Labënishti i kthehet profesionit të mjekut

Ish-deputeti i BDI-së dhe kandidat për Komunën e Strugës, Arben Labënishti, nga e hëna ka filluar punën në Spitalin e Qytetit në Strugë. 

Lajmin për Portalb.mk e konfirmon vetë Labënishti, i cili thekson se ky veprim nuk nënkupton tërheqje nga aktiviteti i tij politik.

“Po që dje kam filluar me punë këtu në spitalin e Strugës, ku isha para angazhimit tim si deputet. Kjo nuk nënkupton tërheqje nga aktiviteti im politik” theksoi Labënishti.

Labënishti konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e tij për kandidatin shqiptar Ziadin Sela në garën me atë maqedonas Vllado Koçovski për qytetin e Strugës.

“Mbështetjen time ndaj Ziadinit e kam dëshmuar që natën e 24 marsit, gjithashtu unë kam bërë apel edhe personalisht në shumë vendbanime në Strugë për përkrahje ndaj kandidatit shqiptar në këtë komunë dhe do të veproj kështu edhe në vazhdim” ka përfunduar Dr. Arben Labënishti.

Labënishti, kthehet në vendin e tij të mëparshëm të punës, pas rreth dy viteve që ka ushtruar detyrën si deputet i BDI-së në Parlamentin e Maqedonisë dhe pas dorëheqjes nga ky post për të garuar për kryetar komune për Strugën, në zgjedhjet lokale të 24 marsit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button