Bisedë Scholz-Putin për “parandalimin e katastrofës” në Ukrainë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, pritet të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, më 21 shkurt, në përpjekje për të “parandaluar një katastrofë” në Ukrainë, tha zëdhënësi i tij, raporton REL, transmeton Portalb.mk.

Zëdhënësi Steffen Heberstreit tha se biseda do të zhvillohet pasditen e së hënës dhe se kjo bisedë “është koordinuar ngushtë” me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili ka biseduar me Putinin dy herë, fillimisht më 20 shkurt dhe sërish më 21 shkurt.

Zëdhënësi tha se biseda ScholzPutin është pjesë e “përpjekjeve të përbashkëta diplomatike” të Perëndimit për ta ndaluar Rusinë që ta pushtojë Ukrainën.

Gjermania është zotuar se do t’i bashkohet aleatëve perëndimorë në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, nëse ajo vendos që ta pushtojë Ukrainën.

Më 18 shkurt, presidenti Biden tha se ishte “i bindur” se Putini kishte marrë vendimin për pushtimin e Ukrainës dhe se kjo mund të ndodhte në ditët në vijim. Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë do të vendosnin sanksione të ashpra ndaj Rusisë, nëse Putini vendos që ta sulmojë Ukrainën.

Rusia aktualisht ka pozicionuar mbi 150,000 trupa luftarake përreth Ukrainën.

Moska ka zemëruar më shumë Ukrainën dhe Perëndimin pasi shkeli premtimin se do të tërheqë trupat kur stërvitjet ushtarake të përfundonin në Bjellorusi. Në vend të kësaj, Rusia dhe Bjellorusia njoftuan se do të zgjasin stërvitjet ushtarake, që fillimisht kishin planifikuar se do të mbaronin më 20 shkurt.

Bjellorusia tha se trupat do të ktheheshin në bazat e tyre “kur të ketë një nevojë objektive për ta bërë një gjë të tillë” dhe kjo do të varej nga tërheqja e forcave të NATO-s nga afërsia e kufijve të Bjellorusisë dhe Rusisë.

Kremlini po kërkon që t’ia ndalojë Ukrainës anëtarësimin e NATO-s dhe ta tërheqë këtë shtet sërish brenda sferës së ndikimit të tij.

Rusia vazhdimisht ka mohuar se po planifikon që ta pushtojë Ukrainën dhe ka pretenduar se ka nisur tërheqjen e disa forcave. Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë thënë se nuk ka sinjale se po ndodh tërheqja e trupave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button