Tetovë, nisma e re qytetare kërkon krijimin e parkut të ri prej 16 hektarësh

“Tetova do park të qytetit” quhet nisma e re qytetare që sot për herë të parë përmes një konference për media shpjegoi idenë për opinionin. Propozimi është që në daljen për në Shkup të formohet park i qytetit në pjesën lindore të qytetit, vend që sipas tyre është e vetmja hapësirë ​​ku mund të jetë zonë parku. Nga kjo nismë sot bënë të ditur se një propozim të tillë i kanë dorëzuar Këshillit të Komunës së Tetovës, shkruan Tetovoinfo, transmeton Portalb.mk.

“Këshilli i Komunës të marrë vendimet e duhura dhe të formojë parkun e parë të vërtetë në qytetin tonë i cili mund të themi se është i vetmi qytet pa park të qytetit në vend. Parashikojmë që të formohet në anën e djathtë të bulevardit “Video Smilevski-Bato” nga udhëkryqi me rrugën “29 nëntori”, rruga “Boris Kidriç, si dhe në anën e majtë dhe të djathtë të të njëjtit bulevard deri në udhëkryqin me rrugën “Pish” apo hapësira e njohur si Qendra sportive, parku i gruas, Monopoli dhe hapësira “Shik Jellak”, si hapësira e fundit e pashfrytëzuar në Tetovë”, tha Darijan Sotirovski, njëri nga pjesëtarët të nismës.

Arkitekti Bllagoja Ristovski, pjesë e nismës, tha se sipas ligjit për gjelbërim urban, park është gjithçka që ka së paku një hektar, që do të thotë se në Tetovë nuk ka park. Ai shpjegoi se sipërfaqja e përgjithshme e disa shesheve të gjelbra është 20 centimetra katrorë gjelbërim për kokë banori.

“OBSH thotë se çdo qytet duhet të ketë 9 metra katrorë gjelbërim të qytetit, që do të thotë se jemi larg humanizimit të qytetit. Sipërfaqja që ne propozojmë mund të përdoret në mënyrë efektive me 16 hektarë. Ky është në fakt hapi i nevojshëm që duhet të bëjmë drejt humanizimit të qytetit. Është një zonë specifike në periferi të qytetit me mundësi rekreacioni dhe pushimi pa trafik dhe turma”, tha Ristovski.

Mësuesja Sonja Trifunovska theksoi se në punën e tyre me fëmijët-nxënës theksojnë nevojën për të pasur park.

“Me ndërtimin e parkut do të ketë mundësi që prindërit të shëtisin fëmijët e tyre, gjyshërit të shëtisin nipërit e mbesat, të rinjtë ku të rrinë, të dashuruarit ku të takohen. Sportistët të stërviten, kurse pensionistët të shijojnë biseda të gjata”, tha Trifunovska.

Ideja për një park të qytetit përfshin katër blloqe urbane dhe pjesëtarët e nismës theksojnë se për dy prej tyre është e nevojshme ndryshimi i Planit të Përgjithshëm Urbanistik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button