Leart Bucaliu, 16-vjeçari që ka miliona shikime në Youtube (VIDEO)

Youtube është platformë që shumë njerëz e kanë zgjedhur për të përfituar, duke krijuar video me përmbajtje të ndryshme. Një nga to është 16-vjeçari nga Kosova, Leart Bucaliu, që ka arritur miliona shikime me videot e tij në kanalin e tij TRP Matrix. Për Portalb.mk ai ndau me ne eksperiencën e tij dhe  na tregoi se si të arrijmë sukses në Youtube.

Deri më tani Learti ka arritur të ketë 50.000 ndjekës dhe 16 milionë shikime. Videon e parë që ai publikoi në kanalin e tij ishte në vitin 2019. Sipas tij, ne nuk duhet të presim që në fillim të kemi shpërthim me shikueshmëri, por, duhet të jemi të durueshëm dhe në vazhdimësi të publikojmë video.

“Ka shumë strategji të ndryshme se si të arrijmë ta kemi vëmendjen e shikuesit, por, gjëja kryesore është kreativiteti. Normalisht, cilëasia e videos është shumë e rëndësishme dhe, për këtë arsye, një kamerë dhe një mikrofon i mirë do të të ndihmojë shumë në karrierën tënde në Youtube. Videot që shikuesit e mi duan më së shumti janë ato që kanë sfida interesante dhe qesharake.” tha Leart Bucaliu.

Një prej ndjenjave më të bukura që Learti përjeton përskaj gjithë angazhimit të tij në Youtube është momenti kur ndjekësit e tij e ndalojnë në rrugë për ta përshëndetur dhe për të bërë fotografi me të.

Në fillim incizmet dhe montazhin Learti i bënte përmes celularit të tij. Më pas, dëshira e tij që ta çonte kanalin e Youtube-it në një nivel tjetër e bëri që ai të merrte një kamerë profesionale dhe të mësonte të bënte montazh vetë. Xhirimet për një video i zgjasin dy deri në katër orë  dhe pastaj montazhi i merr pesë deri në tetë orë.

“Shumë nga shikuesit e mi veçse e dinë inspirimin tim dhe ky është Youtuber-i i famshëm amerikan i quajtur MrBeast. Ndërsa, sa i përket emrit tim artistik që e përdor TRP Matrix, ka qenë rastësi. Pasi shokun tim Gjinin të gjithë e njihnin si Matrix, ndërsa unë videot e para i kam punuar me të dhe vendosëm bashkë ta quanim kanalin Matrix.” tha Learti.

Mesazhi që Learti përcolli për të gjithë të rinjtë është që të bëjnë dhe të provojnë atë çfarë iu don zemra.

“Nëse keni dëshirë që të bëheni youtuber, atëherë gjithçka që do ju duhet është të keni kreativitet dhe mos të dorëzoheni asnjëherë. Në fillim të hapjes së kanalit nuk do të keni shumë shikueshmëri dhe as ndjekës, por gjithçka arrihet me shumë punë dhe përkushtim!” tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button