Kosova hodhi poshtë pretendimet ruse për “rekrutim mercenarësh” në Ukrainë

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës hodhi poshtë në mënyrë kategorike pretendimet e zyrtarëve të Rusisë, se ka  “rekrutim mercenarësh në Kosovë, Shqipëri e Bosnje”, të cilët më pas do të përfshiheshin në luftimet në rajonin e Donbasit në Ukrainë. Ky reagim i Ministrisë së Jashtme të Kosovës erdhi pasi mediet në Rusi, cituan ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov, të ketë thënë se autoritetet ruse po punojnë për të verifikuar informacionet për “mercenarët” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja që shkojnë në Ukrainë, transmeton DW.

“Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen vatër krimi. Ka terroristë, tregtarë droge. Mercenarët rekrutohen atje për konflikte ushtarake të nxitura nga Shtetet e Bashkuara”, citohet ndër të tjera të ketë thënë ministri Lavrov.

Në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës hidhet poshtë ”në mënyrë kategorike si e pavërtetë dhe tendencioz çdo pretendim i agjencisë së lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, se kinse Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin”. Sipas Ministrisë së Jashtme të Kosovës, “Kosova e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla”. Kosova që nga viti 2015 ka miratuar ligjin që ju ndalon qytetarëve të Kosovës pjesëmarjen në konflikte jashtë Kosovës.

Pretendimet pjesë e fushatës propagandistike

“Pretendime të tilla, janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane. Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë”, thuhet në një komunikatë për medie të Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Javën e shkuar ashtu sikurse shumë vende të botës, edhe Ministria e Jashtme e Kosovës, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të mos udhëtojnë në Ukrainë dhe ata që mund të jenë atje të largohen. Ministria e Jashtme “shprehu solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës për të drejtën për jetë të lirë e sovrane në shtetin e tyre”. Po ashtu Kosova “bën thirrje për ulje të tensionit dhe shmangie të konfliktit”. “Republika e Kosovës, i bashkohet botës demokratike në dënimin e politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës”, përfundon komunikata e Ministrisës të Jashtme të Kosovës.

Shpallja “non grata” e dy zyrtarëve rusë

Në fund të vitit të kaluar, Ministria e Jashtme e Kosovës shpalli “persona non grata” dy zyrtarë rusë nga Zyra Ndërlidhëse e Federatës Ruse në Kosovë të cilët siҫ u tha, “me aktivitetet e tyre kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës”. Në njoftimin e presidentes Osmani, për dëbimin  e tyre nga Kosova u tha se “institucionet e vendit janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas presidentes, “synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Evropian”.

“Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, thuhej në njoftimin e presidentes, duke siguruar qytetarët e vendit se “institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend”. Rusia ka një zyrë ndërlidhëse në Kosovë nga viti 2005, që nga koha kur Kosova administrohej nga misioni i UNMIK-ut, zyrë kjo, të cilën e kishte përuruar pikërisht ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button