Petrovska në takim me ambasadoren e Ukrainës: RMV mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës

Në takimin e sotëm në Ministrinë e Mbrojtjes mes ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ambasadores të Ukrainës në Maqedoninë e Veriut Natalia Zadorozhnjuk, Petrovska tha se Maqedonia e Veriut dhe të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s ofrojnë mbështetje të qartë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, raporton Portalb.mk.

“Si anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe të drejtën e secilit vend për të vendosur për të ardhmen e vet”, tha Petrovska.

Ambasadorja Zadorozhnjuk shprehu mirënjohjen për mbështetjen e qartë të Maqedonisë së Veriut për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe mbështetjen për politikën e dyerve të hapura të NATO-s.

Ministrja konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e Maqedonisë së Veriut se zgjidhja më e mirë është zgjidhja diplomatike e krizës në Ukrainë, si dhe mbështetja për përpjekjet e NATO-s për të përdorur të gjitha mjetet diplomatike dhe politike për të ulur tensionet dhe për të qetësuar situatën.

Kujtojmë se, Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 trupa në kufi me Ukrainën, duke e rrethuar atë nga tre anë, në Krime në jug, në anën ruse të kufirit dhe në Bjellorusi në veri. Në zonën kufitare, Moska ka zhvilluar një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimin se mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të ri, pasi Rusia më 2014 pushtoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Por Rusia deri më tani mohon të pushtojë Ukrainën. Shumë vende përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, RMV-në, Shqipërinë dhe të tjera u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button