RMV, protesta e mjekëve amë – nga Fondi kërkojnë më shumë para për pacient

Me protestë para objekteve të njësisë rajonale të Fondit për sigurim shëndetësor (FSSh), mjekët amë nga Velesi shprehën pakënaqësi për gjendjen në kujdesin primar privat shëndetësor. Atyre iu bashkuan edhe dentistët. Ditën e sotme në shenjë revolte protestuan të gjithë mjekët privatë në vend, duke mos pranuar pacientë për shfrytëzim të “Termini im”, por vetëm raste urgjente. Ata kërkojnë ndryshimin e vlerës së kapitalit për pacient të paguar nga Fondi, raporton Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

“Problemet e mjekëve amë arritën në pikën më të lartë të alarmit. Ne mbrojmë shëndetin e qytetarëve, duhet respekt për mjekët dhe infermierët. Është koha që autoritetet shëndetësore të kenë prioritet zgjidhjet e problemeve të mjekëve privatë. Kemi edhe zgjidhje, vetëm të hiqet rezhimi i përshkrimit të ilaçeve, do të lirohen 300 mijë referime ose në mjete 2 milionë euro. Në mënyrë të panevojshme maltretohen pacientët me rregulla të para 20-30 viteve. Ja sot na janë bashkuar edhe stomatologët amë, të cilët gjithashtu kanë problemet e tyre”, tha dr.Lili Çolakova-Dervishova, kryetare e Shoqatës së mjekëve privatë (ShMP).

Situata e keqe me mjekët amë ka bërë që në pesë vitet e fundit numri i mjekëve të bjerë nga 1800 në 1.436. Ata përkujtuan se në shëndetësinë publike pagat janë rritur disa herë, ndërsa te ata kapitimi është 63 denarë.

“Për pesë vite nuk ka ndryshuar vlera e fituar për një laborator, 80 mijë denarë për një muaj. Ndërkohë, çmimet e reagentëve dhe paga minimale janë rritur, energjia elektrike është rritur, ka nevojë për prokurim apo riparim të aparatëve. Si mund që me këto mjetet që marrim të sigurohet paga për personelin, por edhe për materialet e punës?”, tha dr. Valentina Risteska-Nejasmiq.

Një mjek amë nga fshati Lozovë ndau përvojën e tij me numrin e vogël të pacientëve në vendbanimet e vogla.

“Numri i pacientëve është në rënie të vazhdueshme çdo muaj. Jemi dy mjekë dhe me këtë kapitim e kemi të vështirë të mbijetojmë. Nëse vazhdohet kështu, për një muaj do ta mbyllim ambulancën”, tha doktor Sllobodan Jovanovski.

Në protestë ishin të pranishëm edhe dhjetëra stomatologë nga Velesi.

“Edhe ne jemi pjesë e atij kujdesi parësor shëndetësor dhe përballemi me të njëjtat probleme. Vlera e kapitimit është 48 denarë, nuk mjafton për kontroll bazë. Materialet e punës, energjia elektrike, janë rritur, kostoja e pagave dhe kontributeve po rritet. Emigrimi i të rinjve kontribuon në uljen e numrit të pacientëve, ndaj çdo muaj kemi gjithnjë e më pak fonde nga kapitimi. Çmimorja e shërbimeve të Fondit për sigurim shëndetësor nuk ka ndryshuar që nga viti 2009”, thotë stomatologia Dr.Alenka Gajdova.

Revolta e mjekëve amë,  siç njoftuan më herët nga Shoqata e mjekëve privatë, është për shkak të disa kërkesave të paplotësuara që kanë.

“Për një kohë të gjatë askush nuk reagon ndaj thirrjeve tona se shëndetësia primare nuk mund t’i përballojë këto goditje financiare. Rritje e pagës minimale, rritje e faturave të energjisë elektrike të koncesionarëve, gjobave për mjekët amë, rritje e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve”, thuhet në kumtesën zyrtare nga Shoqata e mjekëve privatë në vend.

Siç thonë nga atje, duhen disa reforma për mjekë të kënaqur dhe personel mjekësor të kënaqur.

“Nëse infermierët largohen nga vendet e vogla, nuk do të ketë ekipe – nëse nuk ka ekipe, nuk ka ambulanca. Kjo është në dëm të popullit. Për shëndet cilësor, laboratorë të mirë, klinika speciale cilësore dhe deri në diagnozë të shpejtë”, thuhej në deklaratën e tyre, duke sqaruar arsyet e protestës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button