Filloi fushata, sot në Maqedoninë e Veriut u testuan rastësisht 1 000 qytetarë për kovid

Në Maqedoninë e Veriut është realizuar të hënën testimi i rastësishëm i 1,000 personave për koronavirus, i cili pritet të nxjerrë të dhëna mbi imunizimin e popullatës, raporton REL. Testimi është bërë në Shkup, por nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive paralajmërojnë se ka mundësi që të zgjerohet në të gjithë vendin, për të marrë të dhëna më reale për imunizimin e popullatës.

Aksioni është ndërmarrë për shkak të, siç është thënë, numrit të ulët të të vaksinuarve kundër koronavirusit, por edhe rritjes së numrit të të infektuarve dhe të viktimave, në javët e fundit.

Deri më tani, mbi 40 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut janë vaksinuar me nga dy doza të vaksinës.

“Kjo analizë [testimi] do të na tregojë realisht se sa jemi të imunizuar. Ne kemi të dhëna se sa janë vaksinuar, sa janë me një, dy dhe tri vaksina apo çfarë vaksinash kanë marrë. Ne duam të kemi një pasqyrë të qartë se sa e kanë kaluar sëmundjen COVID-19 [që e shkakton koronavirusi]. Në bazë të këtyre rezultateve, do ta kemi një pasqyrë të qarë dhe besoj se do të dalim publikisht me të dhëna konkrete”, ka thënë ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali.

“Sipas evidencës që kemi, 41 për qind [e qytetarëve] janë të imunizuar, por bazuar në hulumtimet, ne mund të jemi deri në 60 për qind të imunizuar në mënyrë natyrale”, ka shtuar ai, por nuk ka dhënë shumë hollësi për hulumtimet që ka përmendur.

Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar testime të ngjashme edhe në shkolla, ku mësimi zhvillohet me prani fizike.

“Do të jetë një testim më dinamik… Nëse në një klasë ka pasur të infektuar me COVID-19, nxënësit e tjerë do të testohen në shkolla dhe, nëse rezultojnë negativë, ata nuk do të kenë nevojë të ndërpresin procesin mësimor”, ka thënë Zllate Memedoviq, zëdhënës i Komisionit për Sëmundje Infektive.

Mjekët kanë kërkuar nga popullata që t’i përgjigjet thirrjes për vaksinim, pavarësisht, siç kanë thënë, pasqyrës së lehtë shëndetësore të personave të infektuar me variantin Omicron të koronavirusit, i cili besohet se është dominues.

Ata kanë tërhequr vërejtjen se komplikimet janë të mundshme, në veçanti te personat me sëmundje shoqëruese.

“Popullata duhet ta ketë të qartë dhe mendoj se, në këta dy vjetët e fundit, është vërtetuar se vaksinimi është mënyra e vetme për uljen e vdekshmërisë”, ka thënë Marija Dimzova, specialiste në Klinikën Infektive në Shkup.

“Marrja e dy apo tri dozave të vaksinës nuk do të thotë se jemi rezistentë ndaj sëmundjes, pasi paraqiten variante të reja, por sërish e them se vaksinimi duhet të vazhdojë me ritme më të shpejta, pasi është mundësia e vetme për t’i evituar rreziqet”, ka deklaruar ajo.

Testimi i rastësishëm është pjesë e fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë për, siç ka thënë, ndërgjegjësimin e popullatës mbi nevojën për vaksinim dhe respektimin e masave mbrojtëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button