51 viktima nga përmbytjet në Serbi e Bosnje, 660 të zhdukur!

Moti në Serbi e Bosnje tashmë është qetësuar, por duke lënë pas shkatërrime kolosale, që i morën jetën 51 personave. Autoritetet serbe tashmë kanë nisur të bëjnë bilancin e shkatërrimeve. Krahas 29 viktimave dhe mbi 30 mijë të shpërngulurve, numri i personave të zhdukur është mjaft i lartë, rreth 660. Megjithatë përsa i përket shifrave reale, konfuzioni është mjaft i lartë. Policia serbe thotë numri i të zhdukurve, gjatë ditëve të shkuara ishte edhe me I madh pasi 215 persona nga lista e të zhdukurve janë gjetur.

Kryeministri Aleksandër Vuçiç tha se së shpejti qeveria do të dalë me një plan për rindërtimin e zonave të shkatërruara nga katastrofa më e rëndë natyrore prej më shumë se një shekulli. Zonat e rehabilitimit janë ndarë në 4. Ende nuk ka një vlerë të saktë të dëmeve, por për t’u riparuar janë sisteme furnizimi me energji, rrugë, e ndërtesa. 30% e sistemit hekurudhor është jashtë funksionit. Vetëm industria energjitike, sipas kryeministrit ka pësuar një dëm prej 200 milion euro.

Edhe i rëndë është bilanci i Bosnjes, ku nga rrëshqitjet e tokës janë rrafshuar fshatra të tërë, të cilët tashmë nuk njihen. Rreziku i minave të luftës së viteve ’90 dhe epidemive është ende i lartë. 1.3 miliard euro është dëmi i përllogaritur deri më tani nga autoritetet vendase.

Të dyja vendet kanë nisur negociatat me Bashkimin Europian për ndihma financiare. Ndihma shtesë priten edhe nga Rusia.

Lajme të ngjashme

Back to top button