RMV, mediat të pareformuara prej vitesh, problemet kyçe përsëri në “duart” e së ardhmes

Reformat në fushën e medias nuk kanë lëvizuar pothuajse aspak gjatë vitit të kaluar, krahasuar me vitetet paraprake. Hapi i vetëm në këtë sferë ishte ai në fushën e legjislacionit, por që akoma nuk është miratuar nga Kuvendi i RMV-së. Portalb.mk e ka trajtuar disa herë faktin e mos-lëvizshmërisë së reformave në media, ku dhe ka konstatuar se zhvillimet po zvarriten, çka i bën ato të mbeten pa epilog final. Këtë ngecje, e konstatoi edhe njëherë dokumenti hulumtues Monitorimi i procesit të eurointegrimeve: Reformat gjyqësore, zbatuar nga fondacioni Metamorfozis.

Sipas dokumentit në fjalë, problemet kryesore mbeten për t’u zgjidhur në periudhën e ardhshme dhe kjo, para së gjithash, ka të bëjë me çështjet e kornizës strategjike, sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, financimin e mediave me para publike, transmetuesin publik dhe rolin e tij real, i cili është ende në pritje për t’u njohur nga shteti, si dhe roli i procesit të vetë-rregullimit në media që duhet të forcohet, veçanërisht në fushën e qëndrueshmërisë, por edhe zbatimi më i madh i vendimeve të marra nga Komisioni i Ankesave pranë KEMM-së.

Strategjia për zhvillimin e sektorit të medias në tërësi, në nivel shtetëror, ende nuk ekziston dhe nuk ka njoftime se mendohet për një gjë të tillë. Në fuqi është vetëm Strategjia Rregullatore për periudhën 2019 – 2023, e zhvilluar dhe e miratuar në vitin 2019 nga Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale Mediatike (ASHAAM).

Legjislacioni dhe financimi i mediave

Pas negociatave dhe harmonizimeve të gjata, Qeveria e RMV-së gjatë vitit 2021 pranoi të bëjë ndryshime në legjislacionin penal, me të cilat kërcënimi apo sulmi ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias do ta trajtohet si vepër penale që do të ndiqet sipas detyrës zyrtare. Mirëpo, edhe pse u premtua, edhe pse shoqatat e gazetarëve kërkuan vazhdimisht nga Kuvendi dhe partitë politike, këto ndryshime në legjislacionin penal nuk janë miratuar. Gjithashtu, nuk u miratuan as ndryshimet e propozuara në Ligjin Civil për Fyerjen dhe Shpifjen, me të cilat ulen ndjeshëm dënimet e parashikuara për pronarët, redaktorët dhe gazetarët e mediave nëse shpallen shkelës të ligjit në fushën e fyerjes dhe shpifjes.

Problemi i financimit të mediave me para publike mbetet në nivel shqetësues, por me indikacion se një pjesë e madhe e vetë mediave komerciale jo vetëm që nuk shqetësohen, por edhe avokojnë hapur për përdorimin e fondeve buxhetore si burim të rëndësishëm të financimit të sidomos në kushtet fondeve të reduktuara nga tregu i marketingut, thuhet në dokument. Këtu, para së gjithash, mendohet për pagesat nga buxheti për mediat nëpërmjet mekanizmit të monitorimit të fushatës zgjedhore, të inkorporuar disa vite më parë në Kodin Zgjedhor, përmes të cilit në çdo zgjedhje shumicës së transmetuesve komercialë, qindra mediave online dhe shumë botimeve të shtypura ditore dhe javore, për këtë shërbim u paguhen nga rreth 3,5 deri në rreth 5 milionë euro, në varësi të llojit të zgjedhjeve.

Media, mediume, televizione

Edhe pse shoqatat e gazetarëve dhe ekspertët e fushës paralajmërojnë se një sistem i tillë mund të çojë në një qëndrim klientelist të medias ndaj politikës, megjithëse Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që në vitin 2019 vlerësoi se një mekanizëm i tillë në Kodin Zgjedhor është potencialisht i rrezikshëm në aspektin e korrupsionit, megjithëse është vlerësuar si një model i papërshtatshëm nga OSBE/ODIHR, e po ashtu është njohur edhe nga Komisioni Evropian në raportet për RMV-në, nuk ka asnjë indikacion nga pushteti ekzekutiv, partitë politike opozitare apo shoqatat e mediave komerciale, se mund të bëhet ndryshimi i legjislacionit në këtë pjesë. Në këtë kontribuon padyshim edhe ulja e tregut të përgjithshëm të reklamave.

Problem mbetet financimi i transmetuesit publik, i cili është zvarritur që nga ndryshimi i legjislacionit në vitin 2017, kur shteti vendosi ta ndryshojë modelin e financimit të RTM/RTN dhe në vend të taksës për radiodifuzion, financimi të bëhet përmes buxhetit të shtetit. Që atëherë e deri më sot, shteti (ligjërisht) nuk e përmbush detyrimin e tij për financimin e RTM/RTN përmes sistemit të financimit të përgjithshëm të radiodifuzionit, gjë që tregohet nga shifrat në buxhetin e vitit 202236, ku janë paraparë 900 milionë denarë ose 14,6 milionë euro për të gjithë sektorin, nga të cilat, sipas shpërndarjes ligjore të mjeteve, RTM-ja do të marrë pak më pak se 11 milionë, që është më pak se në vitin 2021. Në vitin 2021, me rebalancin e korrikut, veprimtaria radiodifuzive është financuar me 1,1 miliardë denarë ose mbi 18 milionë euro!

Antarët e Këshillit të AShMAA-së dhe RTM-së

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audio-Vizuale Mediatike dhe Këshillit Programor të RTM-së, bazuar në konkursin e dytë me radhë të shpallur nga Kuvendi i RMV-së në tremujorin e parë të vitit 2021, mund të konsiderohet i dështuar, sepse janë shkelur të gjitha afatet ligjore për kryerjen e zgjedhjes së anëtarëve. Bëhet fjalë për dhjetëra persona të cilët kanë aplikuar në konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të të dy organeve dhe këtu është ndërprerë procedura, ndonëse afatet për përfundimin e procedurës kanë qenë maksimum 40 ditë nga përfundimi i afatit për aplikim. Kështu, në dy mandate, Kuvendi nuk e zbatoi detyrimin ligjor për zgjedhjen e përbërjes së re të dy organeve, ndërsa përbërjet ekzistuese tashmë dy-tre vjet punojnë në bazë të zgjatjes së mandatit të tyre dhe veprojnë, de facto, si ushtrues detyre. Ekspertët me të cilët është biseduar në fokus-grupin dhe në debatin publik të mbajtur nga “Metamorfozis” për reformat në sektorin mediatik në fillim të nëntorit tregojnë se praktikisht nuk ka vullnet politik për të bërë ndryshime thelbësore si në ASHAAM, ashtu edhe në RTM.

Gjendja socio-ekonomike e gazetarëve

Pozita ekonomike dhe sociale e gazetarëve mbetet në vlerësimin – shqetësuese. Rrogat në këtë sektor janë ende të ulëta, ndërsa në lidhje me të marrëdhënia e punës përmes Ligjit të Marrëdhëniet e Punës, megjithëse janë relativisht mirë të realizuara në mediat e mëdha, përsëri vërehen shkelje. Në fund të vitit 2021, një televizion komercial me koncesion kombëtar tokësor shkarkoi 6 punonjës, e paralajmërohen edhe pushime të tjera nga puna, të cilat sindikata e pavarur e gazetarëve SPGPM dhe Shoqata e Gazetarëve SHGM e vlerësuan si akt hakmarrës të menaxherit të kompanisë për shkak të një serie aktivitetesh sindikale që janë ndërmarrë për shkak të rrogave të papaguara apo vonesës së tyre gjatë vitit 202137. Se pozita ekonomike dhe sociale e gazetarëve dhe punonjësve të medias është shqetësuese, flasin edhe rezultatet e anketës së realizuar nga SPGPM-ja në tremujorin e tretë të këtij viti. Sipas rezultateve, të publikuara më 3.12.2021, më shumë se gjysma e gazetarëve, redaktorëve, fotoreporterëve dhe kameramanëve të anketuar thanë se do ta linin profesionin nëse do të kishin mundësi të hynin në ujëra të tjera profesionale.

Foto: Sincerely Media on Unsplash

Këto vërejtje janë bërë edhe në Raportin e KE-së të vitit 2021 për Maqedoninë e Veriut, dhe madje për disa vite me radhe, rekomandimet për këtë fushë mbeten të njëjta, pikërisht për shkak të progresit të ulët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button