fbpx

VMRO-ja e shpalosi përsëri qëndrimin në lidhje me marrëveshjen me Bullgarinë

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Bullgarinë, nëse zgjidhje që mund të arrihet do të dëmtojë interesat kombëtar dhe shtetërore të Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar të mërkurën, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, raporton REL. Ai ka kërkuar nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) e kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, që të miratojë në Kuvend një rezolute për mbrojtjen e figurës dhe të identitetit të heroit kombëtar të maqedonasve, Goce Dellçev.

Kryetari i VMRO-së tha se dyshon që në bisedimet me palën bullgare, pala maqedonase, do të heqë dorë nga prejardhja maqedonase e Dellçevit, por edhe nga identiteti dhe gjuha maqedonase.

“Kam ofruar unitet që të gjithë së bashku të qëndrojmë pas mbrojtjes së interesave kombëtare pasi popullit i ka ardhur mbi kokë nga politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar, në llogari të identitetit të popullit maqedonas, të cilët po pasurohen dhe po bëjnë karrierë në kurriz të popullit maqedonas”, ka deklaruar Mickoski.

Ai tha se pozicionet në bisedimet me Bullgarinë janë rrënuar edhe për shkak të siç tha, faktit se në proces fjalën kryesore e kanë politikanët shqiptarë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

“Pozicionet negociuese po minohen, pasi identiteti maqedonas dhe i shtetit në përgjithësi është vendosur në ankand. Artan Grubi, Bujar Osmani dhe Ali Ahmeti ndryshimin e Kushtetutës e kanë vendosur në ankand dhe këtë po e vërteton administratori Kovaçevski, trashëgimtari i verbër i Zaevizmit. Me kërkesën tona që në Kuvend të miratohet një deklaratë për të madhin Goce Dellçev, jo vetëm që forcohen, por edhe më shumë i jepet rëndësi atyre që po negociojnë në tavolinë”, tha Mickoski.

Ai tha se edhe zyrtarëve bullgarë, kryeministrit, Kiril Petkov dhe presidentit, Rumen Radev ia ka bërë me dije se “VMRO-ja nuk do të pranojë asnjë marrëveshje të dëmshme mes dy vendeve”.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski hodhi poshtë pretendimet e opozitës duke theksuar se bisedimet me Sofjen janë transparente dhe se nuk mund të flitet për “tradhti të interesave kombëtare dhe shtetërore”.

“Procesi po zhvillohet në nivel të ekspertëve, që po punojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme me kapacitet të plotë, së bashku me kolegët e tyre nga Bullgaria dhe kur do të ketë një zgjidhje, e pranueshme për të dyja palët, kjo do të bëhet e ditur për opinionin, por edhe për këtë do të njoftohet të gjitha institucionet të cilat duhet ta miratojnë në përputhje me dispozitat në fuqi. Gjithçka që kemi biseduar deri më tani ka qenë transparente dhe asgjë nuk kemi fshehur, kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Kovaçevski.

Sipas tij, nuk qëndrojnë pretendimet e VMRO-së, se institucionet e Maqedonisë së Veriut po heqin dorë nga përkatësia etnike e Goce Dellçevit.

“Goce Dellçev është revolucionar i luftës nacionale maqedonase, që luftoi për shtet të pavarur në të cilin ne sot jetojmë, që është anëtare e NATO-s dhe në prag të nisjes së bisedimeve me BE-në, pas zgjidhjes së kontestit me Bullgarinë që duhet të zgjidhen ë frymën e vlerave evropiane dhe në frymën e respektit të ndërsjellë”, ka deklaruar kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Goce Dellçev, një personalitet që ka vepruar kundër sundimit osman deri në vitin 1903 konsiderohet si hero dy shteteve, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Debati mes ekspertëve të dy vendeve, përskaj çështje për identitetin dhe gjuhën, përfshin edhe prejardhjen e shumë personaliteteve historike.

Sofja kërkon nga Shkupi që të pranojë rrënjët bullgare në gjuhën dhe identitetit maqedonas. Pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve për këto çështje, Bullgaria në nëntor të vitit 2020 përdori veton me çka u bllokua nisjen e bisedimeve të anëtarësimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button