Zelenskiy: Do ta mbrojmë veten me apo pa partnerët tanë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i është bashkuar thirrjeve të liderëve perëndimorë që Rusia të shtensionojë situatën, pas grumbullimit të mbi 150,000 trupave përgjatë kufijve të Ukrainës, që ka rritur frikën se Moska po përgatitet ta pushtojë fqinjin e saj.

Zelenskiy tha në Konferencën për Siguri të Mynihut se Ukraina do ta mbrojë tokën e saj me apo pa ndihmën e partnerëve.

Këto komente ai i bëri pas një takimi që zhvilloi në margjinat e kësaj konference me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris. Kjo e fundit, tha në Konferencën e Mynihut se çdo pushtim i mëtejmë i Ukrainës nga Rusia do të pasohet me forcimin e krahut lindor të NATO-s dhe se Moska do të përballej me pasoja “të paprecedentë”, shkruan REL.

“Ne nuk do të ndalemi me masat ekonomike. Ne do të forcojmë më tej aleatët tanë të NATO-s në krahun lindor” në përgjigje të një pushtimi, tha Harris më 19 shkurt, teksa mori pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.

Në rast të sulmit rus, Harris po ashtu paralajmëroi se Rusia do të përballej me kosto financiare të “paprecedentë” dhe shtoi se një sulm i tillë do të afronte aleatët evropianë më shumë me SHBA-në.

Këto komente të Harris erdhën një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se është i “bindur” se presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendimin që ta pushtojë Ukrainën.

Perëndimi thotë se Rusia ka grumbulluar mbi 150,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën dhe se Moska po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën, por Kremlini hedh poshtë këto pretendime, duke thënë se nuk ka plane të tilla.

“Më lejoni të jem e qartë kur them me siguri absolute: Nëse Rusia e pushton më tej Ukrainën, Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët dhe aleatët tanë, do të vendosim kosto të mëdha ekonomike dhe të paprecedentë”, tha Harris.

Zelenskiy tha në Mynih se fuqitë perëndimore duhet të heqin dorë nga ajo që ai e quajti politikë “e butë” karshi Moskës.

“Ukraina ka pranuar garanci të sigurisë për braktisjen e arsenalit të tretë më të madh bërthamor në botë. Ne nuk kemi armë. Dhe as siguri… Por, ne kemi të drejtë – të drejtën që të kërkojmë nga një politikë e butë në një politikë që garanton siguri dhe paqe”, tha ai.

Bota ka dështuar karshi Ukrainës sepse arkitektura e sigurisë nuk mund të rregullohet, tha Zelenskiy.

“Arkitektura e sigurisë së Evropës është pothuajse e shkatërruar. Është shumë vonë që të flasim për rregullimin e saj”, tha ai.

Lideri ukrainas kritikoi shtetet që nuk i kanë ofruar ndihmë ushtarake Kievit, duke thënë se ndihma e dhënë deri më tani ishte më shumë “si një shurup për kollitje sesa një vaksinë e mirë për COVID-19” kundër një kërcënimi real, që mund të zgjerohet nëpër Evropë, pasi ta ketë goditur së pari Ukrainën.

“Për tetë vjet, Ukraina ka shërbyer si mburojë. Një mburojë e besueshme që ka frenuar një nga ushtritë më të mëdha në botë”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button