Përveç parkingut më të lirë nga marsi, Qyteti i Shkupit nuk ka zgjidhje për problemin e parkimit

Rritet numri i automjeteve në rrugët e Shkupit, e bashkë me të edhe mungesa e hapësirave për parkim. Qytetarë nga pjesë të ndryshme të Shkupit çdo ditë ankohen se qarkullojnë nga dhjetë minuta për të gjetur një vend të lirë parkimi, ndërsa problemi është më i theksuari në komunat e Shkupit, Qendër dhe Karposh. Qyteti i Shkupit mori vendim që, në parkingjet me të cilat menaxhon NP “Parkingu i Qytetit”, nga 1 marsi të ulet çmimi i parkimit, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Ndërsa, autoritetet e qytetit të Shkupit nuk kanë përgjigje për atë se kur do të fillojë realizimi i projektit Parko&vozit (Park&Ride), i cili ekziston prej dekadash në qytetet e vendeve të Evropës Perëndimore. Ky projekt ishte përfshirë qysh në vitin 2011 në Planin për transport të qëndrueshëm të qytetit të Shkupit dhe parashihte ndërtimin e parkingjeve të mëdha në të gjitha hyrjet nga periferia e qytetit ku qytetarët nga qytetet tjera do t’i parkonin automjetet e tyre dhe do të vazhdonin transportin, me autobus ose me biçikleta me qira deri në qendër të Shkupit.

Këto terminale për transport do të duhet të zvogëlojnë presionin nga automjetet që kërkojnë parkim në zonat qendrore urbane të Shkupit, por gjithashtu do të zbutin problemin me bllokimet e trafikut në kryeqytet. Ka më shumë se gjysmë muaj që kur Meta.mk pret nga Qyteti i Shkupit dhe NP “Parkingu i Qytetit” të përgjigjen nëse planifikojnë që këtë vit të fillojnë me realizimin e projektit “Parko dhe vozit”Shkup.

Nga NP “Parkingu i Qytetit” më 10 shkurt vetëm informuan se pyetjet, për të cilat kërkuam informacione, ia kanë përcjellë Qytetit të Shkupit si institucion kompetent për projektet. Ndërsa qyteti i Shkupit pyetje identike i dërguam edhe më 1 shkurt.

Përveç projektit “Parko dhe vozit”, Meta.mk pyeti edhe atë se kur qytetarët mund të presin fillimin e aplikimit për parkim zonal në territorin e Komunës Karposh, më saktësisht në vendbanimet Karposh 1 dhe Karposh 2. Problemi me mungesën e parkingjeve në këto pjesë të Shkupit është alarmant ndër të tjera edhe për faktin se qytetarët dhe kompanitë që gravitojnë në Debar Maallo i parkojnë automjetet e tyre në Karposh që të mos paguajnë parking.

Nuk morëm përgjigje për kërkesën tonë rreth informacionit se kur do të vendoset parkimi zonal në Karposh, por autoritetet e qytetit të Shkupit nuk i përgjigjen as pyetjeve se me cilat masa planifikojnë ta zgjidhin kaosin me parkimet në Vodno gjatë fundjavave dhe festave, kur një pjesë e qytetarëve i parkojnë automjetet e tyre përgjatë rrugës dhe e bllokojnë lëvizjen e këmbësorëve dhe transportit publik ndërmjet Vodnos Poshtme dhe të Mesme dhe ndërmjet Vodnos Mesme dhe Nerezit.

Problemi me parkimin në Shkup po shtohet nga viti në vit, krahas rritjes së numrit të automjeteve të regjistruara në qytet, por edhe nga rritja e numrit të qytetarëve nga qytetet fqinje, të cilët në vend të trenave apo autobusëve, për të shkuar në punët e tyre, te mjeku apo në shkollë përdorin vetura.

Meta.mk dhe Portalb.mk ka kohë që shkruan se problemi me mungesën e parkingjeve nuk po zvogëlohet, por po rritet.

Sipas të dhënave të NP “Parkingu i Qytetit” të shënuara në Raportin Vjetor për funksionimin e tyre në vitin 2020, ata kishin në dispozicion 9396 vende parkimi në garazhe shumëkatëshe, parkingje zonale dhe parkingje të mbyllura publike. Përndryshe, numri i lejeve për parkim falas që janë lëshuar për banorët e ndërtesave pranë në vitin 2020 ishte 124.724, përkatësisht numri i lejeve të parkimit falas ishte deri 13 herë më i lartë krahasuar me hapësirat e lira për parkim.

Përveç banorëve, në parkingjet e shënuara nga NP “Parkingu i Qytetit” parkohen edhe automjetet zyrtare dhe veturat e punonjësve të kompanive që gravitojnë rreth parkingjeve, si dhe të qytetarëve që i lënë automjetet për disa orë në ditë në. një lokacion.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës, në vitin 2020 për herë të parë në histori në Shkup ka pasur 150,000 makina të regjistruara, ndërsa  këto numra rriten vazhdimisht. Kështu, në vitin 2012 nëpër rrugët e Shkupit kanë qarkulluar rreth 122.000 vetura, ndërsa në vitin 2020 ky numër ka shkuar në mbi 155.000 vetura. Gjegjësisht, për një periudhë prej tetë vitesh, çdo ditë nëpër Shkup vend për parkim kërkojnë mbi 33.000 vetura shtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button