Vickers: Maqedonia e Veriut është partneri më i madh tregtar i Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor

I dërguari i Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për tregti në Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers gjatë vizitës së tij në vend u shpreh se raportet tregtare dhe vëllimi midis MB dhe Maqedonisë së Veriut janë ndër më të mirat në Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia e Veriut është partneri ynë më i madh tregtar dhe jemi me dëshirë për të përforcuar këto lidhje dhe për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të përmirësuar klimën afariste”, tha Vickers përmes një videomesazhi.

Gjatë vizitës së tij në vend, ai u takua me zyrtarët qeveritar, përfaqësuesit e Odave ekonomike dhe bizneseve britanike në vend.

“Vazhdimisht po bëjmë përpjekje për të pasuruar Marrëveshjen tonë për partneritet, tregti dhe bashkëpunim dhe për të zhvilluar më tutje raportet ekonomike midis dy shteteve tona. Po inkurajojmë tregtinë duke promovuar mundësitë për eksport, aftësitë industriale dhe ekspertizën Ne tërheqim dhe mbështesim investime në të dyja anët dhe gjithashtu përmes ekosistemit për Investime të drejtpërdrejta të jashtme të MB-së. Punojmë për të zvogëluar pengesat për eksportuesit dhe investuesit përmes ndihmës procedurale dhe mbështetjes”, deklaroi Vickers.

I dërguari britanik theksoi se investimet britanike në Maqedoninë e Veriut janë ndër sipërmarrjet më të rëndësishme dhe më të suksesshme të biznesit në vend, duke udhëhequr rrugën përmes rezultateve ekonomike, qeverisjes së mirë dhe përgjegjësisë korporative dhe sociale.

“Energjia e rinovueshme, projektet e infrastrukturës, mjedisit dhe menaxhimit të mbetjeve, si dhe financat alternative dhe të gjelbra – këto janë vetëm disa nga sektorët ku ne të gjithë mund të përfitojmë nga zgjerimi i partneriteteve tona, dhe ku Britania e Madhe ka një përvojë të konsiderueshme dhe aftësi udhëheqëse botërore.  Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në diversifikimin e furnizimit të saj me energji. Nëpërmjet Fondit të Mbretërisë së Bashkuar për Qeverisje të Mirë, ne kemi mbështetur Qeverinë për zhvillimin e një strategjie energjetike e cila i mundësoi Maqedonisë së Veriut të vijë në #COP26 me Kontribute kombëtare të vendosura ambicioze”, shtoi Vickers.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button