Kasami për Arifin në Prokurori: Ka blerë 20 telefona nga 1.000 euro dhe tani nuk dihet ku janë

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami njoftoi se menaxhmenti paraprak i komunës ka bërë keqpërdorime të fondeve publike kështu duke blerë telefona që kushtojnë nga një mijë euro, për këtë ai tha se ka dorëzuar padi në prokurori. Prokuroria për Portalb.mk konfirmoi se padia tashmë ka arritur tek ata, ndërsa Arifi mohon diçka të tillë duke e konsideruar si insinuatë të pabazë, shkruan Portalb.mk.

Bilall Kasami njoftoi se kanë dorëzuar padi në Prokurori për blerje të telefonave iPhone dhe Samsung me të cilët është dëmtuar buxheti i Komunës.

“Absurdi më i madh është që 20 telefona nga 1000 euro t’i shpërndajë menaxhmenti paraprak për ata dhe familjarët e tyre dhe sot Komuna 20 telefona nga 1000 euro nuk e dimë ku janë. Për këtë është bërë padia”, tha Kasami.

Ndërkaq i pyetur për atë se a janë gjetur telefonat se ku janë, Kasami u përgjigj kështu:

“Po sigurisht, i kemi identifikuar dhe i kemi kërkuar prokurorisë dhe policisë që ti kthejë në Komunën e Tetovës. Telefona Iphone dhe Samsung të cilët janë së paku 1000 euro një. Buxheti i komunës është dëmtuar me kështu raste banale”.

Prokuroria Themelore Publike për Portalb.mk konfirmoi se një padi e tillë është dorëzuar deri te ta, duke mos dhënë detaje të tjera.

“Komuna e Tetovës ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Tetovës kundër autorëve të panjohur, për shkak se telefonat celularë të përmendur që janë përdorur nga punëtorët në komunë nuk janë kthyer. Prokuroria po kontrollon pretendimet në kallëzim”, sqaruan nga Prokuroria.

Nga ana tjetër, ish kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e pyetur mbrëmë në TV21, për këtë rast tha se këto janë insinuata të pabaza te të nuk ka asnjë element të qëndrueshëm, kështu duke i ikur përgjigjes dhe duke mos komentuar për detaje konkrete.

“Telefona, cilët telefona? Çfarë telefona? Unë nuk jam telefoniste, nëse zotëri Kasami ka vendosur të më bëjë telefoniste dhe të merret me telefona nuk më pengon kjo është mënyra si ka zgjedh ta udhëheq Komunën. Të gjitha akuzat të cilat i bën Kasami janë komplet të pabaza si e para, nuk kanë asnjë bazë as juridike as njerëzore”, u shpreh Arifi.

Kjo nuk është padia e parë e udhëheqsisë aktuale të Komunës së Tetovës ndaj asaj paraprake, në Prokurori është dorëzuar padi edhe për projektin e shtegut të biçikletave.

Rikujtojmë që borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës është mbi 24 milion euro, prej të cilave Komuna ka mbi 14 milion euro borxh, NPK “Tetova” mbi 9.6 milion euro, NP “Parkingu i Qytetit mbi 87 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button