Në përvjetorin e pavarësisë

Kosova sot shënon katërmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë. Një ditë e rëndësishme për gjithë kombin shqiptar dhe për Kosovarët në veçanti. Një ditë që e kurorëzoi përpjekjen shekullore për shtetësi të një kombi që gjatë gjithë historisë ka luftuar për ta mbrojtur identitetin dhe vetë ekzistencën e tij.

Në këtë ditë i kujtojmë viktimat e gjenocidit dhe krimeve tjera që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1990, atyre viteve të përgjakshme të shpërbërjes së Jugosllavisë kur në territor evropian ndodhën krimet më të tmerrshme plot pesëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore. Në një ndër masakrat e shumta që ndodhën gjatë vitit 1999 në Kosovë, Shyhrete Berisha e humbi tërë familjen e saj brenda një nate të kobshme. Ajo humbi bashkëshortin dhe katër fëmijët e saj, dy djem dhe dy vajza, në moshë nga 12 deri në 16 vjeç. Edhe ajo vetë u plagos me armë zjarri nga policët serbë që e kryen këtë masakër, dhe ata menduan që edhe atë e kishin vrarë, së bashku me dhjetëra njerëz tjerë të kësaj familjeje. Mrekullisht, edhe përskaj plagëve të rënda, Shyhretja atë natë shpëtoi nga vdekja duke u hedhur nga kamioni që i transportonte trupat e pajetë të familjarëve të saj në një varrezë masive. Shyhrete Berisha dëshmoi para Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavinë në rastin e ngritur kundër Sllobodan Milosheviq për këto krime që ndodhën para syve të saj. Ky rast nuk u finalizua sepse i akuzuari vdiq para se të sillej aktgjyikimi. Shyhrete Berisha vazhdoi betejën e saj edhe më tej, me një qetësi stoike dhe me shumë përkushtim për të bërë publike këto krime makabre që e bënë të njohur ndërkombëtarisht një vend të vogël dhe e vendosën në prioritet tek fuqitë e mëdha, SHBA dhe NATO të cilat me intervenimin e tyre e ndërprenë atë kasaphanë që ishte duke ndodhur dhe përfundimisht kontribuan që sot kjo ditë të festohet si dita e pavarësisë e një shteti të ri.

Si moment kulminant i një fitoreje të madhe, pavarësia megjithatë është vetëm një fillim. Edhe pse është ditë që shënon lindjen e një shteti të ri, ajo njëherit është edhe ditë që shënon maturinë e po të njejtit shtet. Sepse pritshmëritë janë që ai shtet i sapolindur të tregojë maturi për vetëqeverisje të bazuar në ligj dhe në të mirën e qytetarëve të saj. Pavarësia nuk është vetëm festë, është edhe përgjegjësi për të udhëhequr drejtë dhe me ndershmëri. Një shtet i tillë duhet të kujdeset për të drejtat e qytetarëve, ti mbrojë dhe ti garantojë ato. Sepse tani është vet shteti që përgjigjet për ato të drejta dhe nga i cili pritet që ti mbrojë qytetarët e vetë. Në këtë shtet të ri, Shyhrete Berisha e vazhdoi luftën e saj për ti bërë ballë diskriminimit. Për formën më të rëndë të diskriminimit që ka përjetuar, ajo dëshmoi në Hagë, sepse diskriminimi nacional ndaj saj kishte arritur fazën e gjenocidit. Familja e saj u vra për shkak se ishte shqiptare. Por diskriminimi ndaj saj nuk mbaron këtu, por vazhdon më tej. Ajo për vite të tëra bëri një luftë tjetër, për tu përballur me diskriminimin gjinor ndaj saj. Ajo luftoi deri sa siguroi të drejtën e saj për të trashëguar pronën familjare e cila i mohohej pikërisht për shkak se e kishte humbur familjen. Ajo e humbi shtëpinë e saj për shkak se familjarët e mbijetuar nuk e lejonin të vazhdojë të jetojë në shtëpinë burrit pasi ajo e kishte humbur edhe burrin edhe fëmijët meshkuj që njihen tradicionalisht si të vetmit trashëgimtar në kodet zakonore shqiptare. Një vendim gjyqësor mundësoi që pas 17 vjetësh Shyhretja të mund të kthehet në shtëpinë e saj, në të vetmin vend ku ende mund ta kujtojë familjen e saj të humbur kohë më parë.

Lufta për ti bërë ballë diskriminimit nuk mbaron me një gjykim ndërkombëtare të papërfunduar. Lufta kundër diskriminimit vazhdon në forma të ndryshme, sepse sapo përballemi me një formë, dalin në shesh forma të tjera, subjekte të tjera që diskriminojnë dhe ne e shohim veten një herë duke luftuar me armikun, pastaj duke luftuar me ata që duhet ti kemi miq.

E vështirë, sfilitëse dhe e pafund është lufta kundër diskriminimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button