RMV, Këshilli për Siguri në Komunikacion: Shpejtësia është shkaku kryesor i aksidenteve me pasoja fatale

Diferenca prej 10 km në orë, është në fakt dallimi midis jetës dhe vdekjes. Shpejtësia prej 10 km në orë mbi atë të lejuar e rrit distancën e frenimit të automjetit mesatarisht për 10 metra, e cila mund të jetë fatale, sidomos në zonat e banuara, sqarojnë nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor(KRSK), raporton Portalb.mk.

Shpejtësia është identifikuar si një faktor kryesor rreziku për sigurinë rrugore, e cila ndikon gjithashtu në rrezikun e aksidenteve, si dhe në dëmtimet serioze që vijnë nga aksidentet.

Nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, thanë se shpejtësia mbetet shkaku dominues i aksidenteve në trafik me pasoja fatale.

Shkenca dhe statistikat tregojnë se distanca e frenimit të një automjeti që lëviz me shpejtësi 50 km/orë është 26 metra, ndërsa atij që lëviz me shpejtësi 60 km/orë është 34 metra. Diferenca prej 10 km/h është në fakt ndryshimi midis jetës dhe vdekjes.

“Kjo ka qenë arsyeja që shpejtësia maksimale e lejuar në një zonë të banuar në vitet e kaluara është ulur nga 60 km/h në 50 km/h. Shpejtësia prej 10 km në orë mbi atë të lejuar e rrit distancën e ndalimit të automjetit mesatarisht për 10 metra, e cila mund të jetë fatale, sidomos në zonat e banuara”, sqarojnë nga KSK.

Prandaj, sipas tyre, është e rëndësishme të zvogëlohet shpejtësia mesatare në vendbanime dhe në rrugët rajonale për të përmirësuar sigurinë në komunikacion.

Sipas rezultateve të hulumtimeve të huaja, me uljen e shpejtësisë mesatare me vetëm 1 km në orë, numri i aksidenteve të trafikut në një zonë të banuar do të zvogëlohej për 4 për qind, dhe numri i aksidenteve të trafikut jashtë një zone të banuar me 2 për qind.

“Se lëvizja më e ngadaltë është më e sigurt vërtetohet nga fakti se probabiliteti i vdekjes së këmbësorëve nga një automjet që lëviz me shpejtësi 50 km në orë është 85 për qind, ndërsa probabiliteti që një këmbësor të vdesë nga përplasja e automjetit që lëviz në shpejtësi prej 30 km në orë është më pak se 10 për qind”, sqarojnë nga KSK.

Ndaj ata u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të jenë të përgjegjshëm dhe t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, posaçërisht ato të kufizimit të shpejtësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button