Organizatat civile presin që shumë shpejtë të hartohet ligji special për mbrojtjen e Vodnos

Vodno të mbrohet me ligj special, ku do të merren parasysh të gjitha aspektet e mbrojtjes së malit, por edhe të Shkupit. Kjo temë sërish u aktualizua kur kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska në një takim me organizatat ekologjike paralajmëroi se Qyteti i Shkupit do të iniciojë shkallë më të lartë të mbrojtjes së Vodnos me ligj, pasi vitin e kaluar Ministria e Mjedisit Jetësor vendosi që ta mbrojë malin si zonë të mbrojtur në kategorinë V – Zonë e mbrojtur, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Qyteti i Shkupit vendosi të mbështesë iniciativën e shoqatave civile dhe më shumë ekspertëve që të fillojë procedurë e re që duhet të rezultojë me mbrojtje integrale të Vodnos, sipas më shumë ligjeve, e jo vetëm sipas atij për natyrë. Arsovska, në fillim të vitit tha se autoritetet e qytetit janë të përkushtuara të sigurojnë një shkallë shtesë të mbrojtjes së rregulluar ligjërisht të Vodnos që është në interes të Shkupit dhe shkupjanëve.

Nga Qyteti i Shkupit bëjnë të ditur se në buxhetin e këtij viti kanë ndarë mjete për përpilim të Planit hapësinor për Vodnon.

“Qyteti i Shkupit, me inicimin dhe hartimin e këtij projektligji, angazhohet për zgjidhje sistemore, i cili pasi të përgatitet do të dorëzohet në Kuvend. Qyteti i Shkupit tashmë është takuar me përfaqësues të shoqatave qytetare “E dua Vodnon” dhe “Iniciativa O2”, ku diskutuan për fazën e realizmit të iniciativës për projektligjin për mbrojtje të Vodnos”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.

Ekologët e organizatës “E dua Vodnon” shpresojnë se hartimi nuk do të vonohet dhe se shpejt do të ketë zgjidhje konkrete. Presin që kur të jetë gati versioni fillestar i ligjit ai të prezantohet në mënyrë që publiku të njihet me të.

“Për momentin nuk e dimë se kush do të jetë propozuesi i ligjit, por për ne me rëndësi është që të mbulohen jo vetëm vlerat biologjike, por të gjitha aspektet e rëndësishme për mbrojtje të Vodnos dhe Shkupit nga Vodno”, tha Tatjana Stojanovska.

Ivan Blinkov, profesor në Fakultetin e Pylltarisë thekson se ligji duhet të vulosë përgjithmonë vendimin e përkohshëm për ndalim të urbanizimit, i cili kërcënon të shkatërrojë pyllin-park. Vetëm në atë rast Vodno do ta mbrojë Shkupin, veçanërisht nga erozioni.

“Ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë kundërshtuar prej kohësh vendimin e Ministrisë së Mjedisit për shpalljen e Vodnos zonë të mbrojtur në bazë të Ligjit për Natyrën, sepse mbrojtja e diversitetit biologjik, gjeologjik dhe peizazhit, sipas këtij akti, janë shumë më pak të rëndësishme se sa gjashtë vlera të tjera të Vodnos”, thotë Blinkov.

Kjo para së gjithash i referohet mbrojtjes së zonës qendrore të qytetit nga erozioni dhe vërshimet e rrëmbyeshme, për të cilat në të kaluarën janë zbatuar masa në segmentin nga Pripori në Nerez. Ai vë në pah se në vitin 1954, kur u shpall zona erozive, kufiri i poshtëm i saj shtrihej deri në stacionin e vjetër hekurudhor.

Vodno, si mali më afër qytetit, ka rol rekreativ, por edhe ekologjik, si mushkëritë e Shkupit. Këtu, përveç manastirit të Pantelejmonit, gjenden edhe pesëmbëdhjetë objekte të tjera me vlerë kulturore dhe historike. Nuk duhet neglizhuar roli bujqësor, pasi rreth një e katërta e sipërfaqes është pronë private, kryesisht ara, vreshta dhe pemishte. Blinkov thotë se Vodno ka edhe rol të sigurisë ushtarake, megjithëse në publik nuk përmendet shpesh. Ai thekson se është i gatshëm të marrë pjesë në hartimin e ligjit sepse e njeh shumë mirë historinë dhe rolin e malit, veçanërisht si mbrojtje kundër erozionit.

“Rreziku i një vale përmbytjeje është i madh sepse ka edhe fazë të lëngët edhe të ngurtë. Faza e ngurtë buron nga erozioni dhe ajo me masa mbrojtëse mund të reduktohet shumë. Me pyllëzim, veçanërisht në hulli konturorë apo kordone, siç u bë në Vodno, sigurohet ndalimi i një pjese të ujit, që pjesa tjetër të futet në kanale. Prandaj, këtë sistem të plotë kundër erozionit dhe kundër vërshimeve të rrëmbyeshme të Vodnos duhet ta ruajmë maksimalisht. Rreziku kryesor nga erozioni dhe vërshimet është për komunën e Kisella Vodë, sepse sistemi në të kaluarën në pjesën lindore nuk ishte i kompletuar”, tha Blinkov.

Qëllimi i mbrojtjes së Vodnos me ligj special është që në të të integrohen të gjitha vlerat dhe jo vetëm ato të parashikuara në ligjin për natyrë. Sidomos që, komentojnë aktivistët, ky ligj në disa pjesë, kur i referohet Vodnos, bie ndesh me ligjet tjera si ai për pyjet, ujin, mbrojtjen dhe shpëtimin e të tjerë. Të gjithë këto ligje janë po aq të rëndësishëm dhe nuk duhet lejuar majorizmi i njërit, në këtë rast, atij të natyrës. Për shembull, ligji për pyjet nuk lejon shndërrimin e një pylli në tokë ndërtimore, përveç rasteve të interesit publik të përcaktuar me ligjin për shpronësim. Ligji për natyrën, madje, këtë e lejon në zonat e përdorimit të qëndrueshëm. Në Studimin për Vodnon, ajo zonë gjendet në pjesët më të ndjeshme dhe më të rëndësishme nga aspekti i mbrojtjes së Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button