Projekti bërthamor me reaktorët rus po shkakton tensione në politikën bullgare

Krerët e qeverisë bullgare kërkojnë rrugëdalje si të mos e zbatojnë projektin 40-vjeçar për të ndërtuar një termocentral të dytë bërthamor pranë ishullit Belene të Danubit. Projekti Belene, i cili përmban dy reaktorë bërthamorë rus, po krijon tensione serioze politike midis liberalëve pro-evropian “Ndryshimi vazhdon” dhe “Bullgaria Demokratike” nga njëra anë dhe Partisë Socialiste Bullgare pro-ruse, të cilët janë partnerë të koalicionit. Presidenti Rumen Radev ka insistuar për një vendim të shpejtë për projektin bërthamor, raporton Euroactiv, transmeton Portalb.mk.

Aktualisht energjia bullgare është e varur nga Rusia. Rreth 70% e gazit që e përdor Bullgaria është gaz rus, reaktorët bërthamorë në termocentralin Kozloduy janë të mbushur me karburant bërthamor rus, mbetjet bërthamore eksportohen në Rusi dhe rafineria më e madhe e naftës në Ballkan – afër qytetit bullgar të Burgasit – është në pronësi të Lukoil.

Koalicioni qeveritar “Ndryshimi vazhdon” dëshiron të ndryshojë këtë situatë.

Mes krizës në Ukrainë, kryeministri Kiril Petkov tha dy herë se nuk do të ndërtojë projektin Belene me dy reaktorë rusë të blerë dhe dorëzuar tashmë.

Përdorimi i reaktorëve bërthamorë rusë në Belene nënkupton gjithashtu porosi nga Bullgaria për kompaninë shtetërore ruse Rosatom. Kryeministri Petkov theksoi se Bullgaria ka karburant bërthamor për dy vjet dhe nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm për energjinë bërthamore të Bullgarisë, por ekspertët e energjisë thonë se vendi duhet të miratojë një vendim afatgjatë.

Rezistenca pro-ruse

Komentet e kryeministrit Petkov nxitën menjëherë reagimin e Partisë Socialiste. Nën presionin e socialistëve, Bullgaria do të realizojë një analizë të re mbi realizimin e projektit bërthamor të Belene. Statusi i Belene-së po përdoret gjithashtu nga partia pro-ruse e ekstremit të djathtë Vazrazhdane, e cila mbështet daljen e Bullgarisë nga BE dhe NATO.

Javën e kaluar, një delegacion i madh bullgar vizitoi Shtetet e Bashkuara, i kryesuar nga zëvendëskryeministri me ndikim Asen Vasilev. Energjia bërthamore ishte një nga temat kryesore të diskutuara, me Bullgarinë duke eksploruar nëse mund të përdorë karburantin bërthamor të SHBA në termocentralin aktual Kozloduy në vend të atij rus.

Që në janar 2021, qeveria e Bojko Borisov-it miratoi një raport që mbështet ndërtimin e një njësie të re bërthamore në Kozloduy me një reaktor rus, por teknologji amerikane. Megjithatë, që një hibrid i tillë të funksionojë, kërkohet pjesëmarrja e Rosatom-it. Një partneritet i tillë ruso-amerikan tani duket i pamundur.

Euroactiv mësoi se figurat kryesore në qeverinë bullgare po shqyrtojnë përfitimet e mundshme të reaktorëve të vegjël modularë amerikanë ose reaktorit Westinghouse – AP1000.

Bullgaria ka kohë të mjaftueshme për të vendosur

Martin Vladimirov nga Qendra për Studimin e Demokracisë (CSD) tha se projekti Belene aktualisht përdoret si ‘karotë’ nga politikanët. Sondazhet tregojnë se 70% e bullgarëve duan të ndërtohet projekti Belene.

Vladimirov tha se për projektin bërthamor duhet të flitet ekonomikisht, jo politikisht. Ai thotë se interesat amerikane për eksportin e reaktorëve bërthamorë modularë janë të dukshëm, pasi ata po përpiqen të dërgojnë teknologjinë në Poloni, Republikën Çeke, Sllovaki dhe Ukrainë.

Sipas tij, është më mirë që Bullgaria të presë disa vite që çmimi të bjerë, sepse në të kundërtën, energjia elektrike e prodhuar do të ishte më e shtrenjtë se ajo e reaktorëve rusë. Ai shtoi se Bullgaria do të ketë nevojë për energji të re bërthamore pas vitit 2040 kur termocentralet me qymyr do të mbyllen.

Bogomil Mançev, kryetar i Forumit Atomik Bulatom Bullgar dhe një mbështetës i kahmotshëm i projektit Belene, tha se Bullgaria ka nevojë për të dy projektet për shkak të marrëveshjes së gjelbër. Ai i bëri thirrje Bullgarisë që të presë fillimisht që reaktorët bërthamorë modularë të fillojnë të funksionojnë në Shtetet e Bashkuara, për të parë se çfarë defektesh mund të shkaktojnë në vitet e para.

Nëse projekti i Belenesë ndërpritet, pyetja e pazgjidhur është se çfarë do të ndodhë me dy reaktorët e depozituar të Rusisë 1000 MW. Bullgaria pagoi 620 milionë euro për to dhe mirëmbajtja e tyre varet nga Atomstroyexport rus. Pritshmëria është që qeveria aktuale të mos e realizojë projektin Belene, por të mos ndërpritet përfundimisht për shkak të qëndrimeve të ndryshme të partnerëve të koalicionit ndaj Rusisë.

Ndërkohë, Bullgaria ka bërë ndryshime në projektet e saj energjetike për të shmangur rritjen e varësisë së saj nga gazi rus. Në versionin e parë të planit të rimëkëmbjes së BE-së, kishte një projekt për të ndërtuar një termocentral me gaz për të zëvendësuar një pjesë të varësisë së Bullgarisë nga qymyri, por ai u refuzua.

“E dini, në konfliktin në rritje midis NATO-s dhe Rusisë, ne ballafaqohemi me një rrezik të lartë të sanksioneve të mundshme dhe pasigurisë së mundshme në furnizimet me gaz. Në të njëjtën kohë, plani që gjetëm përfshinte një termocentral me gaz që do të reduktonte pavarësinë energjetike të Bullgarisë”, tha kryeministri Petkov më 4 shkurt.

Në vend të një termocentrali me gaz në zonën e thëngjillit të termocentralit Maritza Iztok, do të propozohet një plan për të ndërtuar vend të posaçëm për djegie mbetjesh që do të prodhojë energji elektrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button