RMV, vetëm fakultetet zhvillojnë mësim online, KSI rekomandoi që studentët t’i kthehen prezencës fizike

Dy vjet, studentët në fakultetet publike dhe private ndjekin mësimet online. Shkollat nga fillimi i këtij viti shkollor ​​kanë mësim me prezencë fizike, kopshtet punojnë normalisht, ndërsa për të gjitha institucionet, firmat, kompanitë, institucionet kulturore, organizatorët e manifestimeve janë përgatitur protokolle për punë me prezencë fizike. Vetëm studentët akoma vazhdojnë mësimin nga shtëpia, kurse në fakultet paraqiten ata që patjetër të kenë mësim praktik. Leksionet teorike dhe provimet bëhen online, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për një popullsi që është mbi 18 vjeç. Edhe studentët dhe profesorët janë të rritur, mund të vaksinohen dhe nuk duhet të jenë kërcënim për shëndetin e njëri-tjetrit. Autoritetet shëndetësore duket se i kanë harruar dhe janë në pozitë të privilegjuar në krahasim me të gjithë të tjerët që kanë shkuar në punë prej kohësh. Ndërkohë, profesorët po ndjekin projekte, duke u shfaqur në debate televizive, ndërsa studentët në vend se të jenë në mësim dhe prova ku duke mos shkuar janë të mbrojtur nga kovid-19, përzihen me bashkëmoshatarët e tyre në kafene dhe diskoteka.

Vetëm këtë javë Komisioni për Sëmundje Infektive rekomandoi që mësimdhënia nëpër fakultete të jetë e fokusuar në praninë fizike, mbështetur me vaksinimin e studentëve dhe kuadrin e profesorëve. Mirëpo, ministri i Shëndetësisë Bekim Sali këtë rekomandim duhet ta dorëzojë në Shtabin e Krizave të Qeverisë, pas së cilës do të vendoset për të.

Ministria e Arsimit deri më tani nuk ka bërë rekomandim për mënyrën e funksionimit të fakulteteve, duke thënë se Universitetet kanë të drejtë autonome të marrin vendime për mënyrën e zhvillimit të mësimit.

“Sipas rregullativës ligjore, institucionet e arsimit të lartë në vend janë autonome sa i përket funksionimit dhe organizimit të punës, prandaj secili fakultet individualisht vendos se si dhe në çfarë mënyre do ta organizojë vitin akademik. A do të jetë nëpërmjet mësimit në distancë, me prezencë fizike apo vendim i kombinuar që duhet ta marrin në koordinim me Komisionin e Sëmundjeve Infektive. Sipas informacioneve që kemi bazuar në komunikimin me ta, shumica e fakulteteve aplikojnë model të kombinuar të mësimdhënies”, thonë nga Ministria e Arsimit.

Rektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij”, Nikolla Jankullovski thotë se numri i lartë i të infektuarve është arsyeja që në fakultete, akoma pjesa teorike e mësimit bëhet online, por praktika bëhet me prezencë fizike në grupe më të vogla.

“Me vëmendje e ndjekim situatën dhe trendet që të mund të fillojmë mësimin me prezencë fizike. Kemi ende numër të lartë të të infektuarve. Sapo të bien shifrat do të fillojmë plotësisht mësimin me prezencë fizike”, tha rektori Jankullovski.

Dekani i Fakultetit Filozofik Ratko Duev thotë se fakultetet nuk kanë marrë asnjë protokoll për mësim me prezencë fizike.

“Qeveria duhet të sjellë rekomandim që të fillohet me prezencë fizike dhe të bëjë rekomandimet e duhura. Duam të fillojmë punë me prezencë fizike. Fakultetet nuk kanë kapacitet që të mbajnë leksione në distancë prej dy metrash, ndaj duhet të ndajnë grupet. Gjithashtu kemi vaksinim të dobët edhe te studentët. Unë kam qenë iniciatori për të hapur një pikë vaksinimi në Universitet, por as kjo nuk e rriti interesin. Ndoshta nëse fillojmë me prezencë fizike, procesi i vaksinimit do të përshpejtohet”, tha profesor Duev.

Pika e vaksinimit në Universitetin Kirili dhe Metodi u hap shtatorin e kaluar si një nga mënyrat e Ministrisë së Shëndetësisë për të motivuar të rinjtë që të vaksinohen kundër kovid-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button