MPJ e RMV-së do t’i shqyrtojë të gjitha emërimet e ambasadorëve dhe konsujve nga viti 2006

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, lidhur me deklaratat e fundit të kryetarit të Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme rreth emërimit dhe dërgimit të diplomatëve në pozicionet më të larta në Ambasadat dhe Konzullatat e vendit, konfirmon se vitin e kaluar janë dërguar 20 prijës të Përfaqësive, 16 prej të cilëve diplomatë karriere nga Ministria që është 80% e të dërguarve, njofton Portalb.mk.

“Profesionalizimi i diplomacisë mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Punëve të Jashtme edhe në periudhën e ardhshme, për çka janë ngritur disa iniciativa për të cilat opinioni tashmë është i informuar, duke përfshirë kështu edhe projektligj të ri për Ministrinë e Punëve të Jashtme me të cilin përqindja e detyrimit për të dërguar diplomatë do të rritet nga minimumi aktual prej 33% në 75%”, njoftojnë nga MPJ.

Ndër iniciativat e tjera, ata theksojnë se në Ministri është ngritur një grup pune për të shqyrtuar të gjitha emërimet dhe dërgimet e Ambasadorëve dhe Konsujve të Përgjithshëm nga viti 2006 e deri më sot dhe do të përgatitë një analizë krahasuese.

“Qëllimi i analizës është të verifikohen të gjitha detajet dhe rrethanat në të cilat ato janë dërguar si dhe cilësinë e kandidatëve që si personat e parë në PDK-ve e përfaqësojnë vendin jashtë. Pas përfundimit të analizës, ajo do të prezantohet para opinionit”, shtojnë nga MPJ.

Çështja e emërimeve të diplomatëve u riaktualizua pasi mediat raportuan se Qeveria në një seancë të mbyllur miratoi që ish prezantuesja televizive, 28-vjeçarja Besmira Ejupi të emërohet konsull i përgjithshëm në Nju Jork.

Në lidhje me këtë, nga MPJ thanë se aktualisht në Nju Jork ka konsull të përgjithshëm, Jordan Panev, i cili është diplomat karriere, që është zgjedhur në përputhje me të gjitha rregulloret ligjore, është në gjysmë të mandatit dhe nuk planifikohet zëvendësimi i tij i parakohshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button