Absurditetet kafkiane të Programit Vjetor të Letërsisë

Kurse Ministria e Kulturës e Maqedonisë edhe këtë vit me shpalljen e rezultateve vjetore për financimin e projekteve me interes kombëtar e shpalli qartë dhe pa mëdyshje ambicien e saj për t’u renditur në krye të paqartësisë (apo siç është në modë të thuhet sot – jotransparencës), moskonzistencës dhe burokratizimit.

Pikë së pari, i detyrohem një falje Franz Kafkës që po e fut gjenialitetin e tij depërtues në ujërat e turbullta të Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë. Sidoqoftë, besoj se nëse do të ishte në mesin tonë, do të më falte sërish, sepse pikërisht është vepra e tij letrare që njihet për përshkrimin e kthjellët të absurditetit dhe pakuptimësisë së jetës njerëzore nga ana e strukturave të errëta dhe burokratike shoqërore.

Kurse Ministria e Kulturës e Maqedonisë edhe këtë vit me shpalljen e rezultateve vjetore për financimin e projekteve me interes kombëtar e shpalli qartë dhe pa mëdyshje ambicien e saj për t’u renditur në krye të paqartësisë (apo siç është në modë të thuhet sot – jotransparencës), moskonzistencës dhe burokratizimit. Në fakt, këto janë politikat e vetme të manifestuara qartë të Ministrisë gjatë viteve të fundit. Çdo gjë tjetër që punon është po aq e qartë sa ajo që po ndodh me të gjorin Jozef K.

Ashtu si më parë, do të fokusohem në programin e letërsisë dhe veprimtarisë botuese (në tekstin e mëtejmë: programi i letërsisë). Le të fillojmë me radhë.

Interesi kombëtar për letërsinë: interesi i deklaruar kundrejt atij të praktikuar

E para nga dhjetë prioritetet e renditura në aplikimin për programin e letërsisë për vitin 2022 është nxitja e krijimit letrar me vlera të larta artistike të autorëve vendas. Ky duhet të jetë prioriteti i një programi kombëtar të letërsisë.

Mirëpo, në reagimin e Shoqatës së Botuesve të Maqedonisë (MAI) në lidhje me rezultatet e konkursit vjetor për këtë vit, thuhet qartë se letërsia e përkthyer përfiton më shumë fonde sesa letërsia vendase (gjë që e bën punën e përkthyesve më të vlefshme se sa punën e autorëve vendas!) dhe se të njëjtat fondet janë të pabarabarta, respektivisht shpërndahen në mënyrë arbitrare. Kësaj mund t’i shtohet edhe raporti letërsi e përkthyer – prodhim vendor (këtu numëroj vetëm literaturën artistike, punimet akademike, monografitë etj këtu janë të përjashtuara.), që është në favor modest të letërsisë së përkthyer.

O i (pa)ditur “

Por ajo që është “më legjendare” në rezultatet e këtij viti është se nga shpallja e tyre nuk dihet “kush pi dhe kush paguan”. Kjo është padyshim shpallja më e keqe, më e palexueshme dhe më e mjegullt e rezultateve të një konkursi vjetor në historinë e vendit tonë! Publikimet e mëparshme kanë pasur të paktën njëfarë lexueshmëri elementare: ato janë dhënë në tabela Excel, të renditura sipas “emrit të përdoruesit”, “projektit” dhe “fondeve të miratuara”. Por të dhënat thelbësore – me gjithë aludimet e shumta të arbitraritetit dhe mospërgjegjshmërisë që janë kancerogjene në këto konkurse, ende mungonin, si për shembull – gjinia letrare, vëllimi i veprës, recensenti…

Sivjet është e drejtë të thuhet se Ministria e Kulturës e ka tejkaluar veten: duhet të vini vetë në përfundim nëse një vepër është përkthim, nëse po, nga cila gjuhë dhe në cilën gjuhë është përkthyer. Kështu, për shembull, dikush mund të mendojë se Bulgakov ka shkruar drama në maqedonisht, sepse as nuk është specifikuar se kush i ka përkthyer, as nga cila gjuhë janë përkthyer! Është e ngjashme situata me shumicën e rasteve të tjera të letërsisë së përkthyer: ata që nuk kanë njohuri elementare mund të konkludojnë logjikisht se Peter Svetina, Bulgakov, H. М. Enzensberger, Romain Rolland dhe të tjerë kanë shkruar në maqedonisht. Interesant është edhe formulimi “përkthim nga turqishtja BURIMORE” – a bëhet fjalë këtu për injorancën e aplikantit (gjuhëtari dhe filologu do të pyesnin veten se çfarë gjuhë të tjera ka përveç atyre origjinale/burimore?!) apo është një njohje e nënkuptuar e Ministrisë se financon përkthimin nga përkthimi, i cili, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme (kur bëhet fjalë për përkthimin e poezisë, d.m.th shqipërizimin, kur një poet përkthen nga një përkthim “fjalë për fjalë”, ose për vepra të rëndësishme me prejardhje gjuhësore për të cilat nuk kemi përkthyes nga burimori), është i papranueshëm.

Mafia akademike dhe disa mafie të tjera

Por nuk janë vetëm këto lëshime kolosale formale-teknike. Ose, siç thotë populli, “nuk po kërkojmë qime në vezë”: në fakt, pas kësaj fasade të dëshpëruar qëndron një brendësi edhe më e dëshpëruar: pranim apo refuzim të aplikacioneve në stilin e “sherifit”, njëjtë sikur shpërndarja e fondeve, pa asnjë kriter estetik (recensioni, vendi dhe referenca e autorit në letërsinë bashkëkohore maqedonase…), duke favorizuar autorë/botues/revista të caktuara sipas linjave klanore dhe (ose) partiake.

Kjo vërehet veçanërisht në dy kategoritë e para (autorë dhe veprimtari botuese): autorë që i përkasin të njëjtit brez, kanë vepra të të njëjtit zhanër dhe marrin fonde me diferenca deri në gati 2000 euro (!). I pyes publikisht anëtarët teë Komisionit të Veprimtarisë Letrare të shpjegojnë mbi bazën e cilave kritere? Vallë sepse ata kanë zgjedhur botuesin e duhur (“lidhje”) apo kanë qenë “politikisht tanët”? Pse justifikim i bazuar në kritere estetike, apo sasiore (sa i madh mund të jetë një libër me poezi?! Një roman, një libër me tregime? Sa ndryshim mund të ketë në çmimin e shtypjes së tyre dhe a është i justifikuar) për këtë diskriminim të turpshëm, thjesht jo!

Por nëse ka dallime të tilla skandaloze dhe diskrete në letërsi artistike, ato janë të ndjeshëm më pak të dukshme në fushën akademike, respektivisht te profesorët universitarë, për punimet e të cilëve fondet e miratuara variojnë kryesisht nga 2500-euro e lart: në sferën e punimeve (të shumta) akademike, të paktën ka “kritere” më të qarta: titulli profesor dhe përkatësia etnike. Si të shpjegohet ndryshe fakti që një vepër si “Neoliti i vonshëm në Maqedoni” (Orce Ristovski) ka përfituar rreth 1250-euro, ndërsa punimet si “Subjektivizimi politik – drejt një fushë të re në politikë” (Artan Sadiki) dhe “Gjuha e kulturës dhe kultura e gjuhës” (Qemal Murati) subvencionohen me një shumë të pabesueshme prej 4000-euro secili?!

Në të gjithë këtë rrëfim, komuniteti akademik ka rolin e një “ariu të bardhë”: dominon komisionet (ku janë poetët dhe shkrimtarët në to, kur, apo jo, prioriteti i parë është krijimtaria letrare vendase me vlera të larta artistike?! ). Kështu, ndërkohë që disa shkrimtarë/poetë janë hedhur për të “fshirë dyshemenë”, veprat e tyre ndonjëherë refuzohen për vite me rradhë, megjithë vlerësimet e shkëlqyera dhe arritjet e vazhdueshme të larta krijuese, të tjerë marrin një biletë “të klasit të tretë” me fonde të pashpjegueshme të ulëta të miratuara – profesorë universiteti rregullisht publikojnë njëri pas tjetrit ose mbrojnë interesat e kolegëve të tyre, duke dhënë honorare bujare sipas parimit “sorbi sorbit nuk ia heq sytë”, pa dhënë asnjë llogaridhënie, pa vendosur politika kulturore të bazuara estetikisht (ose, të paktën, duke respektuar ato që janë vendosur tashmë).

Kështu, edhe këtë vit kryetarja e Komisionit është një profesoreshë e studimeve klasike, ndërsa fondet më të mëdha të ndara janë për veprën “Demokracia dhe Oligarkia – Zgjedhje tekstesh për rregullimin shtetëror në Athinën dhe Spartën klasike” (përsëri ne jemi lënë në mëdyshje nëse është vetëm një zgjedhje, apo për zgjedhje dhe përkthim?!): pra, bëhet fjalë për një shumë enorme fondesh prej afër 5600 euro! Ose, nëse marrim parasysh shumën më të ulët të miratuar për një dorëshkrim poetik (40.000 denarë), kjo përzgjedhje “peshon” gati sa 9 libra me poezi të autorëve maqedonas: Erato padyshim që nuk ka çmim në këtë Komision!

Ose, siç thotë në fjalën e saj ministrja e re e Kulturës, shumë e kënaqur me punën e Komisionit të saj – “komisioni më profesionist dhe me më shumë ekspertzë” me “cilësi” dhe “qëndrueshmëri”. Sigurisht, edhe “llogaridhënës”, pa asnjë konflikt interesi, pa “shuma jashtëzakonisht të larta” dhe, të mos harrojmë fjalën e preferuar të burokratëve – “transparent”!

Heshtja e zhurmshme e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe e shkrimtarëve

Por nuk ka një solidaritet të tillë mes shkrimtarëve dhe poetëve. Këtë e dëshmojnë diferencat skandaloze në fondet e ndara vitin e kaluar dhe këtë vit (tashmë edhe më të theksuara), siç dëshmohet nga heshtja e vazhdueshme, shurdhuese me zë të lartë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë (DPM), ndërsa MAI çdo vit reagon me zë të lartë dhe me argumente ndaj “politikave kulturore”, sigurisht nga këndvështrimi i tyre! Dhe askush nuk ka të drejtë t’i fajësojë për këtë, sepse shoqatat janë krijuar për të mbrojtur interesat e anëtarëve të tyre, e jo për t’u kujdesur për jetimët.

Të vetmit jetimë, në fakt, në tregimin e quajtur “Programi Vjetor për Mbështetjen e Letërsisë dhe Veprimtarisë Botuese” janë bartësit e letërsisë, shkrimtarët. Fakti që këtë vit numri i përgjithshëm i aplikimeve të pranuara është pothuajse dyfish më pak në krahasim me vitin e kaluar (6452 vitin e kaluar krahasuar me 3769 këtë vit) vetëm stërthekson dyshimet që kam shprehur tashmë në analizën e vitit të kaluar, përkatësisht se Ministria dëshiron të dekurajojë (në mënyrë selektive) autorët që të aplikojnë për mbështetje financiare të veprave të tyre. Fakti që 2/3 e aplikantëve ishin refuzuar për mangësi teknike në lidhje me aplikimin elektronik, siç tashmë deklaroi ministrja, është vetëm një konfirmim i paaftësisë (të qëllimshme?) të Ministrisë dhe një tjetër rekord famëkeq i saj: cili sistem aplikimi, në universitetet botërore, fondacionet, etj mund të “mburret” me një numër kaq të lartë aplikimesh të parregullta?!

Së fundi, kulmi i gjithë kësaj është se “arinjtë e bardhë” të përmendur mbrohen nga komisionet nga fakti se prej vitesh ankesat (për të cilat, meqë ra fjala, parashtruesit rrallë marrin përgjigje) nuk u dërgohen komisioneve që kanë marrë vendime për veprimtaritë përkatëse (siç ka qenë praktika, që duhet të kthehet!) por komisionit të famshëm me emër ekzotik: “Komisioni Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë të Marrëdhënies së Punës në shkallë të dytë.” Çfarë lidhje ka ky komision me artin? Ecce Kafka!

I takon ministres së sapoemëruar (por edhe Komisionit të saj, i cili “me profesionizëm dhe ekspertizë” ka ofruar “cilësi dhe qëndrueshmëri”) të shpjegojë sesi një politizim i tillë kulturor (në vend të politikave kulturore thelbësisht të nevojshme, të bazuara në estetikë) inkurajon krijimtarinë letrare me cilësi dhe vlerë të lartë artistike të autorëve vendas, që, të rikujtojmë (kush e di sa herë!) është prioriteti i parë i deklaruar kur bëhet fjalë për letërsinë.

Sa i përket Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë, megjithatë, është koha të pyesim se cili është qëllimi i ekzistencës së saj: a janë vetëm ceremonitë, dhënia e çmimeve dhe komunikatat e thata që duhet të na kujtojnë “se letërsia është një përbërës i domosdoshëm i jetës sonë”, apo, nga ana tjetër, ndoshta ka ardhur një kohë e tillë, kur shkrimtarët duhet të imitojnë botuesit, kështu që, duke ndjekur shembullin e MAI-t, është koha që edhe DPM-ja të fillojë me këmbëngulje dhe forcë të luftojë për dinjitetin social-ekonomik dhe shoqëror dhe vlerën e vokacionit të shkrimtarit. Sepse, siç duket, Ministria e Kulturës viteve të fundit ka vendosur ta margjinalizojë atë përbërës që quhet letërsi bashkëkohore maqedonase.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button