Debat publik për PDU 57/A “Shik Jellak”, Durmishi: Pezullimin e këtj PDU-je mund ta bëjmë edhe me referendum (Video)

Në Komunën e Tetovës sot u zhvillua debat publik për planin urbanistik të bllokut 57 A apo i njohur ndryshe si “Shik Jellak” për të cilin Këshilli Komunal në seancën e jashtëzakonshme votoi propozim-vendimin për inicimin e procedurës për pezullim të  këtij plani detal urbanistik, sot qytetarët dhanë mendimet e tyre për elaboratin e përgatitur nga komisioni i urbanizmit në Komunë, kjo nga kjo e fundit si zgjidhje për pezullimin e kësaj PDU-je thanë se mund të përdorin edhe mekanizma më radikal apo referendum qytetar, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët gjatë debatit shpalosën idetë dhe propozimet e tyre, megjithëse koha ishte e limituar për shkak të protestave kundër hapjes së kazinosë dhe zgjati afër një orë e gjysmë, ku komisioni i urbanizmit prezantoi elaboratin para qytetarëve.

Debat publik për PDU 57/A “Shik Jellak”
Debat publik për PDU 57/A “Shik Jellak”

Arianit Xhaferi nga sektori joqeveritar u shpreh se është kundër planit detal aktual të këtij blloku pasi ai nuk përmbush kriteret po ashtu edhe ato të mjedisit.

“Me rëndësi është që jo vetëm përmes konsultave publike, por edhe punëve dhe grupeve të ekspertëve të vlerësohet dhe të vendoset se në cilën anë do shtohet qyteti dhe si. Nuk është puna vetëm te Shik Jellaku, por ka edhe pallate të tjera që janë ndërtuar dhe nuk janë futur në proces të decentralizimit. Mendoj se protestat gjithnjë janë një opsion si mjet i fundit demokratik që kanë në duar qytetarët. Por besoj se është me rëndësi para të shihet interesi i qytetarëve përpara disa grupeve të biznesit të cilët rritin profitin”, tha Xhaferi.

Kryetari i Komunës u shpreh se në këtë drejtim janë për të mbrojtur interesin publik, por pa dëmtuar atë privat.

“Në këtë debat dhe ditët në vijim, në gjithë procedurën ne duhet të kemi parasysh gjitha aspektet e nismave, që nënkupton aspektin financiar, formal juridik dhe aspektin e interesit publik. Ne si komunë nisemi fillimisht duke mbrojtur interesin publik, por gjithnjë duke mos harruar dimensionin formal-juridik dhe duke pasur parasysh aspektin financiar. Qëllimi ynë është që në këtë plan detal urbanistik të mbrohet interesi publik”, Bilall Kasami.

Debat publik për PDU 57/A “Shik Jellak”
Debat publik për PDU 57/A “Shik Jellak”

Gjatë debatit nga qytetarët kishte edhe pyetje se nëse nuk do të ketë koordinim në mes pushtetit lokal dhe atij qendror, që pas pezullimit të ketë mundësi të kalohen ndryshimet e PDU-së, që mos të ngelin ndryshimet pa u aplikuar.

Për këtë kryesuesi i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi tha se kjo do dërgohet deri te institucionet shtetërore dhe nëse ata e bllokojnë do të ndërmarrin hapa tjerë për të ndryshuar këtë plan.

“Do të shohim ndoshta mund ta bëjmë edhe me referendum të qytetarëve”, tha Durmishi.

Kasami tha se janë të vetëdijshëm për atë se nuk kanë kompetenca për të gjithë procesin si pushtet lokal.

“Ata të cilët e miratuan këtë PDU vazhdojnë të jenë në pushtet qendror dhe mund të pengojnë miratimin me idenë që pas një viti të vazhdojë i njëjti, do të qëndrojmë deri në fund në humanizimin e kësaj pjese, nuk do të tërhiqemi. Po e them hapur para opinionit, kemi mekanizma me të cilat mund të shkojmë edhe me hapa më radikal, por nuk është ideja për të dëmtuar interesin privat. Si Komunë mund të aktivizojmë mekanizma të tjerë përmes të cilëve mund të anulohet komplet plani”, tha Kasami.

Debat publik për PDU 57/A “Shik Jellak”
Debat publik për PDU 57/A “Shik Jellak”

Pika për pezullimin e Planit Detal Urbanistik për këtë bllok do të diskutohet në një nga seancat e ardhshme të Këshillit Komunal.

Ndryshe, Komuna e Tetovës gjatë mandatit të dytë të Teuta Arifit ndryshoi tërësisht planin detal urbanistik të bllokut urban 57A  që më pas u “përgatit” shitja e pronës “Shik Jellak” biznesmenit kontrovers serbo-malazez, Miodrag Daka Davidoviq, ku parashihet që kjo pjesë të shndërrohet në bllok urban për ndërtimin e banesave dhe një qendre tregtare.

Portalb.mk  mëson se kjo parcelë tani i takon një pronari dhe investitori të ri vendas i cili është Xhevahir Lazami, pronar i kompanisë ndërtimore “LZ Invest Dooel MK”. Me 9 shkurt të këtij viti u nënshkrua marrëveshje për shit-blerje midis avokatëve të Davidoviqit dhe Lazamit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button