Gjykata Kushtetuese e RMV-së, peng i përplasjeve partiake

Gjykata Kushtetuese pret që deputetët të bien dakord për shumicën në Komisionin Parlamentar të zgjedhjeve dhe emërimeve. Kush ka dobi nga përplasjet politike për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, cilët emra kanë qenë deri tani në listën e kandidatëve dhe çfarë është diskutuar?, raporton REL në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Se kush do të ketë shumicën në Komisionin për zgjedhje dhe emërime, interesat partiake janë pengesa kryesore për shkak së cilës zgjedhja e gjyqtarëve të rinj kushtetues “ngec” prej muajsh në sirtar. Cili grup parlamentar do të propozojë 4 emrat për gjyqtarët kushtetues, si dhe cilët emra kanë shprehur interesim, janë çështjet kryesore që lindin pas disa muajsh “bllokadë parlamentare” për zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj kushtetues.

Pas ndryshimit të përbërjes qeveritare të deputetëve me zgjedhjet lokale dhe riorganizimin e Qeverisë, në këtë komision, i cili më parë kishte një shumicë prej 7 deputetësh, u krijua një “vrimë”. Tani Komisioni është pa kryetar dhe opozita ka shumicën. Disa deputetë në këtë komision thonë se koalicioni qeverisës ka frikë se në një situatë të tillë propozimet e tyre nuk do të kalojnë filtrin parlamentar.

Beteja politike për këtë çështje kaloi nga foltorja e Kuvendit në nivel liderësh. Kryetarët e partive politike më të mëdha nga blloku maqedonas fajësohen përmes mediave për arsyet pse është bllokuar Komisioni.

Nënkryetari i Komisionit dhe koordinatori i grupit parlamentar në LSDM, Jovan Mitrevski tha se caktimi i seancës do të varet nga shpërndarja e anëtarëve të komisioneve sipas shumicës së re.

“Shumica në Kuvend duhet të reflektohet në gjitha Komisionet”, tha ai.

Tensione në Parlament për gjyqtarët kushtetues

Kjo ndodhi pasi kryetari i mëparshëm i komisionit Kostadin Kostadinov fitoi mandatin për kryetar komune në zgjedhjet lokale dhe deputetët e BESA-s, të cilët kanë një anëtar në komision, u larguan nga shumica qeveritare dhe iu bashkuan opozitës.

Kjo parti dje ka marrë “vërejtje” nga kryeministri Dimitar Kovaçevski se duhet të fillojnë të sillen si opozitë në Kuvend.

Anëtari në komision nga Lëvizja Besa, Fadil Zendeli, tha se problemi nuk është në sjelljen e tij në Kuvend, e as në faktin se tani opozita ka shumicën në Komision, sepse opozita kishte shumicë në këtë komision por edhe në komisione të tjera edhe më herët.

“Ky është thelbi i asaj që kërkon shumica, të ketë kontroll në këtë Komision që të mund të shtyjë kandidatët që ata i duan, përndryshe nuk ka problem që unë si deputet i opozitës të debatoj për kandidatë që realisht i plotësojnë kushtet dhe opinioni i pranon”, tha Zendeli.

Kolegu i tij nga Aleanca për Shqiptarët, Syrija Rushidi, tha se komisioni është funksional, por askush nuk po cakton seancë.

“Unë shoh që kjo shumicë parlamentare nuk ka shumicën në këtë komision dhe me çdo kusht kërkon të shtyjë propozimet e saj, ky është problemi. Nuk i di emrat e saktë, por e di që njerëz të afërt me qeverinë po insistojnë të bëhen gjyqtarë kushtetues dhe ky është problemi”, tha Rashidi.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nga ana tjetër, thotë se nuk mund t’i detyrojë deputetët të zgjedhin gjyqtarët kushtetues.

Zendeli, ndërkohë, dyshon se problemi mund të jetë në mosmarrëveshjet mes koalicioneve qeveritare se kush duhet të jetë në listën e gjyqtarëve kushtetues.

Deri në publikimin e këtij lajmi, Kuvendi nuk iu përgjigj pyetjeve të REL se kush dhe sa avokatë të shquar kanë shprehur interesim për të qenë anëtarë në Gjykatën Kushtetuese. Një pjesë e spekulimeve publike është se rreth 13 persona kanë dërguar tashmë letër interesimi. Asnjë nga deputetët deri më tani nuk ka marrë njoftim nga shërbimet parlamentare për listën e kandidatëve që duan të bëhen gjyqtarë kushtetues.

Deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski tha se pushteti nuk ndan informacione me ta dhe nuk debaton për kandidatët e mundshëm.

“Nga ajo që kemi dëgjuar deri më tani në nivel të informacioneve jo të plota, flitet për këto emra, një avokat nga Manastiri Vasko Talevski i cili ka qenë edhe kryetar i Komisionit Juridik të LSDM-së në Manastir, pastaj një gjyqtare aktuale Antoaneta Dimovska. Dhe çfarë dimë në Kuvend se është folur për sekretaren aktuale të Kuvendit Cvetanka Ivanova si propozim i LSDM-së. Por ne nuk kemi konfirmime me shkrim për këtë, sepse Komisioni nuk ndan informacione me anëtarët e opozitës”, tha Milloshovski.

Në opinion ka kohë që spekulohet se në listën e kandidatëve për gjyqtarë kushtetues është edhe kreu i Prokurorisë Publike, Ljubomir Joveski, i cili publikisht ka deklaruar se nëse zgjidhet do ta pranojë këtë pozitë.

Mitrevski nga LSDM nuk zbulon se cilët emra janë propozuar për gjyqtarë kushtetues.

“Anëtarët e komisionit kanë të drejtë të propozojnë kandidatë për gjyqtarë kushtetues në seancë, kështu që ne do të dimë se cilët persona do të propozohen atëherë kur të mbahet seanca”, tha Mitrevski.

Deputetët e opozitës janë dakord që komisioni duhet të mblidhet dhe të debatojë publikisht propozimet e mundshme për gjyqtarë e rinj kushtetues. Ata pajtohen dhe thonë se janë të gatshëm të organizojnë një debat publik në të cilin do të ftohen profesorë të shquar që merren me të drejtën kushtetuese, organizata joqeveritare të specializuara në këtë fushë dhe media, për të përcaktuar së bashku se cilët kandidatë do të ishin zgjidhjet më të mira për gjyqtarë të cilët do të kujdesen për mbrojtjen e Kushtetutës.

Sipas rregullores, Komisioni Parlamentar mund të propozojë 5 anëtarë të Këshillit Kushtetues, më pas dy propozime vijnë nga Presidenti i vendit dhe dy nga Këshilli Gjyqësor. Një nga propozimet e Komisionit në seancë plenare do të duhet të votohet sipas parimit badenterit. Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese e zgjedh Gjykata nga radhët e gjyqtarëve për një mandat tre vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Gjyqtarët zgjidhen nga Kuvendi për një mandat nëntë vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje. Sipas kushtetutës, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga radhët e juristëve të shquar.

Në anën tjetër, zëvendës anëtari në Komision, Pavle Trajanov, tha se ka ardhur koha që të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues në Kuvend, sepse kjo zgjidhje me konfliktet ndërpartiake është në dëm të shtetit. Sipas tij, prej vitesh partitë në pushtet përmes Kuvendit zgjedhin gjyqtarë kushtetues të cilët në një mënyrë apo tjetër janë në interes të tyre. Ai tha se mënyra e zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues në Kuvend është e gabuar.

“Patjetër duhet të ketë konkurs publik, transparencë të plotë në këtë proces, kritere të rrepta se kush duhet të jetë gjyqtar kushtetues dhe para së gjithash të jenë kuadro jopartiak, ekspertë dhe autoritete të njohura në fushën e drejtësisë. Dhe jo kështu, partitë përmes Komisionit të vendosin se kush do të jetë gjyqtar kushtetues. Duhet të ketë ndryshime konkrete në mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues,” tha Trajanov.

Ai propozon zgjidhje të re ligjore që do të ndryshojë mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj kushtetues. Komiteti i Helsinkit vitin e kaluar ka dorëzuar iniciativën në Ministrinë e Drejtësisë për miratimin e ligjit për procedurën dhe kushtet për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues.

Ndërkohë që deputetët po debatojnë me njëri-tjetrin, Gjykata Kushtetuese “vlon” për një kuadër prej 9 gjyqtarësh. Për shkak se ka nevojë për shumicë prej dy të tretash për disa lëndë, si nisma kundër Marrëveshjes së Prespës si dhe ligji për gjuhët, ata presin në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Kacarska – Kuvendi të zgjedhë gjyqtarët e rinj kushtetues

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, para pak kohësh deklaroi se nuk pret që ky problem të zgjidhet shpejt, edhe pse është më shumë se gjysmë viti, por shpreson që ndërgjegjja do të shtyjë deputetët të punojnë. Ajo tha se në zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues nuk duhet të ketë politikë partiake, por një gjyqtar kushtetues duhet të jetë një jurist i mirë dhe me integritet, t’i rezistojë çdo presioni dhe kur punon në çështje e lëndë të caktuara të mos mendojë nëse vendimi i tij i përshtatet kësaj apo asaj partie apo grupi..

Në shumë vende të botës, zgjedhja e gjyqtarëve në gjykatën më të lartë ka qenë objektiv i kritikave publike. Në Gjermani, për shembull, gjyqtarët në gjykatën më të lartë zgjidhen nga një këshill prej 12 anëtarësh në baza anonime, gjë që është e diskutueshme sipas presidentit aktual të Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe, duke hapur një mundësi për një gjyqtar me pak “legjitimitet” për të bërë një kërcim të madh në karrierë dhe të arrijë në Karlsruhe.

“Kontrolli” i partisë mbi emërimin e gjyqtarëve në gjykatat më të larta është kritikuar rrallë dhe partitë po e përdorin gjithnjë e më shumë për të ndjekur interesat personale. Presidenti i Lidhjes së Gjyqtarëve Gjerman, Jens Gnissa, duke komentuar situatën në Poloni për Deutsche Welle, shprehu indirekt qëndrimin e tij për këtë çështje, duke thënë se reformat atje do të lejojnë partinë qeverisëse nacional-konservatore të depërtojë thellë në gjyqësorin polak dhe gjykatat, të plotësohen me kandidatë sipas dëshirës së tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button