Protesta e nesërme në Tetovë kundër kazinosë përkrahet nga parti dhe institucione

Protesta e nesërme kundër hapjes së kazinosë afër çerdhes “Rinia” në Tetovë, mbështetet nga Komuna e Tetovës, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe nisma qytetare “Më mirë për Tetovën”(MMPT), transmeton Portalb.mk

Nesër në Tetovë qytetarët do të protestojnë kundër hapjes së kazinosë së re e cila po ndërtohet shumë afër çerdhes “Rinia”, në vendnodhjen e ish fabrikës së “Teteksit” dhe e njëjta pritet të jetë me përmasa të mëdha. Nga lëvizja Antibixhoz kërkojnë që autoritetet të harmonizojnë qëndrimet dhe të sjellin ligj që do mbrojë qytetarin.

Komuna e Tetovës përmes një komunikate për media dhe rrjeteve sociale bëjn thirrje për pjesëmarrje masovike në protestën e nesërme kundër hapjes së kazinosë afër çerdhes “Rinia”.
“Ftojmë të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës së 22 shkurtit për të larguar dhe dislokuar kazinot dhe bastoret sportive nga qyteti ynë. Komuna do të bëjë të gjitha përpjeket demokratike për mbylljen e të njejtave. Mos harrojmë, ora 14:00 protestojmë”, njoftuan nga Komuna e Tetovës.

Lista “Më mirë për Tetovën” përmes rrjeteve të tyre sociale dhe mediave ftojnë qytetarët të marrin pjesë në protestën e nesërme.

“Pas publikimit të megaskandalit Credit Suisse, u pa që mafia e kazinove është pjesë e krimit të organizuar bashkë me politikën, duke kontaminuar shoqërinë tonë në çdo cep të qytetit dhe vendit tonë. Kërkojmë urgjentisht mbylljen e Kazinos pranë çerdhes për fëmijë me të cilën janë tejkaluar të gjitha vijat e kuqe. Shprehim zhgënjimin e madh që disa parti politike në parlament, fushatat parazgjedhore të të cilave janë financuar edhe nga lobi i kazinove, kanë sabotuar sjelljen e ligjit që kazinot dhe lojrat e fatit të jenë 3 km larg shkollave dhe çerdheve”, thonë nga MMPT.

Aleanca për Shqiptarët shprehet se janë kundër hapjes së kësaj kazinoje në Tetovë.

“Publikisht, ftojmë të gjithë anëtarët, sipmatizantët e Aleancës për Shqiptarët, si dhe të gjithë qytetarët e Tetovës dhe jo vetëm, pa dallime partiake që të martën në ora 14:00 në mënyrë masovike, të marrin pjesë në protestën e organizuar nga qytetarët dhe mbështetur nga Lëvizja Anti-Bixhoz. Kjo protestë dhe kjo rezistencë ndaj dukurive devijuese është obligim për të gjithë ne, që të parandalojmë degradimin dhe devijimin e fëmijëve dhe familjeve tona”, thuhet në njoftimin e ASh-së. 

Nga kjo parti shprehen edhe se deputetët e saj do të vijojnë edhe betejën institucionale për të ndryshuar Ligjin për lojërat e fatit.

“Ditëve në vazhdim do të dorëzojmë amendamentet tona për t’i larguar kazinot dhe bixhozin jashtë vendbanimeve”, thuhet në komunikatë.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Lëvizja BESA nga ku thonë se gjithmonë i kanë përkrahur protestat kundër dukurive negative në shoqëri, prandaj edhe këtë herë do ta përkrahin protestën e Lëvizjes “Anti-Bixhoz” kundër hapjes së kazinosë afër shkollës në Tetovë.

“Gjithashtu u bëjmë apel gjithë qytetarëve që me maturi dhe qetësi të dalin në këtë protestë për të luftuar fenomenet negative në shoqërinë tonë. Të dalim të gjithë pa dallime partiake për t’i larguar objektet e lojrave të fatit nga afërsia e shkollave dhe t’i dislokojnë ato sa më larg vendbanimeve”, thuhet më tej në komunikatën e Lëvizjes Besa.

Ndryshe, nëse kjo kazino arrin të përfundohet, fëmijët e çerdhes “Rinia” çdo ditë do të kenë përballë objektin e lojërave të fatit, për të parandaluar këtë qytetarët nesër në ora 14 do të protestojnë , duke filluar nga objekti i çerdhes.

Rikujtojmë që ishin pikërisht protestat e Lëvizjes Antibixhoz së bashku me qytetarët të cilët  ndaluan hapjen e kazinosë afër Universitetit të Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button