Ohri dhe Shtipi këtë vit do të pranojnë stacione matëse nga monitorimi shtetëror për të përcjellë cilësinë e ajrit

Ohri dhe Shtipi këtë vit do të kenë stacione matëse për monitorimin e cilësisë së ajrit, me çka do të bëhen pjesë e Sistemit Shtetëror për Monitorim Automatik të Cilësisë së Ajrit të Ambientit (SSHMACAA). Janë ndër dhjetëra qytete të mëdha për të cilat ende nuk ka të dhëna zyrtare për cilësinë e ajrit që e thithin qytetarët, transmeton Meta.mk.

Aktualisht, Sistemi Shtetëror i Monitorimit Automatik ka 20 stacione fikse në disa vende në të gjithë shtetin. Shumica e qyteteve kanë nga një stacion, i cili mat disa parametra, duke përfshirë PM 10, PM 2.5, monoksidin e karbonit, ozonin, dyoksidin e sulfurit dhe dyoksidin e azotit. Në Shkup SSHMACAA ka shtatë stacione, së bashku me stacionin mobil në Gjorçe Petrov, ndërsa në Manastir ka dy stacione.

Dy stacionet e fundit Ministria i vendosi në Gjevgjeli dhe Berovë. Megjithatë, pikërisht Berova, qytet i njohur për ajrin e pastër malor, ishte befasi e pakëndshme pasi arritën të dhënat e para zyrtare nga stacioni matës. Është e qartë, se vlerat e rritura të PM 10 dhe PM 2.5 janë realitet edhe në këtë qytet.

Aktivistët mjedisorë nga O2 Iniciativa besojnë se monitorimi nëpërmjet sistemit shtetëror është vendimtar për të parë se si është ajri në vende të ndryshme të vendit, gjë që më pas ofron bazë për të vepruar që cilësia të përmirësohet.

“Gjatë dimrit, supozojmë se për shkak të ngrohjes, sidomos në mëngjes dhe në mbrëmje, ajri është mjaft i ndotur për një qytet të cilin e konsiderohet banjë ajrore. Përqendrimet e PM10 mbi 100 µg/m3 janë të rregullta. Edhe PM2.5 që janë shumë më të rrezikshme janë mjaft të larta.  Nëse i marrim përqendrimet e rekomanduara dhe maksimale me ligj, Gjevgjelia ka ajër shumë më të pastër se Berova”, thonë nga O2 Iniciativa.

Nga Ministria thonë se stacioni në Berovë gjendet në parkun e qytetit, në anën e majtë të lumit Bregallnica, në një distancë prej rreth 20 metra nga ndërtesa dhe shtëpitë e banimit. Vendndodhja, theksojnë ata, tregon se është e mundur që stacioni të regjistrojë pjesën më të madhe të ndotjes që vjen nga djegia e karburanteve për ngrohjen e banesave dhe objekteve administrative në periudhën dimërore të vitit e më pak se trafiku.

“Përqendrimet mesatare ditore të grimcave PM10 nga 1 janari deri më 6 shkurt e kanë tejkaluar 21 ditë vlerën kufitare mesatare ditore prej 50 mikrogramë për metër kub. Megjithatë, këto janë kryesisht tejkalime të lehta, dhe përqendrimet mesatare ditore janë mesatarisht rreth 60 mikrogramë për metër kub, që është normale për periudhën e dimrit, duke marrë parasysh djegien e karburanteve për ngrohje. Përqendrimi mesatar ditor më i ulët i matur ishte 13,44 mikrogramë, ndërsa më i larti ishte 96,39 mikrogramë. Në këtë periudhë nuk ka tejkalim të pragut për informimit dhe alarmim për PM10”, thonë nga Ministria.

Ata bëjnë të ditur se në buxhetin për këtë vit tashmë janë paraparë mjetet për blerjen e dy stacioneve për Shtip dhe Ohër. Megjithatë, lista e qyteteve ku monitorimi shtetëror për cilësinë e ajrit nuk monitorohet mbetet e gjatë. Pos Shtipit dhe Ohrit, qytetarët e Strugës, Radovishit, Resnjës, Dellçevës, Kriva Pallankës, Krushevës nuk e dinë se çfarë ajri thithin. Nga Ministria thonë se për momentin Sistemi Shtetëror funksionon sipas kritereve për numër minimal të stacioneve monitoruese në zonat e përcaktuara në lindje dhe perëndim dhe një aglomerat – Rajoni i Shkupit. Nga ministria i bëjnë thirrje komunave dhe qytetit të Shkupit që të shfrytëzojnë mundësinë e dhënë me Ligjin për cilësinë e ajrit të ambientit dhe të krijojnë rrjet lokal për matjen dhe monitorimin e ndotjes së ambientit në territorin e tyre.

“SSHMACAA është themeluar dhe po zgjerohet në përputhje me udhëzimet e dhëna në “Studimin për monitorimin e ndotjes së ajrit në Republikën e Maqedonisë”. Qëllimi i sistemit të monitorimit shtetëror është të monitorojë cilësinë e ajrit në zona të ndryshme përfaqësuese, gjegjësisht të ketë stacione të llojeve të ndryshme, një stacion që mat ndotjen nga industria, një stacion që mat ndotjen e trafikut dhe një stacion me sfond urban, në çdo zonë dhe aglomerat“, informojnë nga Ministria.

Apel për vendosjen e hiper rrjetit në pikat matëse apelon edhe eko aktivisti Gorjan Jovanovski. Platforma e tij Air Care i bashkon të dhënat nga stacionet shtetërore dhe ato me buxhet të ulët. Në Shkup janë rreth tridhjetë stacione vullnetare dhe pesëmbëdhjetë të tjera në qytete të tjera. Por, sipas Jovanovskit, edhe ky numër është shumë i vogël, nëse duam që në mënyrë efikase dhe efektive t’i lokalizojmë ndotësit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button