Mjekët amë në Maqedoninë e Veriut kërkojnë rritjen e mjeteve që marrin nga shteti

Mjekët, të cilët janë anëtarë të Shoqatës së Pavarur të Mjekëve Amë në Maqedoninë e Veriut, të premten nuk i kanë hapur ambulancat, në shenjë proteste. Ata kanë punuar vetëm me rastet urgjente, ndërkohë që për pacientët e tjerë nuk kanë dhënë receta dhe udhëzime për te mjekët specialistë.

Kërkesa primare e tyre mbetet rritja e mjeteve financiare që marrin nga Fondi për Shëndetësi për çdo pacient që kanë të regjistruar në ambulancat e tyre: nga 65 në 95 denarë (nga 1 euro në 1.5 euro).

Kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Amë, Lilia Çollakova-Dervishova, thotë për Radion Evropa e Lirë se me mjetet që aktualisht marrin mjekët amë në formë të kapitacionit (kuotë financiare), nuk kanë mundësi t’i përballojnë shpenzimet që kanë në ambulancat e tyre.

“Me këto mjete duhet të paguani shpenzimet, mendoj rrogat e infermierëve të angazhuar në ambulancë, ndërkohë që janë rritur dhe faturat e rrymës. Ka shumë kolegë, të cilët në vendet e vogla kanë një numër më të vogël të pacientëve dhe për këtë arsye është e kuptueshme që edhe të hyrat i kanë shumë të vogla, kështu që ata në çdo moment mund të detyrohen t’i mbyllin ambulancat”, thekson ajo.

Pas takimit që kanë realizuar përfaqësuesit e mjekëve amë me zëvendësministrin e Shëndetësisë, protesta është pezulluar për një kohë të pacaktuar.

“Për fillim, u morëm vesh që edhe nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe nga ana e Shoqatës së Mjekëve Amë, në afat sa më të shkurtër, të formohen grupe të punës, ku konkretisht do t’i definojmë prioritetet”, ka theksuar zëvendësministri i Shëndetësisë, Vlladimir Rendevski.

Nga ana tjetër, Shoqata e Mjekëve Amë Shqiptarë thotë se krahas kushteve për punë të mjekëve, duhet avancuar dhe shërbimet për pacientët.

“Për arsye të ndryshme që ne detyrohemi t’i dërgojmë pacientët tanë për një punë të vogël te mjekët sekondarë dhe terciarë për të marrë raport, ne mendojmë se jemi kompetentë për t’i kryer të njëjtat detyra, në mënyrë që të mos lodhen pacientët… Por, edhe terminët te mjekësia sekondare dhe ajo terciare mungojnë”, thotë Bekim Ismaili, nga Shoqata e Mjekëve Amë Shqiptarë.

“Ne nuk arritëm të bëjmë bisedime të mirëfillta me organet shëndetësore. Ne kishim një ujdi edhe me shoqatat e tjera që përfaqësojnë mjekët amë që të bisedojmë me autoritetet e shëndetësisë dhe nëse ata nuk pranojnë asgjë, atëherë të protestojmë të gjitha shoqatat”, thotë Ismaili.

Por, nga Shoqata e Mjekëve Amë thonë se në bazë të të dhënave që kanë, më shumë se 400 ambulanca në vendbanime të ndryshme jashtë kryeqendrës, janë mbyllur dhe nuk ka kohë për pritje, pasi kriza financiare vë në rrezik mbylljen e më shumë ambulancave në viset rurale, ku numri i pacientëve është më i vogël.

“Këtë gjë nuk guxojmë ta lejojmë. Ne kemi më shumë rajone që ballafaqohen me probleme të këtilla. Rajoni i Bogomillës, ai Mavrovës, ose Mariovës në pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut janë me vetëm një mjek. Edhe atje ka qytetarë dhe kanë nevojë për mbrojtje shëndetësore, pavarësisht numrit të banorëve në ato zona”, thotë Lilia Çollakova-Dervishova, nga Shoqata e Mjekëve Amë.

Mjekët amë, gjithashtu, kërkojnë zgjidhje ligjore që do të mundësojë funksionimin e ambulancave edhe pas pensionimit të mjekëve amë, përkatësisht drejtimin e tyre nga mjekë të rinj që nuk do të kenë nevojë nga e para t’i regjistrojnë pacientët e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button