Tenderi i parë i Komunës së Tetovës është për kamera sigurie për të vërtetuar kush (nuk) shkon në punë

Dy tenderët e parë të Komunës së Tetovës nën udhëheqsinë e Bilall Kasamit janë për kamera, softuerë dhe harduerë si dhe për kompjuterë dhe printera, që kapin vlerën mbi 2.2 milionë denarë. Kontratat me kompaninë e cila do i realizojë tani është nënshkruar ndërkaq arsyeja për këto furnizime sipas Kasamit është mbikëqyrja e punëtorëve kur vijnë ose jo në punë dhe kompjuterët janë për sektorin e urbanizmit dhe legalizimin e lëndëve, shkruan Portalb.mk.

Në njërin tender, Komuna ka siguruar 27 kamera të jashtme dhe të brendshme të sigurisë si dhe monitorë, shtatë llaptopë dhe të tjera. Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është rreth15,600 euro.

Për sa i përket kësaj pjese Kasami tha se në kohën kur në Komunë të Tetovës ka situatë që njerëz të identifikuar se punojnë jashtë vendit dhe marrin paga me vendime të rregullta në komunë, vendimi i parë sipas tij është dashur ta bëjë ishte sigurimi i mbikëqyrjes të identifikimit kur vijnë dhe shkojnë nga puna.

“Personalisht më ka ndodhur si kryetar ora tetë kur vij, një punëtor të kalojë kartelën e katër kolegëve të tij. Jemi detyruar që në furnizimet e para të jenë kamerat e mbikëqyrjes së ardhjes dhe shkuarjes nga puna”, tha Kasami në emisionin Click Plus.

Në tjetrin tender, Komuna e Tetovës ka blerë 22 kompjuterë, 15 hard disqe dhe një printer. Prej të cilëve një kompjuter ka kushtuar afër 1950 euro ndërsa dy llaptopë të tjerë kanë kushtuar rreth 1,390 euro secili. Vlera e përgjithshme e kontratës është rreth 16,200 euro.

Për këtë Kasami tha se këta kompjuterë janë të siguruar për sektorin e urbanizmit pasi kërkojnë kapacitet më të madh.

“Komuna e Tetovës ka katër mijë lëndë të palegalizuara dhe është dashur që të formoj nën njesi të veçantë të cilën e kam pasur premtim parazgjedhor e cila për jo më shumë se 4 apo 5 muaj do ti kalojë gjithë këto lëndë. Janë siguruar këta kompjuterë sepse kërkojnë të kenë kapacitetin e mjaftueshëm për të bartur programe dhe aplikacione të cilat kanë të bëjnë me sektorin e urbanizmit”, tha Kasami në emisionin Click Plus.

Më tepër informata dhe detaje në lidhje me këto dy tenderë gjeni KËTU.

Ndryshe, Kasami me të ardhur në krye të komunës ndërpreu dy tenderë për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button