Gjykata e BE-së miratoi kushtëzimin e fondeve me respektimin e sundimit të ligjit

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian vendosi të mërkurën (16 shkurt) se blloku me 27 vende mund të lidhë mbështetjen financiare për shtetet anëtare me respektimin e sundimit të ligjit.

Gjykata ka thënë se kundërshtimi lidhur me këtë nga Hungaria dhe Polonia duhet të hidhet poshtë, transmeton REL.

Qeveritë e krahut të djathtë të të dy vendeve kishin argumentuar se një veprimi të tillë i mungonte baza e duhur ligjore. Të dy kombet, përfitues të mëdhenj të fondeve të BE-së, janë vënë nën kritika në rritje gjatë viteve të fundit për largimin nga parimet perëndimore të respektimit të vlerave demokratike në vendet e tyre.

“Gjykata hedh poshtë paditë e ngritura nga Hungaria dhe Polonia në tërësinë e tyre”, tha Gjykata Evropiane e Drejtësisë në një deklaratë.

Vendimi u prit me reagime nga shumë njerëz që i kishin akuzuar dy kombet për kthim prapa sa i përket demokracisë dhe e kishin parë masën e kushtëzimit të fondeve si armën më të fuqishme të BE-së për të parandaluar thellimin e një përçarjeje të legjitimitetit demokratik brenda bllokut.

Kur bëhet fjalë për parimet demokratike, “Bashkimi Evropian duhet të jetë në gjendje t’i mbrojë ato vlera, brenda kufijve të kompetencave të tij,” tha gjykata.

Komisioni Ekzekutiv i BE-së kishte thënë se do të priste vendimin e së mërkurës përpara se të angazhohej nëse do të ndalonte fondet.

Si Hungaria ashtu edhe Polonia në të kaluarën e kanë hedhur poshtë një arsyetim të tillë, duke argumentuar se gjykata ka tejkaluar autoritetin e saj në miratimin e një mekanizmi të ri që nuk përshkruhet në traktatet e vetë BE-së. Ata thanë se krijimi i një lidhjeje të tillë mes financave dhe vendimeve ligjore të shteteve anëtare të pavarura përbënte shantazh nga Brukseli.

Gjykata argumentoi megjithatë se regresi në demokraci kishte jo vetëm një ndikim politik, por ndikoi edhe në çështjet buxhetore.

“Menaxhimi i shëndoshë financiar i buxhetit të Bashkimit dhe interesat financiare të Unionit mund të rrezikohen seriozisht nga shkeljet e parimeve të shtetit të së drejtës të kryera në një shtet anëtar,” tha ai.

Polonia dhe Hungaria janë përballur me kritika në BE për vite me radhë për akuzat se ato kanë gërryer pavarësinë e gjyqësorit dhe medias, ndër parimet e tjera demokratike. BE-ja e kishte gjetur veten të paaftë të bënte shumë për të ndryshuar kursin e secilit komb, dhe për këtë arsye u kthye në lidhjen e parave me sjelljen demokratike të shteteve.

Respektimi i parimeve të sundimit të ligjit demokratik është një ndër kriteret kyqe të pranimit në BE dhe gjykata këmbënguli që, edhe pasi shtetet të pranohen, ato parime duhet të qëndrojnë.

“Gjykata specifikon, së pari, se pajtueshmëria me ato vlera nuk mund të reduktohet në një detyrim që një shtet kandidat duhet të përmbushë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe të cilin ai mund ta shpërfillë pas anëtarësimit,” tha ai.

Në Hungari, kryeministri Viktor Orban ka nxitur atë që ai e quan “demokraci joliberale”, që kritikët e tij thonë se përbën mbytje të demokracisë. Në Poloni, partia Ligj dhe Drejtësi dominon në mënyrë dërrmuese qeverinë dhe gjithashtu është përballur gjithnjë e më shumë me kritika nga vendet e tjera anëtare të BE-së.

Hungaria dhe Polonia fillimisht kërkuan të bllokonin buxhetin për shkak të futjes së mekanizmit të ri, por përfundimisht ranë dakord me planin me kusht që Gjykata Evropiane e Drejtësisë ta rishikonte atë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button