Liria nuk gjeti sallë, MZT në finale

Basketbollistët e MZT Skopje janë finalsitët e parë të plejofit të sivjetëm, pasi që ndeshja e dytë e gjysmëfinales së plej –off serisë me Lirinë nuk do të luhet fare, ndërsa kjo do të regjistrohet me rezultat zyrtar për kampionët aktual.

Shkaku për një vendim të këtillë i Komisionit për gara, është fakti se kryesia e ekipit nga Çairi nuk ka arritur të sigurojë sallë adekuate ku do ta luante ndeshjen, pasi që në momentet e fundit nuk i është lejuar nga KB Vardari, ku gjatë gjithë sezonit Liria ka luajtur si nikoqire.

Çairasit nuk do të marrin dënim tjetër, pasi që më parë ishte paralajmëruar se ka mundësi që të bien në rang më të ulët, por një vendim të tillë nuk solli komisioni.
Ndeshja fillimisht ishte caktuar të luhet të martën, por e njëjta ishte anuluar me kërkesë të MPB-së.

“Komisioni garues solli vendim që sallën të cilën ne e propozuam si mundësi nuk qenka me pajisje që i plotëson kushtet për lojë të rangut të tillë. Na ofruan që të luajmë në sallën e Rabotnickit, por pa publik. Në një gjë të tillë kategorikisht si klub e refuzuam. Më mirë humbim zyrtarisht se të pranojmë një gjë të tillë. Garat sportive kanë kuptim vetëm nëse zhvillohen para publikut”, thuhet në reagimin e Klubit të basketbollit Liria.

Kundërshtari i MZT-s në garën për titull do të mësohet pas ndeshjes së tretë në mes ekipeve të Rabotniçkit dhe Kozhuvit, ndeshje kjo që do të luhet në sallën “Parku i Qytetit” në Shkup. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button