RMV, Telekomi lansoi rrjetin e parë komercial 5G

Telekomi i Maqedonisë së Veriut lansoi rrjetin e parë komercial 5G në vend, duke mundësuar kështu përdorimin e shërbimeve 5G paralelisht dhe në kombinim me 4G, falë teknologjisë së avancuar për përdorim dinamik të radiofrekuencave ekzistuese, transmeton TV21.

Përgatitjet për futjen e teknologjisë 5G filluan në vitin 2018 me demonstrimin e parë laboratorik të 5G dhe në vitin 2019 Telekomi e vendosi rrjetin e parë të testimit, përmes të cilit u arrit shpejtësia e transferimit të të dhënave prej 1 Gbps, dhjetë herë më e lartë se 4G.

Telekomi i RMV-së është në jehonën e implementimit të radio rrjetit të ri qasës 5G dhe për gjysmë viti ka arritur të sigurojë mbulim me sinjal 5G në 15 qytete dhe rrethinë: Shtip, Veles, Kavadar, Negotinë, Sveti Nikollë, Manastir, Prilep, Krushevë , Ohër, Strugë, Resnjë, Strumicë, Radovish, Gjevgjeli dhe Dojran.

Implementimi i 5G në Shkup dhe rrethinë filloi këtë muaj dhe deri në maj, të gjithë përdoruesit nga kryeqyteti dhe rajoni më i gjerë i Shkupit do të kenë qasje në shërbimet 5G. Deri në fund të tetorit 2022, 26 qytete në Maqedoni do të mbulohen me pajisje të gjeneratës së fundit.

Rrjeti i Telekomit është i gatshëm të ofrojë internet super të shpejtë gigabit në celular, menjëherë pas përfundimit të procesit të alokimit të radiofrekuencave për radio valët 700MHz dhe 3.6GHz nga AKE.

“Tre vite më parë i filluam përgatitjet e para për teknologjinë e gjeneratës së pestë dhe sot kemi rrjetin e parë komercial 5G. Viteve të kaluara jemi përgatitur, kemi investuar, testuar, ndërtuar dhe folur për të ardhmen, kështu që tani mund të themi se 5G është këtu. E kemi përmbushur një nga parakushtet më të rëndësishme për revolucionin e katërt industrial dhe me radiofrekuencat  e reja 5G, kjo teknologji do të arrijë potencialin e saj të vërtetë, ndërsa abonuesit tanë do të kenë shpejtësitë që synojmë”, deklaroi Nikola Lushev, drejtor kryesor ekzekutiv i Telekomit të RMV-së.

Aktualisht, 5G do të jetë në dispozicion për abonuesit që ndodhen në qytetet e mbuluara nga 5G, sipas tarifave që përdorin, me kusht që të kenë një nga pajisjet e mëposhtme të certifikuara 5G: Samsung S21, Xiaomi 11 Lite NE dhe Motorola Edge 20 Lite. Procesi i certifikimit 5G me Apple pritet të përfundojë gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Përdorimi i të gjitha funksionaliteteve të avancuara të këtij rrjeti do të bëhet gradualisht gjatë viteve në vijim, së bashku me rritjen e mundësive të teknologjive të reja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button