RMV, koncesioneri e ndërpreu kontratën për shfrytëzimin e arsenit në Llojan

Kompania turke “Kaltun Madenxhilik” ka dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë kërkesë për ndërprerje të njëanshme të kontratës koncesionare për shkak të mungesës së interesit ekonomik për ekzekutimin e mëtutjeshëm të koncesionit, njofton për Meta.mk Ministria e Ekonomisë, raporton Portalb.mk.

Koncesioneri gjatë paraqitjes së kërkesës për ndërprerje të njëanshme të kontratës është referuar në nenin 52 të Ligjit për Burimet Minerale. Ndryshe, koncesioneri turk në gusht të vitit 2014 ka nënshkruar kontratë me qeverinë e Maqedonisë, me të cilën duhej të shfrytëzonte lëndën e parë teknogjene në lokacionin “Llojan”. Kontrata për koncesion me kompaninë ishte e vlefshme deri më 25 gusht 2024, gjegjësisht ata mund të shfrytëzonin arsenin dhe mbetjet e tjera deri në atë periudhë.

Nga kompania turke për Meta.mk informuan se nga fillimi i kontratës koncesionare e deri më sot nga zgjyra në minierën “Llojan” kanë arritur të shesin rreth 60 tonelata nga sasia totale e vlerësuar që ndodhet në atë lokacion, e cila është në masën rreth 15.000 tonelata sulfur arseni.

Koncesioneri na tha se nuk janë të detyruara të shfrytëzojnë 1000 tonelata mbetjeve të zgjyrës në afërsi të Tabanocit, sepse ky lokacion nuk ka qenë i përfshirë në procedurën e tenderimit.

Ndërkohë nga Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik më 4 shkurt të këtij viti ka dalë në terren dhe e ka inspektuar minierën “Llojan”. Ata konstatuan se koncesioneri nuk e ka rrethuar zonën rreth zgjyrës me mbetje arseni dhe minerale të tjera dhe nuk kishte vendosur tabelë informuese për rreziqet që fshiheshin në mbetjet e rrezikshme.

Njëkohësisht, inspektorët konstatuan se afër hyrjeve të minierës “Llojan” nuk ka shenja paralajmëruese për rrezik nga shfrytëzimi i ujit – larje në liqenin e sedimentit, mos të lejohet bagëtia të pije ujë në hyrjet dhe aktivitete të tjera që mund të jenë të rrezikshëm për popullatën dhe kafshët.

“Në lidhje me atë që u tha më sipër, kemi lëshuar Vendim për eliminimin e mangësive (zona e zgjyrës) të rrethohet me gardh mbrojtës dhe të vendoset tabelë informuese për rreziqet që fshihen nga arseni dhe lëndët e para minerale të depozituara, si dhe në hyrje të vendosen shenja paralajmëruese për rrezik nga përdorimi i ujit të zgjyrës”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Shtetëror për Inspektim Teknik.

Ndryshe, Meta.mk dhe Portalb.mk, në dhjetor të vitit të kaluar, dolën në terren dhe konstatuan se të dy lokacionet në afërsi të Tabanocit dhe Llojanit nuk janë të rrethuara dhe nuk janë vendosur tabela informuese. Njëkohësisht, në vetëm 100 metra linjë ajrore nga zgjyra është shkolla fillore “Rilindja”, ku mësimin e ndjekin nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën. Ata janë të ekspozuar ndaj rrezikut të thithjes së arsenit, ndërsa për zhvendosjen e mundshme të nxënësve në objektet tjera në Llojan, Vaksincë apo Tabanoc, nga Komuna e Likovës kanë thënë se për momentin nuk ka mundësi transferimi i nxënësve në ndonjë vend tjetër, sepse numri i nxënësve të shkollave fillore që vijojnë mësimin është i madh.

Përveç problemit të madh me të cilin ballafaqohen nxënësit e Llojanit dhe Vaksincës, në rrezik është edhe lokacioni i dytë afër Tabanocit. Është afër stacionit të trenit në Tabanoc dhe kampit të refugjatëve, ashtu që afër këtij vendi ka një frekuencë të njerëzve, të cilët nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet e lëndës portokalli të shpërndarë rreth zonës së pa rrethuar të deponisë.

Meta.mk ishte dëshmitar i kullotjes së kafshëve shtëpiake në zonën e minierës “Llojan”, ndërsa pranë deponisë afër fshatit Tabanoc kishte ara me kultura të mbjella. Duhet theksuar se këto janë vendbanime ku një pjesë e madhe e popullsisë merret me bujqësi, por ka një përqindje të madhe të papunësisë.

Problemi me arsenin në fshatin Tabanoc mund të jetë edhe më i tmerrshëm në të ardhmen, sepse në afërsi të deponisë do të ndërtohet një pikë e përbashkët kufitare hekurudhore ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë. Në këtë lokacion duhet të akomodohen punëtorët e hekurudhës, shërbimet policore, doganat, shërbimet fitosanitare nga të dy vendet, por për një numër të madh qytetarësh do të duhet të shërbejë si pikë kalimi për hyrje dhe dalje nga vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button