pasur një rënie shtesë të kallëzimeve penale të pranuara në Prokurorinë Publike, që ndoshta është pasojë e pandemisë kovid-19.

“Po ashtu, rezultat i këtij trendi është vëllimi dhe cilësia e provave që nevojiten për ngritjen e aktakuzës, të cilat prokurori publik është i detyruar t'i vërtetojë në gjykatë”, tha prokurorja Marija Xhibirova.

Xhibirova shtoi se shumë nga akuzat e paraqitura në fund gjykata i refuzon. Shkak për këtë janë bërë dënimet për kundërvajtje që policia pyjore ua shqipton prerësve të drunjve. Procedimet penale për të cilin hajdutët e drurit ndiqen më vonë nga prokuroria, gjykata i refuzon me arsyetimin se është e njëjta ngjarje për të cilën i akuzuari tashmë është dënuar për kundërvajtje.

Duhet të ketë koordinim ndërmjet institucioneve, që në të ardhmen të shmanget momenti për të cilin prokurori publik nuk mund t'i ndjekë hajdutët e drurit, tha prokurorja Xhibirova.

Ndryshe, në Raportin nga EUROTHINK jepen rekomandime të veçanta për të gjitha institucionet përkatëse që duhet të parandalojnë prerjet ilegale. Departizimi i punësimit dhe trajnimit është rekomandimi i përbashkët për NP Pyjet Kombëtare dhe Policinë Pyjore, e cila është ende në pritje të miratimit të Ligjit për Policinë Pyjore.

Njëkohësisht, EUROTHINK e thekson rekomandimin për prokuroritë publike dhe gjykatat për pranimin e kallëzimeve penale dhe përcjelljen e tyre në gjykata, përkatësisht ndjekjen penale të autorëve të prerjeve të paligjshme dhe arkivimin e duhur të rasteve të tilla dhe krijimin e statistikave për veprën penale “shkatërrim të pyllit”.

Hulumtimi i realizuar nga EUROTHINK është në fakt i dyti me radhë për krijimit të hartës për krimin e organizuar në formën e prerjeve të paligjshme, i cili bazohet në raportin e parë tashmë të publikuar në vitin 2020. Në Raportin e parë u analizuan gjendja në nëntë komuna, të cilat nuk u përfshirë në qytetet të cilat janë analizuar në raportin e promovuar sot.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button