Ueb-faqja e përhershme e ARS-së ende nuk është gati në shqip, vazhdimisht shtyhen afatet

Edhe pse në nëntor të vitit të kaluar nga Agjencia për Rini dhe Sport (ARS) thanë se punët për ueb-faqen e përhershme në shqip janë drejt fundit dhe se e njëjta do të ishte gati brenda dy-tre javëve, kjo nuk ndodhi. Nga kjo Agjenci për Portalb.mk thonë se ueb-faqja do të lëshohet në përdorim shumë shpejtë, pa dhënë afat të caktuar ndërsa për kohën se kur do të jetë gati topin e hedhin te OSBE-ja, shkruan Portalb.mk.

Ueb-faqja e përkohshme e Agjencisë për Rini dhe Sport e cila është donacion nga OSBE-ja ende nuk është lëshuar në përdorim për opinionin. ARS-ja deri në lëshimin në funksion të ueb-faqes së re për momentin ka në dispozicion një ueb-faqe të përkohshme në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht, e cila u lëshua në përdorim nëntorin e kaluar.

Zëvendës drejtori i ARS-së, Amir Bilalli për Portalb.mk tha se tenderimi i ueb-faqes është realizuar nga donator që në këtë rast është OSBE-ja dhe se tenderi për realizmin e ueb-faqes është fituar nga kompani e përzgjedhur nga donatori.

“Të gjitha procedurat për zhvillimin e Ueb-faqes nga donatori janë realizuar. Agjencia për rini dhe sport, duke mos pasur persona adekuat për mirëmbajtjen e Ueb-faqes, ka angazhuar punonjës të cilët janë trajnuar për  mirëmbajtjen dhe për plotësimin e mëtutjeshëm, ku pas fazës përfundimtare ueb – faqja e re do të menaxhohet nga Agjencia për rini dhe sport, tha Bilalli.

Ndërkaq për atë se kur do të jetë gati konkretisht për publikun kjo ueb-faqe, Bilalli tha se shumë shpejtë ndërsa për kohën e saktë dhe kompaninë e cila rregullon ueb-fqen, duhet të kontaktojmë donatorin (OSBE-në), pasi ata e kanë bërë tenderimin dhe se ata janë kompetent për këtë pjesë.

“Gjithashtu, do t’ju informojmë edhe për ditën që do jetë faqja gati plotësisht dhe e qasshme për opinionin”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, nga Misioni i OSBE-së në Shkup për Portalb.mk thanë se detyrimet e tyre ndaj Agjencisë kanë mbaruar në dhjetor, por nuk e treguan emrin e kompanisë e cila merret me ueb-faqen e re të Agjencisë.

“Misioni i OSBE-së në Shkup mbështet Agjencinë për Rini dhe Sport në zhvillimin e ueb-faqes së re në gjuhën shqipe, angleze dhe maqedonase. Deri më tani, Misioni ka ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme, në bazë të marrëveshjes me Agjencinë. I gjithë procesi që Misioni i OSBE-së në Shkup është zotuar, ka përfunduar në muajin dhjetor 2021”, thanë nga Misioni i OSBE-së në Shkup.

Ndryshe, edhe pse kanë kaluar dy vite nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, zbatimi i të njëjtit është shumë i zbehtë në praktikë. Neni 23 i këtij Ligji thotë se “Në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji, të gjitha institucionet kompetente obligohen që t’i miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij Ligji”. Megjithatë, lëshime në zbatimin e këtij Ligji vërehen institucionet, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button