Presidenti ukrainas bëri thirrje për armëpushim dhe bisedime urgjente për paqe

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, bëri thirrje për “regjim heshtjeje” dhe “intensifikim” të përpjekjeve për paqe, pasi presidenti francez zhvilloi biseda telefonike me liderët ukrainas dhe rusë, midis frikës për një pushtim rus të Ukrainës, transmeton REL.

Zelenskiy po ashtu tha se Kievi do të zhvillojë një takim “të menjëhershëm” të të ashtuquajturit Grupi Trelateral i Kontaktit, që u formua me qëllim që të gjendet një zgjidhje diplomatike pas nisjes së konfliktit midis forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës më 2014.

Liderët perëndimorë thonë se Rusia, që ka dislokuar dhjetëra-mijëra trupa afër Ukrainës, përfshirë edhe në Bjellorusinë fqinje, tani po planifikon një sulm të shkallës së gjerë. Moska mohon se ka plane për pushtim.

“Ne jemi për intensifikimin e procesit të paqes”, tha Zelenskiy përmes një postimi në Twitter.

“Ne mbështesim thirrjen e menjëhershme të një takimi të Grupit Trelateral të Kontaktit dhe që menjëherë të vendoset një regjim heshtjeje”, shtoi ai.

Këto komente Zelenskiy i bëri pas bisedës që zhvilloi me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Macron po ashtu ka biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin. Pallati Elize tha se kjo bisedë ishte “përpjekja përfundimtare e mundshme dhe e nevojshme për të shmangur një konflikt të madh në Ukrainë”.

Asnjë detaj nuk është bërë publik nga biseda midis Macronit dhe Putinit.

Në Grupin Trelateral të Kontaktit bëjnë pjesë Ukraina, Rusia dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Gjatë natës ndërmjet 19 dhe 20 shkurtit janë raportuar për shumë bombardime në të ashtuquajturën “vijë të kontaktit” ndërmjet ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Misioni monitorues i OSBE-së ka raportuar për “rritje dramatike” të shkeljeve të armëpushimit në lindje të Ukrainës.

Ukraina ka thënë se gjatë një sulmi janë vrarë dy ushtarë ukrainas, por Zelenskiy është zotuar se forcat ukrainase nuk do t’iu përgjigjen provokimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button